Ndërlidhjet

logo-print

Josipoviq: Mbështesim normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi


Presidenti Josipoviq dhe presidentja Jahjaga, 6 shtator 2013

Presidenti Josipoviq dhe presidentja Jahjaga, 6 shtator 2013

Kroacia e mbështet dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar sot në Prishtinë presidenti kroat, Ivo Josipoviq.

Këto komente, Josipoviq i ka bërë gjatë një konference të përbashkët me presidenten Atifete Jahjaga me ftesë të së cilës, presidenti kroat po qëndron në Kosovë në një vizitë tre ditëshe.

Me këtë rast, presidenti Josipoviq ka folur për marrëdhëniet e mira që kanë Kroacia dhe Kosova, duke falënderuar shumë shqiptarë të Kosovës që kontribuan si për pavarësimin e këtij vendi e deri tek ditët e sotme kur këta qytetarë që sot gëzojnë shtetësinë kroate japin kontributin e tyre për zhvillimin e shtetit kroat.

Josipoviq tha se e mbështet plotësisht edhe normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si një proces i domosdoshëm për integrimin e tyre në Bashkimin Evropian.

“Republika e Kroacisë mbështet fuqishëm bisedimet që po zhvillojnë Republika e Kosovës dhe ajo e Serbisë dhe konsiderojmë që përparimi i bërë është shumë i rëndësishëm dhe i përgëzojmë të dyja palët. Këto bisedime do të duhej të sillnin si rezultat normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis dyja vendeve në rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, ka thënë Josipoviq.

Ndërkohë, presidentja Jahjaga e ka përgëzuar edhe njëherë presidentin Josipoviq për anëtarësimin e Kroacisë në Bashkimin Evropian.

“Kjo është një e arritur për Kroacinë por edhe gjithë rajonin”, ka nënvizuar Jahjaga.

Në këtë aspekt, Jahjaga ka kërkuar nga Josipoviq mbështetjen e Zagrebit zyrtar në çështjet që kanë të bëjnë me përfaqësimin dhe anëtarësimin e Kosovës në nismat dhe konferencat rajonale.

“Kërkova nga Presidenti Josipoviq që Republika e Kroacisë të na përkrahë në anëtarësimin e Kosovës në të gjitha nismat dhe organizatat rajonale, duke e konsideruar se Kosova në këtë mënyrë do ta japë kontributin e plotë si subjekt i barabartë ndërkombëtar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dhe në bashkëpunimin bilateral dhe multilateral që nxit komunikimin dhe përmirëson jetën dhe punën e qytetarëve, si dhe jep kontribut në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit”, ka thënë Jahjaga.

Si presidentë të dy vendeve që kanë marrëdhënie të mira, Jahjaga dhe Josipoviq janë angazhuar për bashkëpunim të ngushtë ekonomik e tregtar.

Presidentja Jahjaga ka premtuar se Kosova do t’i njeh komunitetit kroat statusin e pakicës kombëtare dhe njëherësh do t’i siguroj këtij komuniteti përfaqësim në institucionet e larta siç është Kuvendi.

Pas takimit me presidenten Jahjaga, Josipoviq është pritur edhe nga kryeministri Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Në një komunikatë me shkrim të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit thuhet se të dy bashkëbiseduesit, vlerësuan lartë raportet ndër shtetërore dhe u angazhuan për thellimin e bashkëpunimit.

Gjatë ditës, presidenti Josipoviq ka vizituar qytezën e Janjevës ku jeton një numër i pjesëtarëve të komunitetit kroat në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG