Ndërlidhjet

SHBA mirëpret deklaratën e BE-së për Sirinë


Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.

Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur deklaratën e Bashkimit Evropian, e cila e bën përgjegjës regjimin e presidentit sirian, Bashar al-Assad, për sulmin kimik të 21 gushtit.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton, ka thënë se blloku 28-anëtarësh ka rënë dakord se informacionet në dipozicion tregojnë prova të fuqishme se Qeveria e Sirisë ka përdorur armë kimike.

Ajo i ka bërë këto komente pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së me sekretarin amerikan të shtetit, John Kerry, të shtunën në Vilnius të Lituanisë.

Kerry e ka cilësuar si “të fuqishme” deklaratën e Ashtonit.

“Jemi shumë mirënjohës për deklaratën e bërë sot në takim, në lidhje me Sirinë – një deklaratë e fuqishme për nevojën e përgjegjësisë. Po ashtu jam mirënjohës për komentet e presidentit dhe për mbështetjen e ministrave të Jashtëm, për të mbajtur përgjegjës regjimin e Assadit për atë që ka bërë”, ka thënë Kerry.

BE-ja ka qenë e ndarë në lidhje me planet e SHBA-së për aksione ushtarake në Siri.

Gjermania ka thënë se nuk do të marrë pjesë në ndonjë aksion, ndërsa Parlamenti i Britanisë ka votuar kundër pjesëmarrjes së këtij vendi në sulme ushtarake.

Presidenti francez, Francois Hollande, i cili fillimisht ka mbështetur aksionin ushtarak, ka thënë të premten se do të priste raportin e OKB-së, para se të vendosë për ndërhyrje.

Ashton ka thënë se BE-ja shpreson që inspektorët e OKB-së të lëshojnë një raport preliminar sa më parë që të jetë e mundur.

Të shtunën, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka deklaruar se mosveprimi në Siri nuk është opsion për vendin e tij.

Ai ka thënë se janë të nevojshme sulme të kufizuara, por ka kërkuar nga Kongresi që të autorizojë përdorimin e forcës ushtarake.
XS
SM
MD
LG