Ndërlidhjet

logo-print

Shteti 22-vjeçar, probleme me veten e me fqinjët


Harta e Maqedonisë

Harta e Maqedonisë

Maqedonia sot shënon 22-vjetorin e pavarësisë, por edhe dy dekada pas ndarjes nga ish-Jugosllavia, vendi vazhdon të përballet me probleme të pazgjidhura, në veçanti në raportet e brendshme ndëretnike, por edhe me disa nga fqinjët e saj që kontestojnë emrin e shtetit, gjuhën dhe identitetin.

Disa nga ish-deputetët shqiptarë të përbërjes së parë parlamentare, thonë se demokracia nuk ka sjellë pritjet e shqiptarëve për barabarësi në shtetin e ri të përbashkët.

Mersim Pollozhani, ish-deputet i Partisë së Prosperitetit Demokratik, thotë se edhe pas 22 vjetëve pavarësi, shqiptarët ende luftojnë për zyrtarizimin e gjuhës së tyre, për përdorimin e simboleve kombëtare, për përfaqësim në institucione, si dhe për zhvillimin ekonomike të rajoneve ku jetojnë.

“Punët nuk kanë ndryshuar, ne jemi atje ku ishim para 20 vjetëve. Kjo arsyetohet me filozofinë dhe mentalitetin etnocentrik të maqedonasve, identiteti i të cilëve vazhdon të kontestohet për dekada me radhë. Marrëveshja e Ohrit, mos të them është e vdekur, zbatohet në mënyrë shumë parciale. Afati për zbatimin e obligimeve që rrjedhin nga kjo marrëveshje, ishte deri në vitin 2004, ne domethënë edhe 9-10 vjet pas këtij afati, punët ka ngelur aty ku kanë qenë në pesë vitet e para”, thotë Pollozhani.

Sipas Pollozhanit, situata e tillë në Maqedoni, do të vazhdojë përderisa nuk arrihet një barazi mes dy komuniteteve më të mëdha në vend. Kjo, thekson ai, do të garantonte të ardhme ekonomike dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët.

“Rrugëdaljen nga kjo situatë e shoh vetëm në rregullimin e statusit të shqiptarëve si element shtetformues, ku shqiptarët do të jenë pjesë përbërëse e sistemit kushtetues, sistemit politik të Maqedonisë, ku ata do të kenë të drejta të barabarta, si në nivel lokal, ashtu edhe në nivel të Republikës”, shprehet Pollozhani.

Edhe ish-deputeti tjetër i PPD-së, Vebi Xhemaili, nuk sheh ndonjë ndryshim nga periudha e para 20 vjetëve. Ai, për gjendjen, në të cilën ndodhen shqiptarët, fajëson përfaqësuesit e tyre politikë, mungesën e unitetit për çështjet thelbësore që kanë të bëjnë me statusin e tyre në shtet.

“Prej asaj kohe e deri më sot kemi qenë këmbëngulës, mirëpo deri më sot assesi nuk është realizuar kjo kërkesë e jonë, e cila synon barazinë midis dy nacionaliteteve. Prej asaj kohe e deri më sot, pjesa e banuar me popullatë shqiptare ka ngecur në të gjitha sferat e zhvillimit. Shqiptarët ende nuk e ndiejnë veten të barabartë në vendin e vet. Prandaj, kjo luftë e shqiptarëve për të drejtat e tyre do të vazhdojë edhe më tutje. Kjo ka mundësi të ecë me hapa më të shpejtë nëse politika shqiptare, partitë politike shqiptare dhe pjesa akademike, do të bashkohen dhe do të jenë unik në kërkesat e shqiptarëve për barazi të plotë në një shtet të përbashkët”, thotë ish-deputeti i përbërjes së parë parlamentare, Vebi Xhemaili.

Për dallim nga Xhemaili dhe Pollozhani, ish-deputeti maqedonas në përbërjen e parë parlamentare, Petar Goshev, flet në përgjithësi për zhvillimet e këtyre dy dekadave të demokracisë në vend.

Goshev thotë se pritjet ishin të mëdha për vendosjen e një sistemi të vërtetë demokratik, por periudha e deritashme ka dëshmuar se Maqedonia ende është larg asaj që kishin ëndërruar qytetarët e saj. Sipas tij, problemet në vend janë të gjithanshme, jo vetëm etnike.

“Maqedonia po ecën konfrontimeve në të gjitha segmentet. Konfliktet në Maqedoni po rriten. Kur u mungojnë argumentet për ballafaqim me konkurrentët, ata etiketojnë njëri -tjetrin, dhe jo vetëm kaq, sikur të mundin edhe do të pushkatoheshin. Garniturat e fundit qeveritare nuk kanë vizione për të ardhmen e vendit. Ato punojë pa ndërprerë për të na e ndryshuar perceptimin, pra të mendojnë atë që ata e dëshirojnë".

"Thirrjet që i dëgjojmë nga udhëheqësit e tashëm për gjoja unitet, nuk janë gjë tjetër pos flluskë sapuni. Demokracia në Maqedoni nuk nënkuptohet si e drejtë e shumicës, në Maqedoni nuk ka debat për asnjë çështje, është suspenduar dialogu, vendimet i sjell një njeri, Nikolla Gruevski”, thotë Petar Goshev.

Ai thekson se gjatë kësaj periudhe Maqedonia nuk ka arritur të stabilizohet as ekonomikisht dhe për rrjedhojë, vendi nga dita në ditë po braktiset nga të rinjtë.

“Maqedonia po boshatiset, faktori më i rëndësishëm për zhvillimin e vendit, faktori njeri, po zhduket. Është qesharake kur sheh qeverinë, e cila harxhona miliona për spote të ndryshme për stimulimin e natalitetit, ndërsa shkaqet për zbrazjen e vendit nuk i tregon, ato janë krejt të tjera, janë probleme të shumta që i detyrojnë ata të largohen nga Maqedonia".

"Vendi ynë sot është i fundit në rajon sa i përket zhvillimit ekonomik, ne jemi të fundit së bashku me Bosnjën. Para nesh janë të gjitha shtetet, të cilat para 10 vjetëve ishin të fundit. Në Maqedoni nuk ka perspektivë për të jetuar”, thotë Petar Goshev, ish deputet i përbërjes së parë parlamentar dhe ish-guvernator i Bankës Popullore të Maqedonisë.

Maqedonia, pavarësinë nga ish-Jugosllavia e ka shpallur më 8 shtator të vitit 1991 pas një referendumi, i cili është bojkotuar nga popullata shqiptare për shkak të elementëve të shumtë që shtetin e ri e definonin vetëm si të maqedonasve.

Kjo, pas pak u konfirmua edhe me miratimin e Kushtetutës së parë, e cila, Maqedoninë e definonte si shtet vetëm të popullit maqedonas. Akti i miratimit të Kushtetutës u bojkotua nga Partitë politike shqiptare.

Kushtetuta është ndryshuar në vitin 2001, pas konfliktit të armatosur, por edhe me këto ndryshime, shqiptarët nuk përmenden jo vetëm si popull shqiptar, por edhe me emrin shqiptar, por vetëm si komunitet me mbi 20 për qind nga numri i përgjithshëm i popullatës në Maqedoni.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG