Ndërlidhjet

NYT: Siria nuk është Kosovë

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim


James Rubin, "New York Times"

Derisa kongresi i SHBA-ve e diskuton intervenimin në Siri, precedenti i NATO-s në fushatën bombarduese në Kosovë në vitin 1999 po citohet si justifikim për përdorimin e forcës ushtarake kundër qeverisë së Bashar al Assadit, shkruan në numrin e sotëm të së përditshmes amerikane "New York Times", James Rubin.

Ai thotë se Shtetet e Bashkuara duhet t’i përgjigjen ushtarakisht përdorimit të armëve kimike për vrasjen e qytetarëve të tij nga Assadi .

"Sidoqoftë, sa i përket ligjit dhe politikave, lufta e Kosovës nuk është një precedent për sulme ajrore kundër Sirisë".

"Është e vërtetë që Rusia e Kina kanë qenë kundër rezolutës në Këshillin e Sigurimit për të autorizuar përdorimin e forcës në Kosovë në vitin 1999, dhe ata sot e kundërshtojnë edhe rezolutën për Sirinë. Por deri këtu e ka kjo ngjashmëri", shkruan zoti Rubin.

Ai rikujton diskutimet e hollësime të ish sekretares së shtetit, Madeleine Albright me ministrin e jashtëm rus, Igor Ivanov, "në të cilat ajo e ka bërë të ditur nevojën e përdorimit të fuqisë ushtarake për të bindur Slobodan Millosheviqin që të ndalojë masakrimin e shqiptarëve të Kosovës dhe të pajtohet për një zgjidhje diplomatike të konfliktit".

"Sot, ndryshe prej asaj kohe, Moska furishëm e kundërshton propozimin amerikan për sulme ajrore kundër Sirisë, bile as që e pranon se Damasku ka përdorur armë kimike dhe raportohet se është duke i ofruar Damaskut informata të rëndësishme secrete për përgatitjet ushtarake amerikane".

Qasja amerikane në përgatitjen e politikave ka qenë dukshëm më ndryshe kësaj radhe, shkruan Rubin në NYT.

Vetëm së fundi ëashingtoni e ka filluar një programi modest trajnimi për opozitën siriane që raportohet se ka krijuar disa benefite të kufizuara për forcat opozitare siriane.

Në rastin e Kosovës, Rubin rikujton se presidenti Bill Clinton e kishte sqaruar nga fillimi se Amerika e ka përgjegjësi që të sigurojë stabilitet në Evropë dhe pengimin e sulmeve gjenocidiale kundër qindra e mijëra shqiptarëve të pafajshëm të Kosovës.

"Shtetet e Bashkuara më pas e patën avancuar një strategji diplomatike të përkrahur nga forca duke siguruar përkrahje nga të gjitha vendet evropiane dhe shumica e botës për të siguruar një paqe të drejt në të cilën të drejtat e serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës do të ishin të siguruara".

Duke punuar së bashku me përfaqësuesit e Evropës dhe Rusisë, Shtetet e Bashkuara e patën arritur një marrëveshje që shqiptarët e Kosovës e patën nënshkruar, kurse Millosheviq e pati refuzuar.

Vetëm atëherë, si mundësi e fundit, kishte nisur fushata ajrore kundër Serbisë.

Kjo strategji ka funksionuar sepse është mbështetur në legjitimitetin e Kombeve të Bashkuara dhe NATO-s që të sigurojë një të ardhme paqësore e demokratike për një rajon që ishte në luftë.

Sot, pas më shumë se një dekade, serbët dhe kosovarët kanë filluar të pajtohen; liderët e Serbisë dhe Kosovës së pavarur së fundi kanë nënshkruar marrëveshjen për të zgjidhur mos marrëveshjet e mbetura politike dhe ligjore.

Një rezultat i tillë në Siri është i diskutueshëm, thuhet në shkrim, duke rikujtuar edhe faktet se "Shtetet e Bashkuara dhe Evropa janë në kundërshtim me Moskën, Këshilli i Sigurimit është i bllokuar, NATO ka mbetur anash dhe Liga Arabe ka qenë jo efektive. Nuk ka strategji për të arritur një fundlojë stabile në të cilën paqeruajtësit do të dërgoheshin dhe rebelët do të carmatoseshin dhe premtimi për një konferencë paqësore në Gjenevë është shtyrë pafundësisht".

Sa i përket ligjit ndërkombëtar, Kosova gjithashtu nuk është një precedent.

"Si zëdhënës i Departamentit të Shtetit në vitin 1999, isha pyetur për një sqarim ligjor të përdorimit të forcës. I irrituar nga ankesat e paqarta të “parimeve të ligjit ndërkombëtar”, ne më në fund e hartuam një deklaratë ku shkruam një seri të shkeljeve të rezolutave të Kombeve të Bashkuara nga Serbia, rrezikun e madh për civilët, rrezikun me të cilën përballeshin vendet e NATO nga një luftë më e madhe dhe uniteti i Evropës, dhe më pas deklaruam se si rezultat ne kemi besuar se ka arsye substanciale dhe legjitime për veprim ndërkombëtar".

Verdikti i historisë për Kosovën ka qenë se ishte rast legjitim, por jo detyrimisht ligjor.

Nëse Amerika e sulmon Sirinë, rasti i ëashingtonit në ligjin ndërkombëtar do të jetë shumë më i dobët se sa që e kishte para 14 vjetësh.

"Nuk ka rezolutë të Shteteve të Bashkuara. Një organizatë rajonale si NATO nuk do të përfshihet në sulme ajrore. Dy pjesëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit janë tërësisht kundër intervenimit. Parlamenti britanik ka votuar që të mos bëhet pjesë".

"Një votim në Kongres do i krijonte zotit Obama më shumë legjitimitet sa i përket Kushtetutës amerikane dhe do i jepte atij përkrahje politike të brendshme që zoti Clinton asnjëherë nuk e kishte gjatë luftës së Kosovës".

Por, për ta fituar atë votim, administrata e Obamës do ta kishte shumë më mirë që të mos e përmend analogjinë e Kosovës, shkruan James Rubin.

Ai është i mendimit se Obama duhet të "përqëndrohet te çështja e armëve për shkatërrim në masë, megjithë rastin e Irakut".

"Duke përdorur armë kimike kundër burrave, grave e fëmijëve të pafajshëm, zoti Assad ka shkelur një nga ligjet më të vjetra, protokolin e vitit 1925 që e ndalon përdorimin e gazit helmues, të cilën e ka pranuar edhe Siria".

Dhe megjithëse nuk është e sigurt, sulmet ajrore do të ishin të mjaftueshme që të ndalojnë regjimin e Assadit për të përdorur armë kimike sërish. (a.haraçia)

* James P. Rubin, ka qenë asistent sekretar për çështje publike gjatë administratës së Clintonit, tani është i angazhuar në Institutin Amerikan Rothermere në Universitetin e Oxfordit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG