Ndërlidhjet

Diktatorët në Instagram

  • Heather Maher

Asma al-Assad, foto nga arkivi

Asma al-Assad, foto nga arkivi

Po të mos e dinit kush është, gruan në fotografitë që mund t'i shihni në ndërlidhjet e mëposhtme, do të mund ta përshkruanit si një person që bashkëndjen dhe kujdeset për refugjatët, një person që përqafon gratë e moshuara dhe buzëqesh me fëmijët.

Është Asma al-Assad, burri i së cilës, Bashar al-Assad, është tash e dy vjet në krye të një lufte të përgjakshme civile në Siri, e cila ka lënë 100, 000 sirianë të vdekur dhe ka zhvendosur dy milionë vetë nga shtëpitë e tyre.

Fotografitë e reja të Asmas janë vendosur në faqen e Instagramit, në profilin “Presidenca Siriane”, ndërkohë që komuniteti ndërkombëtar po merret me hartimin e masave të ndëshkimit për burrin e Asmas, i cili dyshohet të ketë përdorur armatimit kimik.

​Strategjia prapa këtyre fotografive mund të jetë përçimi i mesazhit se “asgjë e jashtëzakonshme nuk është duke ndodhur”. Por, duket se është një përpjekje e kotë.

Fotografitë e fundit të zonjës së parë siriane, nga mediat ndërkombëtare, janë cilësuar si të “neveritshme” dhe “bizarre”.

Në internet, ato kanë grumbulluar një numër komentesh zemërimi, shumica e të cilave nuk mund të publikohen për shkak të gjuhës së përdorur. Disa janë në gjuhën arabe, e disa në gjuhën angleze.

Asma në një kamp refugjatësh, gusht 2013

Asma në një kamp refugjatësh, gusht 2013

Në njërën nga fotografitë e Asmas, e cila ndryshe ka lindur në Britani, e në të cilën ajo shihet duke i dhënë supë një adoleshenti, një person nga Britania ka shkruar:

“Jam i bindur se [e redaktuar] ke helmuar këtë djalë pas këtij ushqimi që i ke dhënë ose mbase ke helmuar ushqimin e tij. Më vjen turp të jem britanik si ti, nëse ti ke ende nënshtetësinë britanike. Dhe Asma, nëse vendos të kthehesh [e redaktuar] në Britaninë e Madhe, do të largohesh [e redaktuar] në kuti, do të digjesh në ferr…”

Një fotografi tjetër e Asmas tregon se si ajo “luan” basketboll me një fëmijë të vogël.

“E kuptoj. I poston këto fotografi fëmijësh para se t’i helmosh me armë kimike, në mënyrë që t’i kujtosh përgjithmonë. Sa ëmbël”.

Ironia s’merr fund këtu. Në fotografi, zonja e parë siriane, 38 vjeç, teksa ushqen refugjatët, në dorë mban një byzylyk elektronik, e me të cilin personat që duan t’I kushtojnë kujdes linjave trupore, masin konsumin dhe djegien e kalorive në ditë.

Por, kjo nuk është hera e parë që Asma ka shfrytëzuar një platform mediale, për të forcuar pozitën e saj në rrafshin ndërkombëtar. Në pranverën e vitit 2011, pikërisht në kohën kur regjimi sirian kishte filluar shtypjen e përgjakshme të protestuesve, revista e mirënjohur amerikane “Vogue” i bën asaj një profil të jashtëzakonshëm, duke e quajtur “Një Trëndafil Në Shkretëtirë” [A Rose In The Desert].

Më vonë u zbulua se qeveria siriane kishte paguar një kompani lobuese në SHBA për ta pauar revistën “Vogue” 5,000 dollarë amerikanë, në mënyrë që të botojë artikullin.

Redaktorët e revistës, të turpëruar, filluan ta tërheqin tekstin nga faqja e tyre e internetit dhe tash qarkullon një version i vetëm që ka mbetur, e të cilin mund ta shihni duke klikuar këtu. (a.v.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG