Ndërlidhjet

Rebelët sirianë marrin nën kontroll qytetin e krishterë


Siri - foto arkivi

Siri - foto arkivi

Rebelët sirianë, të udhëhequr nga islamistët, kanë marrë nën kontroll qytetin historik të krishterë, Malula, i cili ndodhet në veri të Damaskut.

Observatori sirian për të drejtat e njeriut ka cituar banorët të kenë thënë se forcat e regjimit janë tërhequr nga zona.

Në rrafshin diplomatik, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka takuar sot në Paris udhëheqësit e Ligës Arabe.

Takimi është pjesë e turneut të tij evropian, i cili ka për qëllim të sigurojë mbështetje sa më të madhe për ndërhyrjen e huaj ushtarake në Siri.

Më herët, kryediplomati amerikan ka thënë se numri i vendeve të gatshme për të ndërmarrë aksione ushtarake është dyshifror, por lista e këtyre shteteve nuk është bërë publike.

Nga Parisi, Kerry do të udhëtojë për në Londër, ku do të takojë presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, dhe sekretarin e Jashtëm britanik, William Hague.

Shtetet e Bashkuara duan të ndëshkojnë regjimin e presidentit sirian, Bashar al-Assad, të cilin e fajësojnë për përdorimin e armëve kimike në një sulm të 21 gushtit.

Nga ky sulm, Uashingtoni thotë se kanë humbur jetën mbi 1,400 njerëz.
XS
SM
MD
LG