Ndërlidhjet

Krimet e rënda dhe veprat penale, shqetësim për sigurinë


Forenzika e Kosovës
Forenzika e Kosovës
Trafikimi me njerëz, kontrabandimi me emigrantë, trafikimi me narkotikë, ai me armë, krimi ekonomik dhe financiar dhe kërcënimet e ndryshme janë dukuritë, të cilat aktualisht janë duke e cenuar sigurinë në Kosovë, thanë zyrtarët e lartë në Policinë e Kosovës.

Drejtori i Departamentit për Hetimin e Krimit, Riza Shillova, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova në këtë rrafsh nuk dallon shumë nga vendet e rajonit sa i takon formave dhe llojeve të veçanta të krimit të rëndomtë dhe atij të organizuar.

“Trafikimi me qenie njerëzore, trafikimi me narkotikë, kontrabandimi me emigrantë, trafikimi me armë. Kemi veprat penale të korrupsionit ose të krimit ekonomik dhe atij financiar, të cilat në numër nuk janë më të mëdha se veprat e tjera penale që kanë të bëjnë me veprat penale kundër jetës dhe trupit siç janë për shembull kanosja, lëndimet trupore, tentim-vrasjet etj, megjithatë paraqesin kërcënimin më të madh për sigurinë në vend”, bëri të ditur Shillova.

Ai theksoi se Policia e Kosovës, marrë për bazë llojet e shpeshta të këtyre krimeve, ka politikat e saj për t'u përballur me këto veprime dhe për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve.

“Policia e Kosovës ka ndërtuar kapacitetet e veta ligjore ose institucionale në përballje me të gjitha këto forma të kriminalitetit”, theksoi Shillova.

Eksperti për çështje të sigurisë, Nuredin Ibishi, konsideron se rastet e ndryshme të krimit të organizuar, në vend janë shpeshtuar.

Ai tha se në këtë drejtim, autoritetet e rendit janë duke vepruar me mënyrën e duhur, por kritikon sistemin e drejtësisë për vonesën dhe mosshqyrtimin e lëndëve që kanë të bëjnë me krimet.

“Policia me sukses del në luftimin e tyre, por që në këtë dështojnë edhe Prokuroria edhe Gjyqësia, në kuptimin e asaj që në disa nga rastet që zbulohen, në një masë relativisht të konsiderueshme Prokuroria dhe Gjyqësia nuk ndërmarrin masat e duhura edhe në kuptimin e ngritjes së procedurave penale edhe shqiptimit të masave”, u shpreh Ibishi.

Ibishi theksoi se, vonesat për shqyrtimin e lëndëve që kanë të bëjnë me krimet e ndryshme, kanë ngecur për faktin se në sistemin e drejtësisë kanë ndodhur disa reforma, gjë që, sipas tij, kur bëhet fjalë për rastet e shpeshta si ato të krimeve të ndryshme, ato duhet të shqyrtohen me kohë.

“Krimi përherë duhet të ndiqet, po sidomos ai që është aktual. Ndërsa, për ato lëndë që kanë qenë edhe më herët, atëherë duhet të gjendet edhe mundësi, kohë dhe kapacitete që në një formë të mbulohen. Shqetësimi më i madh është se, aktualisht, po ndodhin këto raste të krimeve dhe këto kalojnë pa denoncim në kuptimin e asaj edhe ngecjet në realizimin apo procedimin e lëndëve”, theksoi Ibishi.

Mirëpo, Avdi Dinaj, gjyqtar në Gjykatën Supreme të Kosovës, tha se aktualisht nuk ka asnjë lëndë të krimeve penale që nuk është shqyrtuar.

"Gjykata Supreme në lëmin penal po thuajse prej fillimit të vitit është azhure, - azhure në kuptimin e përgjithshëm se nuk kanë pasur gjyqtarët më shumë se 20 lëndë në punë. Momentalisht, gjyqtarët në lëmin penal janë zero-zero. Do të thotë, të gjitha lëndët për krime e që janë në kompetencë të Gjykatës Supreme, janë të kryera”, tha Dinaj.

Ndryshe, dukuria e vjedhjeve nëpër pronat private të qytetarëve të Kosovës, kohëve të fundit ka shënuar rritje. Këto akte, sipas policisë, kryesisht ndërlidhen me vjedhjet nëpër shtëpi, banesa private apo edhe dyqane.

Nga ana tjetër, rastet e vjedhjeve nëpër pronat e ndryshme të qytetarëve, po shkaktojnë trauma dhe po rrisin mosbesimin në organet e rendit, thotë Agron Krasniqi nga Prishtina.

“Ne, si qytetarë, çdo herë jemi në dijeni me këto dukuri negative që po e kaplojnë shoqërinë. Dhe, kjo kuptohet fare mirë se te çdo qytetar ndihet një lloj paniku”, tha Krasniqi.
XS
SM
MD
LG