Ndërlidhjet


Inflacioni godet të gjitha shtresat, por më së shumti ato familje ku të ardhurat mujore janë të pakta apo jetojnë me ndihmë sociale. Viteve të fundit në Kosovë ka pasur ngritje të çmimeve të produkteve të konsumit. Në vitin 2012 inflacioni në Kosovë kishte qenë 2.5 për qind.

Në Rubrikën “Vetëmenaxhim” të këtij edicioni, ekspertët e ekonomisë, profesor Berim Ramosaj dhe Naim Gashi, të angazhuar në këtë rubrikë, do të flasin për këtë fenomen.

Ata do të tregojnë arsyet e inflacionit dhe problemet për buxhetet familjare që vijnë nga ngritja e çmimeve.

Agjencia e Statistikave të Kosovës

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të përballen me ngritje të vazhdueshme të çmimeve të konsumit. Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet e konsumit në Kosovë u ngritën për 2.3 për qind në muajin korrik të vitit 2013, krahasuar me muajin korrik të vitit 2012.

Ngritje e çmimeve vërehet te nëngrupet perimet, pemët, duhani, shërbimet bankare, mishi, qumështi, djathi, vezët, vajrat dhe yndyrat, dhe veshmbathja.

Se çka është inflacioni dhe cilat janë shkaqet e tij, në vazhdim ju ftojmë ta ndiqni ekspertin e ekonomisë Naim Gashi.

NAIM GASHI
Inflacioni nënkupton ngritjen e çmimeve të një ekonomie nacionale, brenda një viti. Inflacioni ngërthen në vete zhvlerësimin e parasë nacionale, që në Kosovë është euro. Nëse në vitin 2012 ka pasur një inflacion 2.5 për qind nënkupton që 100 euro të vitit 2011 në vitin 2012 kanë mbetur 97.5 euro.

Inflacioni tregon një rënie të fuqisë blerëse të një ekonomie nacionale, një reduktim të prodhimit të brendshëm dhe një dominim të indikatorëve të jashtëm makroekonomik, që në rastin e Kosovës indikatori kryesor është importi që godet pamëshirshëm ekonominë e Kosovës në mungesë të kapaciteteve prodhuese vendore.

Menaxhimi i parave përballë inflacionit

NAIM GASHI
Këshilla kryesore sa i përket menaxhimit të kësaj situate, qytetarët individualisht kanë mundësi jashtëzakonisht të vogël për të luftuar këtë dukuri. Inflacioni në çdo ekonomi në botë ndahet në njëshifror dhe dyshifror. Inflacioni një shifror (një deri në dy për qind) nuk është i dëmshëm për ekonomitë nacionale për arsye se e rritë konkurrueshmërinë e produkteve të një ekonomie në raport me botën e jashtëm.

Inflacioni në momentin që kalon dy për qind e të mos flasim për atë dyshifror që është 10 për qind e më shumë, është shkatërrues për ekonominë nacionale, për arsye se valuta kombëtare e atij shteti humb besimin e qytetarëve fillimisht, bizneseve të ekonomive të atij vendi dhe investitorëve potencial.

Në një ekonomi ku ka inflacion është vështirë që të inkurajohen investimet e jashtme e pa investime të jashtëm në vendet në tranzicion, siç janë vendet e Ballkanit dhe ne në Kosovë është e pamundur të mendohet zhvillimi ekonomik.

Qytetarët individualisht kanë mundësi të vogla. Për dallim nga vendet tjera në Kosovë nuk është i rregulluar raporti Qeveri - biznese - punëtorë, sa i përket shkallës së inflacionit.

Për shembull në Gjermani, ta zëmë, në fund të vitit nëse shkalla e inflacionit, siç ka qenë tek ne 2.5 për qind, atëherë me automatizëm të gjitha pagat në sektorin publik dhe privat ngrihen për 2.5 për qind, mirëpo ajo nuk quhet ngritje, por vetëm quhet nivelizim i pagave në raport me inflacionin.

Nuk është ngritje nëse një pagë në Kosovë në vitin 2012 në krahasim me vitin 2011 dhe në krahasim me vitin 2013 është 2.5 për qind më e ultë për arsye se kemi një ngritje të çmimeve ndërsa pagat kanë mbetur në pozicion në të cilin vetëm kanë qenë.

Sa i përket inflacionit, e vetmja kategori shoqërore e cila mund të mbrohet janë punëtorët, qoftë në sektorin publik apo privat. Gjithkund në vendet e botës ekziston një marrëveshje Qeveri - komuniteti i biznesit dhe përfaqësuesit e sindikatave, dhe në fund të vitit barazohet inflacioni me nivelin e pagave.

Në rastin e Kosovës nuk po ndodh për arsyeje se nëse e marrim nga viti 2001 e tutje mesatarja e inflacionit ka qenë diku më e lartë, diku më e ulët që sillet nga 2 deri në 3 për qind do të thotë që nëse pagat në Kosovë janë ngritur ta zëmë 10 apo 20 për qind atëherë ia zbresim inflacionin neve na bie që i kemi ngritur pagat për 3 apo 4 për qind.

