Ndërlidhjet

Progres në të bërit biznes


Ambienti afarist në Kosovë ka shënuar progres në vitin 2013, vlerësojnë përfaqësues të institucioneve të Kosovës. Ata thonë se në raportin e radhës të Bankës Botërore “Të bërit biznes”, do të radhiten shumë më lart krahasuar me vitet e kaluara.

Raporti i Bankës Botërore “Të bërit biznes” pritet të publikohet në muajin tetor të këtij viti.

Vlerësimi i këtij raporti bazohet në 11 indikatorë: fillimi i biznesit, marrja e lejes për ndërtim, sigurimi i energjisë elektrike, regjistrimi i pronës, marrja e kredisë, mbrojtja e investitorëve, pagesa e taksave, zbatimi i kontratave, zgjedhja e pamundësisë së borxhit, tregtia përmes kufjeve dhe punësimi i punëtorëve.

Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë duke e konsideruar përkrahjen e sektorit privat si prioritet të politikë- bërjes, thonë se kanë ndërmarrë një mori masash për përmirësimin e ambientit për të bërë biznes, duke e shkurtuar kohën, procedurat dhe shpenzimet për fillim të biznesit.

Këshilltarja për media në MTI, Arta Istrefi, thotë se janë duke punuar në vazhdimësi për përmirësimin e ambientit për të bërë biznes dhe në periudhën afatmesme, deri në vitin 2014, synohet arritja në top 40 reformatorin sipas raportit vlerësues të Bankës Botërore.

“Ne kemi vazhduar me marrjen e reformave për përmirësimin e ambientit për të bërë biznes, dhe në indikatorin e fillimit e të biznesit shpresojmë të rangohemi shumë më mirë në këtë vit, për faktin se tani kemi hapur 27 qendra për regjistrim të biznesit, ku të gjitha shërbimet për regjistrim të biznesit mund të kryhen në një vend brenda një afati të shkurtër kohor”, bën të ditur Istrefi.

Kosova, që prej përfshirjes në raportin e Bankës Botërore “Të bërit biznes”, për herë të parë kishte shënuar përparim vitin e kaluar.

Në raportin e fundit Kosova kishte zënë vendin e 98-të, në krahasim me vendin e 117-të, sa kishte qenë në vitin 2011.

Në këto vlerësime të Bankës Botërore, Kosova ishte kritikuar për ambient të pafavorshëm biznesor.

Përfaqësues të bizneseve në Kosovë thonë se autoritetet e Kosovës nuk kanë ndërmarrë masa të duhura për përmirësimin e indikatorëve ku kishte pasur kritika më të mëdha.

Berat Rukiqi
Berat Rukiqi
Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se në aspektin e procedurave administrative ka përmirësime, por problem mbetet mosmiratimi i Ligjit për investitorët e huaj dhe çështja e lejeve të ndërtimit.

“Mendoj që ambienti afarist duhet të jetë në përmirësim të vazhdueshëm. Në aspektin pozitiv mbeten procedurat administrative ku ka pasur një lehtësim dhe ka pasur efekt. Por, efektet më të mëdha priten që të ketë siguri juridike më të madhe për investitorët dhe një sektor tjetër që ka rendi është çështja e sigurimit më të shpejtë të ndërtimit”, thekson Rukiqi.

Rukiqi thotë se Kosova duhet të marrë masa konkrete për përmirësimin e ambientit afarist. Sipas tij, ka shumë mangësi në këtë fushë nëse bëhet një krahasim me vendet e rajonit.

“Në përgjithësi, në raport me ambientin biznesor në shumë aspekte, sidomos te rendi dhe ligji na mbetet shumë për të bërë që të jemi në hap me vendet e rajonit”, shprehet Rukiqi.
XS
SM
MD
LG