Ndërlidhjet

logo-print

Kosovë: Ambasadat i mbështesin zhvillimet rreth zgjedhjeve


Ambasadat e pesë vendeve perëndimore në Kosovë, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, thonë se “i mbështesin zhvillimet e fundit pozitive lidhur me zgjedhjet lokale të 3 nëntorit”.

Mëtutje në deklaratën e përbashkët, ambasadat e këtyre vendeve në Prishtinë, thonë se “këto do të jenë zgjedhjet e para, që do të mbahen në mënyrë unike në të gjitha komunat e Kosovës”.

Mëtutje, në deklaratë mirëpritet “fleksibiliteti që institucionet e Kosovës e kanë treguar në organizimin e këtyre zgjedhjeve brenda kornizës ekzistuese ligjore, si dhe rolin e lehtësuesit që OSBE-ja do ta ketë në katër komunat veriore të Kosovës”.

Sipas pesë vendeve të njohura si Kuinti, “vendimet teknike të ndërmarra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) më 2 shtator, shënojnë përkushtimin e Kosovës për gjithëpërfshirje dhe shpresojmë se kjo do të ndikojë pozitivisht në pjesëmarrjen e subjekteve politike dhe votuesve nga komunitetet e ndryshme anembanë Kosovës, përfshirë këtu edhe ato në veri të Kosovës”.

Mëtutje në deklaratë theksohet se “gjithashtu mirëpresim faktin që mbi 100 parti politike, koalicione, iniciativa qytetare dhe kandidatë të pavarur nga e gjithë Kosova, kanë aplikuar për certifikim deri më 4 shtator, kur edhe ka skaduar afati për regjistrim. Llojllojshmëria e tillë e përfaqësimit është e rëndësishme për votuesit dhe konsolidimin e mëtejmë të demokracisë së Kosovës”.

Në fund, pesë vendet perëndimore inkurajojnë votuesit që jetojnë jashtë Kosovës të aplikojnë për ‘votim jashtë Kosovës’ deri në afatin e rishikuar të 10 shtatorit. Presim një fushate energjike dhe shpresojmë që në ditën e votimit të jemi dëshmitarë të pjesëmarrjes sa më të madhe të mundshme".
XS
SM
MD
LG