Ndërlidhjet

Maqedoni: Taksa e re, udhëtarët presin me orë në Bllacë


Kufiri me Maqedoninë
Kufiri me Maqedoninë
“Maqedonia ka aplikuar prej sot (nga mesnata) taksa të reja! Rrugore, po i quajnë. Për hyrjen në Maqedoni, për vetura është 5 euro çmimi, për kamionë 10 euro, për autobusë 10 euro, e për person 2 euro. Kjo është ajo e tëra që dimë për momentin”.

Kështu ua shpjegon shkurtimisht një polic kufitar udhëtarëve të dhjetëra makinave që prisnin në kolonë për të hyrë në Maqedoni në vendkalimin kufitar te Hani i Elezit.
“Sa do të zgjasë, nuk e dimë!”, thotë polici.

Në fakt, udhëtarët kureshtarë ishin ata që nxirrnin fjalët nga policia këtë ditë vape në kufi, sepse policët u këshilluan pasdite që të mos jepnin detaje zyrtare për pritjet disaorëshe të atyre që ia mësynin Shkupit apo ata që ktheheshin nga pushimet.

E, shpjegimet për udhëtarët ishin shumë të thjeshta, se kjo taksë e re po shihet si masë reciprociteti ndaj bllokadës së disa mallrave që Qeveria e Kosovës ia imponoi produkteve të prodhuara në Maqedoni.

Sipas policit kufitar, homologët e tyre maqedonas iu kumtuan masën e re administrative në mesnatë dhe ua shpjeguan detajet:

“Kjo na është thënë se aplikohet në bazë të ligjeve të tyre”.

Në pikën kufitare në mesditë arrijnë dy policë ndërkombëtarë, për të konfirmuar lajmin se janë vendosur rregulla të reja për kosovarët që duan të shkojnë në Maqedoni.
Të përcjellë nga një përkthyes, prezantohen para policisë kufitare të Kosovës, dhe fillojnë bisedën.

Thonë se nuk dinin asgjë për këto taksa të reja nga Maqedonia, dhe se detajet tjera i kishin kuptuar vetëm pasi kishin udhëtuar nga selia e misionit të tyre, për në vendngjarje.

"Jemi informuar, në momentin kur kemi arritur këtu (në pikën kufitare),” thotë njëri prej policëve të huaj në bisedë e sipër, para se të shpjegohet se nuk u lejohet policëve të EULEX-it të flasin zyrtarisht për media.

Pastaj qeshet dhe thotë se as ai nuk e dinte për këtë taksë të re, derisa nuk e vërtetoi vetë në terren.

Para se të largohen, falënderojnë policët kufitarë të Hanit të Elezit.

Nga pika kufitare Hani i Elezit, e deri tek ajo e Bllacës, makinat ishin rreshtuar njëra pas tjetrës dhe prisnin t’u vinte radha për të bërë këto pagesa.

Ata që ktheheshin prapa në Prishtinë shpjegonin se vetëm një njeri punonte në sportel, ku shkruante faturat dhe ua merrte paratë udhëtarëve.

Qemajl Dërnjani nga Hani i Elezit është kthyer pasdite nga Shkupi, ndërsa shpjegon për procedurat që ka hasur në pikën kufitare.

“Edhe këtë na e bënë neve. Pesë euro për veturë, 2 euro për njeri! Kjo nuk është e mirë! Duhet atëherë t'ua bllokojmë kufirin maqedonasve krejt, as mos të blejmë, e as mos t'u shesim", thotë Dërnjani i nevrikosur për kohën që ka humbur për të vizituar të afërmit e tij në Shkup.
XS
SM
MD
LG