Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Vazhdon embargoja nga Kosova



Vazhdon embargoja për dhjetëra prodhime maqedonase, të cilat tentuan të hyjnë në tregun kosovar.

Mësohet se kompanitë më të goditura janë ajo e Prilepit “Vitaminka” dhe “Evropa” e Shkupit, që merren me prodhimin e ëmbëlsirave dhe prodhimeve tjera nga mielli dhe qumështi.

Një tregtar, i cili ishte detyruar të qëndrojë për dy ditë në kufi, të shtunën vendosi të kthejë mallin në magazinë nga frika se prishet si pasojë e kushteve klimatike:

”U detyrova që ta kthej mallin. Po duket për shkak të disa problemeve që kanë dalë me eksportin e miellit”.

Nga cila firmë jeni?

"Nga 'Vitaminka' ”...

Do të thotë s`arrini dot që mallrat e kompanisë suaj t`i futni në Kosovë?

“Jo vetëm të kompanisë sime ‘Vitaminka’, por jo zyrtarisht mësova se për shkak të problemeve me miellin s`mund ta realizojnë dërgesën të gjitha mallrat nga Maqedonia”.

Sa kohë jeni në shpedicion?

Sot në mëngjes erdha këtu derisa nga ana e Kosovës kam pritur që nga mbrëmja e së mërkurës. Unë punoj qe dy vjet, transportoj dy deri tri herë në javë dhe s’kam pasur asnjëherë probleme”, thotë shoferi që transportonte mallrat e “Vitaminkës” së Prilepit.

Por, probleme të kësaj natyre nuk kanë tregtarët kosovarë, të cilët i takuam në Doganë, në vendkalimin kufitar në Bllacë

“Ne jemi nga Kosova. Sot është dita e parë që kur janë vënë ndalesat dhe ende s’e dimë si do të jenë efektet”.

Ju keni sjellë mall këtu në Maqedoni?

”Po kemi sjell asfalt, s`kemi pasur kurrfarë problemi, i kemi në procedurë letrat dhe po presim, gjithçka është në rregull, nuk kemi pasur kurrfarë vështirësie”, thotë një përfaqësues i firmës kosovare “Eskavator”.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Menderes Kuçi, duke komentuar embargon kosovare për më shumë prodhime nga Maqedonia, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se faji për bllokadën tregtare nga Kosova i përket Qeverisë në Shkup.

Sipas Kuçit, vendimi i Kosovës është pasojë e masës së Qeverisë së Maqedonisë për të bllokuar importin e miellit, si një vendim populist, që, siç thotë ai sjell më shumë dëm sesa dobi.

“Nuk e justifikojmë dhe as e arsyetojmë qëndrimin e marrë nga pala kosovare në kuptim të embargove apo qoftë dhe në kuptimin e masave reciproke, siç i quajnë ata masa këto të provokuara nga ana e Maqedonisë, me justifikimin e vetëm se mbrojnë prodhimin vendor. Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-perëndimore disa herë ka dhënë propozime se si duhet të mbrohen prodhimet vendore dhe theksojmë se nuk mund të mbrohen prodhimet vendore nëse mungon një strategji konkrete në nivel shtetëror”.

“Me masa ad-hoc, të cilat ne i kemi quajtur populiste që thellë gjenezën e tyre e kanë në politikë, ne nuk mund të kërkojmë mirëkuptim nga partnerët tanë siç është sot Kosova, mbase nesër Serbia, ose ndonjë shtet tjetër, sepse veprimet e Qeverisë maqedonase i ngjajnë asaj popullores duke tentuar ‘të vëmë vetullat, heqim sytë’”
, thekson Kuçi.

Ai konsideron se autoritetet qeveritare në Maqedoni nuk demonstruan sensin e duhur për të dëgjuar komunitetin e biznesit.

“Kishte debate të ashpra me mullisët kur u soll kjo masë. Atëherë, Qeveria u kërkonte atyre të paguajnë grurin me një çmim dyfish më të shtrenjtë sesa ai në bursë. Në vend se të shqyrtoheshin mundësitë se si të bëhet bujku ynë konkurrent, përmes cilësisë dhe çmimit në tregun ndërkombëtar, Qeveria u përcaktua për këtë masë jopopullore dhe proteksioniste, e cila nuk është reale dhe i gënjen bujqit se kjo mund të funksionojë përherë kështu”, potencon Kuçi.

Sipas tij, masa e aplikuar ka ndikim të drejtpërdrejtë ndaj ekonomisë dhe ndaj lirisë tregtare, dhe se në këtë mënyrë shteti po krijon imazhin e një partneri joserioz:

“Duke dashur të mbrojmë një kulturë agrare, siç është gruri në vendin tonë dëmtojmë industrinë e miellit, gjithashtu dëmtohen raportet e mira fqinjësore dhe mirëkuptimi që kemi, aq më tepër kur dihet se kemi një suficit aq të madh me Kosovën, kemi raporte të mira edhe me Serbinë. E theksoj, duke dashur të kënaqen disa apetite të caktuara politike ose biznes-lobeve Maqedonia vendoset në një akt jo të pëlqyer edhe para faktorit ndërkombëtar".

Edhe Mitko Aleksov nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë thotë se nga embargoja do të pësojnë humbje, jo vetëm kompanitë nga Maqedonia po edhe ata kosovare. Aleksov vendimin e Qeverisë kosovare për ndalesën e disa mallrave nga Maqedonia, e ka cilësuar si kontra-produktiv për shumë kompani dhe marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

“Nëse bëhet një analizë nga ana kosovare do të kuptohet se vendimi për embargo për më shumë se dhjetë prodhime maqedonase nuk është në interes të askujt, andaj kërkojmë që sa më parë të gjendet zgjidhje dhe të vazhdohet me avancimin e raporteve tona tregtare që kemi me fqinjët në bazë të marrëveshjes për tregti të lirë”, thekson Aleksov.

Lidhur me embargon kosovare u deklarua edhe kryeministri Nikolla Gruevski, i cili tha se masa e ndërmarrë nga Kosova, është e njëanshme ndaj Maqedonisë.

Ne kemi tentuar që përmes bisedimeve, t’i normalizojmë gjërat dhe në rast se kjo nuk ka sukses, janë të mundshme të gjitha opsionet”, deklaroi Gruevski.

Sipas tij, masa e vendosur nga Maqedonia për importin e kushtëzuar të miellit, nuk është e drejtuar vetëm kundër një shteti, por ndaj të gjitha shteteve të CEFTA-s dhe se Kosova është vendi i vetëm që reagon në këtë mënyrë.

Ndryshe, ndalesa për import nga Kosova, ka të bëjë me drithërat, miellin, qumështin, pemët dhe perimet e konservuara, lëngjet, verërat dhe lloje të tjera të alkoolit. Kjo masë paraqet goditje serioze për ekonominë e vendit, që vjen si pasojë e vendimit të Maqedonisë për import të kushtëzuar të miellit që është paraparë të vazhdojë deri më 15 shtator.
XS
SM
MD
LG