Ndërlidhjet

logo-print

Rrezikohet shëndeti i konsumatorit, s'vepron shteti


Ilustrim

Ilustrim

Shitja e produkteve me afat të skaduar në tregun e Kosovës, është shndërruar në një fenomen shqetësues, që rrezikon direkt shëndetin e qytetarëve, thonë përfaqësues të Organizatave Joqeveritare që merren me luftimin e kësaj dukurie dhe qytetarë.

Ardiana Kastrati, qytetare, tregon për blerjen e një produkti, i cili ka qenë me afat të skaduar dhe, siç thotë ajo, kishte rrezikuar shëndetin e saj.

“Më ka ndodhur që e kam marrë një produkt afat me afat të skaduar dhe që kam përfunduar në spital. Tani që nga ajo ditë jam më e kujdesshme. Por, unë mendoj se duhet të bëhet një kontroll më i madh nga institucionet dhe një produkt i tillë me afat të skaduar, të mos jetë i pranishëm në treg”, tregon për Radion Evropa e Lirë Ardiana Kastrati.

Ndërkaq, Edona Berisha, qytetare, mendon se në marketet e vogla mund të hasësh më shumë produkte me afat të skaduar apo me cilësi të dyshimtë.

“Mendoj që produktet më të sigurta mund t’i gjesh në marketet e mëdha, ndoshta për shkak se ka më shumë konsumatorë që i frekuentojnë, derisa në marketet e vogla aty mund të gjesh produkte me afat të skaduar”, thotë ajo.

Kosova ka krijuar të gjithë mekanizmat për mbrojtjen e konsumatorëve. Që nga viti 2001 ekziston Ligji për mbrojtjen e konsumatorit në Kosovë. Ky ligj përcakton, rregullon dhe mbron të drejtat themelore të konsumatorëve gjatë blerjes së mallrave, shërbimeve dhe formave të tjera në tregun e lirë.

Numri për paraqitje të ankesave të konsumatorëve

Numri për paraqitje të ankesave të konsumatorëve

Ligji siguron mbrojtjen e shëndetit, mjedisit dhe interesave ekonomike të konsumatorit.

Departamenti për mbrojtjen e konsumatorit, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, siguron zbatimin e legjislacionit në fushën e mbrojtjes së konsumatorit dhe, po ashtu, pranon ankesat e qytetarëve dhe bën zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve.

Numri i ankesave të qytetarëve për produkte me afat të skaduar, sipas zyrtarit për informim në MTI, Bajram Shala, ka shënuar ngritje krahasuar me vitet e kaluara.

Sipas Shalës, që nga janari i këtij viti, deri më tani janë regjistruar 187 ankesa.

“Më se shumti ankesat kanë të bëjnë me skadimin e afatit të produkteve. Produktet me afat të skaduar zakonisht janë ato të importuara, derisa ka një numër të vogël të ankesave për produktet vendore”, thotë Shala për Radion Evropa e Lirë.

Vlerësimet e shumta të bëra nga organizata të ndryshme joqeveritare tregojnë se pikat kufitare me Serbinë në veri të Kosovës paraqesin portën kryesore të hyrjes së produkteve me cilësi të dyshimtë dhe me afat të skaduar.

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës thonë se janë duke punuar vazhdimisht për arritjen e standardeve evropiane për mbrojtjen e konsumatorit.

Megjithatë, kryetari i Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, thotë për Radion Evropa e Lirë, se institucionet e Kosovës nuk kanë vepruar sa duhet për të mbrojtur konsumatorin.

Sipas Kaçanikut, konsumatori në Kosovë vazhdon të mbetet i rrezikuar nga produktet e dyshimta dhe i pambrojtur nga shteti.

“Nëse ne i krahasojmë ankesat e qytetarëve me numrin e paraqitjeve të tyre, numri është i vogël. Kjo dëshmon se institucionet akoma as për së afërmi nuk i kryejnë obligimet e tyre kushtetuese dhe ligjore”, thotë Kaçaniku.

Angazhimi për mbrojtjen e konsumatorit kosovar është kërkuar edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë. Në raportet e tyre ata kishin theksuar nevojën për angazhim më të fuqishëm institucional në këtë drejtim.

Përveç Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit në Kosovë ekziston edhe programi i hartuar nga Qeveria e Kosovës për mbrojtjen e konsumatorit 2010 - 2015.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG