Ndërlidhjet

Syla: Buxheti për shëndetësi, sfida kryesore


Skënder Syla
Skënder Syla

"Për të performuar një sistem në mënyrë të mirëfilltë, nevojiten katër hallka: qeverisja e mirë e sistemit shëndetësor, financimi i qëndrueshëm, ofrimi i shërbimeve cilësore, si dhe pajisja e kuadrit adekuat dhe kompetent shëndetësor për ta mbajtur këtë sistem", thotë në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, Skënder Syla, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Syla, si e vlerësoni sistemin shëndetësor aktual në Kosovë?

SKËNDER SYLA
Sistemi shëndetësor aktual në Kosovë ballafaqohet me probleme e vështirësi, por njëkohësisht janë bërë edhe hapa të rëndësishëm drejt përmirësimit të gjendjes aktuale.

Për të performuar një sistem në mënyrë të mirëfilltë, nevojiten katër hallka: qeverisja e mirë e sistemit shëndetësor, financimi i qëndrueshëm, ofrimi i shërbimeve cilësore, si dhe pajisja e kuadrit adekuat dhe kompetent shëndetësor për ta mbajtur këtë sistem.

Me ligjet, të cilat janë hartuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe aprovuar nga Parlamenti i Kosovës, ka një optimizëm se gjendja do të ndryshojë në të ardhmen në drejtim pozitiv, për shkak se do të krijohet një mekanizëm i llogaridhënies në mes të institucioneve dhe bartësve të institucioneve shëndetësore.

Po ashtu, edhe me themelimin e Fondit të sigurimeve shëndetësore, pritet që buxheti për shëndetësi të jetë më i lartë sesa që është aktualisht, por njëkohësisht do të jetë më i qëndrueshëm sa i përket avancimit të mëtutjeshëm të shërbimeve shëndetësore.

Në anën tjetër, dua të përmend se sistemi shëndetësor nuk duhet të vlerësohet vetëm brenda mureve të institucioneve shëndetësore, por në të gjitha drejtimet dhe aktivitetet që i ndërmerr Qeveria për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Në këtë kuadër, bën pjesë infrastruktura e përgjithshme, kualiteti i ajrit, i ujit, i vendbanimeve dhe të gjitha këto janë elemente që e përmirësojnë shëndetin e popullatës në Kosovë.

Do ta përmendi gjithsesi hartimin dhe zbatimin e Ligjit për kontrollin e duhanit, i cili do të ketë një efekt shumë pozitiv te qytetarët e Kosovës, sidomos joduhanxhinjtë që kanë qenë të ekspozuar në tym duhani. Ne presim që ky ligj të ketë efektet e veta pozitive edhe te duhanxhinjtë, për arsye se numri më i madh i rasteve të kancerit të mushkërive, por edhe sëmundjet e zemrës, enëve të gjakut, mund t’i atribuohen në një masë të madhe efekteve të dëmshme të duhanit. Edhe këtë e vlerësoj si të arritur në kuadër të shëndetit publik.

RADIO EVROPA E LIRË
Ku mendoni se qëndrojnë problemet më të mëdha në shëndetësi?

SKËNDER SYLA
Problemet aktuale janë ato që po barten nga viti në vit. Kryesisht janë menaxhimi jo i mirë i institucioneve shëndetësore, pastërtia dhe higjiena nuk janë në nivelin e duhur, mirëmbajtja e pajisjeve që janë të domosdoshme në punën e përditshme për diagnostikim, po ashtu duhet të ketë një kontroll të institucioneve shëndetësore private në Kosovë, për arsye se nuk mjafton vetëm licencimi për t’u hapur një ordinancë, por duhet të ketë kontrolle të rregullta, në mënyrë që shërbimet mjekësore që marrin pacientët, të jenë të bazuara në evidencë dhe në parime etike mjekësore dhe nuk ka shkelje të tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se me buxhetin që po i ndahet shëndetësisë prej shumë vjetësh, do të ketë ndryshime pozitive?