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, vlerëson se inflacioni nuk është faktor i goditjeve, sepse Kosova, siç thotë ai, nuk është vend me inflacion të lartë, por problemi qëndron në ngritjen artificiale të çmimeve.

BERIM RAMOSAJ
Nuk ka inflacion të lartë karshi formave tjera siç bëhet ngritja artificiale e çmimeve. Ne jemi pjesë e eurozonës që e shfrytëzojmë valutën euro, por nuk jemi pjesë e eurozonës në kuptimin institucional.

Andaj, Kosova nuk e ka atë komoditet të përcaktojë sasinë e parave në qarkullim në Kosovë, pasi që nuk jemi pjesë e eurozonës por vetëm e shfrytëzojmë euron. Këtë mundësi na e ka dhënë Evropa në kuptimin e asaj që të mos degradojmë ekonominë për shkak të ndonjë politike ekonomike jo stabile monetare.

Euroja ka qenë një garanci se nuk do të ketë imitim të parasë pa kontroll. Ne e kemi shfrytëzuar euron shumë mirë në kuptimin e mbajtjes së një disipline financiare në Kosovë, por nuk jemi pjesë e eurozonës. Kosova edhe pse nuk ka politikë monetare në njëfarë forme është duke u ruajtur qëndrueshmërinë financiare në kuptimin e sasisë së parave në qarkullim.

Paraja është si mall, si çdo mall tjetër krijon ofertë në treg ose krijon kërkesë në treg. Kur ka mungesë të parave, normal që kërkesa për të është më e madhe, kur ka sasi më shumë në qarkullim oferta është më e madhe se sa kërkesa dhe ka rritje të çmimeve.

Rritja e çmimeve në Kosovë nuk është si rezultat i inflacionit rritjes së sasisë së parave në qarkullim, por përkundrazi është rezultat i kërkesës gjithmonë në rritje dhe shfrytëzim i ofertuesit potencial për mallra dhe shërbime që janë kryesisht mallrat e importuara. Ato mallra të importuara kanë një çmim më të lartë në krahasim me mallrat e pa importuara që janë prodhime vendore.

Duke marrë parasysh që Kosova gjithnjë po bëhet importuese shumë e madhe ne jemi eksportues të mëdhenj të parasë se freskët. Të gjitha parat e freskëta të kosovarëve barten në shtete tjera. Shumica e parave që fitohen në Kosovë ato financojnë bizneset që na sjellin neve produkte të huaja.

Si faktorë tjerë i ngritjes së çmimeve është edhe pozita monopolistike që kanë bizneset në Kosovë. Në shumicën e rasteve ofertuesit e produkteve të ndryshme sillen si monpolosite dhe e zotërojnë tregun.

Ndërhyrja shtetërore

BERIM RAMOSAJ
Në vendet e tjera ku udhëhiqen politika të mirëfillta ekonomike shteti për aq sa mundet mundohet që përmes politikave ekonomike qoftë subvencioneve apo mirëqenies bëjnë subvencione nga buxheti i saj, e tek në kjo nuk ka ndodhur.

Në qoftë se nuk ndërhyn shteti për ruajtjen e e mirëqenies së qytetarit sidomos qytetarëve me të ardhura të vogla ata i nënshtrohen të rrezikut të jetojnë më keq apo i nënshtrohen rrezikut të mbijetesës.

Kjo mungesë e politikës ekonomike karshi qytetarit bën që të ketë ngritje artificiale të çmimeve dhe rënie e buxhetit familjar për çdo ditë.

Lisa e çmimeve për disa artikuj dhe shërbime në Kosovë:

ARTIKUJT
NJËSIA MATËSE VITI 2013
ÇMIMET - €
Oriz 1 kg 1.28
Miell gruri 1 kg 0.41
Bukë e bardhë 500 gr 0.37
Mish gjedhi 1 kg 6.20
Mish viçi 1 kg 6.97
Mish pule 1 kg 2.84
Qumësht 1 lit 0.91
Jogurt 1 lit 0.94
Vezë 30 copë 2.54
Vaj ushqimor 1 lit 1.49
Banane 1 kg 1.04
Patate 1 kg 0.65
Domate 1 kg 0.53
Fasule 1 kg 2.45
Speca 1 kg 0.76
Sheqer 1 kg 0.77
Kafe e bluar 1 kg 7.05
Çaj 1 kg 5.18
Uji mineral 1 lit 0.34
Birrë 0.5 lit 0.56
Dizel 1 lit 1.25
Rryma elektrike 1 kwh 0.046
Dru për djegie 1 m3 32.68
Benzinë 1 lit 1.26
Cigaret 1 pako 1.14 - 2.00
GJITHSEJ 80.166

Në edicionin e gjashtë të rubrikës sonë ju ftojmë të ndiqni intervistë me Jan Peter Olters, menaxher për Kosovën nga Banka Botërore.

Ai do të flasë për rubrikën "Vetëmenaxhim" dhe do të japë këshilla për menaxhimin e financave.

Pyetjet tuaja mund t’i dërgoni në forumin e kësaj rubrike.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG