Ndërlidhjet

Thaçi me udhëheqësit politikë të Tiranës


Edi Rama (majtas) dhe Hashim Thaçi

Edi Rama (majtas) dhe Hashim Thaçi

Shqipëria dhe Kosova u angazhuan sot për të forcuar më tej bashkëpunimin dypalësh.

Kjo u konfirmua në përfundim të takimit mes kryeministrit të ardhshëm shqiptar Edi Rama dhe atij të Kosovës Hashim Thaçi, ndërsa u paralajmërua dhe organizimi së shpejti i një mbledhjeje të përbashkët të të dy qeverive.

“Jemi dakorduar që gjatë muajit nëntor të mbajmë edhe mbledhjen e parë të dy kabineteve qeveritare të Shqipërisë dhe të Kosovës në Prizren. Gjithashtu të angazhohemi edhe për festimin e 101-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Ndërsa do të punojmë bashkërisht që të kemi angazhime edhe më të mëdha, edhe më të shpejta, edhe më efektive, më efikase, edhe për Shqipërinë europiane, edhe për Kosovën europiane”, tha zoti Thaçi.

Nga ana e tij zoti Rama i cili do të vizitojë Prishtinën menjëherë pasi qeveria e tij të votohet në parlament, tha se mbledhjet e përbashkëta mes dy kabineteve do të jenë një traditë.

Ai vlerësoi qeverinë e Kosovës për bisedimet dhe marrëveshjen me Beogradin e cila sipas zotit Rama hap një epokë të re edhe për rajonin.

Të njëjtin vlerësim për zotin Thaçi dhe qeverinë e tij bëri me herët edhe kryeministri Sali Berisha, i cili mori falenderime për mbështetjen që Tirana i ka dhënë Prishtinës në të gjitha fazat e rëndësishme që ajo ka kaluar si dhe për njohjet ndërkombëtare. Një falenderim i vecantë i zotit Thaçi ishte për realizimin nga ana e qeverisë së zotit Berisha të Rrugës së Kombit, autostradës që lidh tanimë të dy vendet, duke shkurtuar ndjeshëm distancën mes dy kryeqyteteve.

Në Tiranë zoti Thaçi ka zhvilluar edhe takime të tjera, me presidentin Bujar Nishani, me kryetarin e partisë demokratike Lulëzim Basha dhe kryetarin e LSI-së Ilir Meta.


*Ky tekst fillimisht u publikua në VOA.

XS
SM
MD
LG