SKËNDER SYLA

Në vitin aktual ka pasur një ngritje të buxhetit për shëndetësi. I njëjti trend pritet edhe gjatë vitit të ardhshëm. Me aprovimin e Ligjit për sigurime shëndetësore parashihet edhe themelimi i fondit për sigurime shëndetësore, ku Qeveria duhet fillimisht të alokojë edhe një sasi optimale të mjeteve materiale, por edhe me fillimin e kontributit të qytetarëve që duhet të jenë të siguruar, kuptohet ata që kanë mundësi, sepse është edhe tjetra kategori me asistencë sociale, të cilët do të jenë të liruar.

Unë besoj se do të ketë një trend të rritjes dhe aspekti i financimit do të shkojë në mënyrë progresive nga viti në vit, duke u rritur. Financimi dhe buxheti është një dimension, kurse llogaridhënia dhe qeverisja e mirëfilltë e këtyre mjeteve është një aspekt tjetër që në këtë drejtim mendoj se Ministria e Shëndetësisë është duke bërë hapa adekuat drejt hartimit të strategjive dhe planeve të veprimit, të cilat do t’i adresojnë këto aspekte të sistemit shëndetësor në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Prej pas luftës në Kosovë kanë hyrë ndihma dhe është investuar mjaft në sistemin shëndetësor. Por, aktualisht, në institucionet shëndetësore nuk po vërehen përmirësime. Gjendja në shëndetësi është mjaft e rëndë. Si e komentoni ju këtë?

SKËNDER SYLA
Është e vërtetë që investimet më të mëdha në infrastrukturën e sistemit shëndetësor kosovar kanë qenë në periudhën pas konfliktit në vitet 2000- 2001, sepse në bazë të disa vlerësimeve që i kanë bërë disa organizata joqeveritare që kanë ardhur në Kosovë, por të koordinuara edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, pothuajse 70 për qind e infrastrukturës shëndetësore kanë qenë në gjendje të atillë që ka qenë e pamundur për t’u përdorur në mënyrë optimale pa investime.

Dhe, duhet cekur se miliona janë investuar për t’u rehabilituar ajo infrastrukturë dhe për t’u pajisur me mjete që janë të domosdoshme për punën e përditshme, dhe sot ne mund të themi se në secilin cep të Kosovës ka ambulancë, në kuadër të kujdesit shëndetësor, të cilat janë në mënyrë optimale dhe qasja nuk është problem.

Ky investim ka qenë i menaxhuar mirë sa i përket infrastrukturës, por investimi afatgjatë që është bërë në Kosovë, është ngritja e kuadrove shëndetësore. Në këtë kuadër, kemi ndihmuar në trajnime të ndryshme si ato për shëndetin e nënës dhe fëmijës, ato për shëndetin mendor.

Mendoj që janë bërë hapa të mirë, por prapë mbetet një pikë që duhet të përmirësohet në të ardhmen, si furnizimi me barna dhe kontrolli i sistemit farmaceutik. Ne jemi dëshmitarë se sot mund të shkojmë në secilën barnatore dhe të blejmë çfarëdo bari. Kjo duhet të ndryshojë në të ardhmen, sepse e dëmton shëndetin publik.

Një antibiotik nëse merret pa indikacione të mirëfillta mjekësore, mund të bëjë më shumë dëm, sesa dobi. Dëmi është i përgjithshëm, sepse shkaktohen soje rezistente e që nuk do të kemi armë t’i luftojmë. Andaj, duhet që Ministria e Shëndetësisë dhe Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale, të kontrollojnë në mënyrë strikte qarkullimin e barnave dhe përshkrimin e tyre.

Mirëpo, te ne është një fenomen që shpeshherë mjekët, të cytur nga kompanitë e ndryshme farmaceutike, përshkruajnë barna pa indikacione mjekësore. Derisa ana tjetër është se qytetarët shkojnë edhe vetë blejnë barna në barnatore.
XS
SM
MD
LG