Ndërlidhjet

logo-print

Arrihet marrëveshja për telekomunikacionin dhe energjinë


Kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.

Kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.

Kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, kanë arritur marrëveshje për telekomunikacionin dhe energjinë.

Zyra e ndërmjetësueses Catherine Ashton, e cila është shefe e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, ka lëshuar komunikatën, në të cilën thuhet:

“Kam takuar kryeministrin Daçiq dhe kryeministrin Thaçi në Bruksel, për të vazhduar bisedimet për zbatimin e Marrëveshjes së Prillit. Kryeministrat kanë arritur marrëveshje për telekomunikacionin dhe energjinë”.

“Sa u përket zgjedhjeve komunale të nëntorit, kemi shqyrtuar progresin e bërë dhe kemi marrë disa vendime të rëndësishme për të siguruar zgjedhje të ndershme, me pjesëmarrjen e plotë të mundshme në procesin zgjedhor”.

“Kryeministrat janë pajtuar që Grupet Punuese për zgjedhjet, të kryesuara nga OSBE-ja, të takohen sërish në ditët e ardhshme, në mënyrë që vendimet e marra sonte të zbatohen në kohën e duhur”
, përfundon komunikata e baroneshës Ashton.

Kryeministrat Thaçi dhe Daçiq janë takuar të dielën për të 16-ën herë.

Para takimit, Thaçi nuk ka pranuar të flasë për çështjen e zgjedhjeve të 3 nëntorit, duke thënë se për to vendos Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë.

Ndryshe nga ai është shprehur Maja Kocijançiq, e cila është zëdhënëse e baroneshës Ashton.

“Palët do të bisedojnë për vazhdimin e zbatimit të Marrëveshjes së Prillit. Në fokus të veçantë do të jenë zgjedhjet, përgatitjet për zgjedhjet në nëntor. Është e rëndësishme që këto zgjedhje të përgatiten mirë, që të shkojë gjithçka siç duhet”, ka deklaruar Kocijançiq para gazetarëve.

Ajo ka thënë se nga dialogu nuk mund të përjashtohen edhe temat e tjera, duke përmendur telekomunikacionin dhe energjinë.

Kocijançiq ka kujtuar po ashtu pritjet e ndërmjetësueses Ashton që të dyja palët, në javët dhe muajt e ardhshëm, të zgjidhin çështjet e hapura me pjekuri dhe me konstruktivitet.

Bisedimeve të sotme trepalëshe u ka paraprirë takimi i zonjës Ashton me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, dhe një takim i ngjashëm i baroneshës me kryeministrin Thaçi dhe delegacionin e tij.

Në ekipin serb ka marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Këtë javë, ndërmjetësuesja Ashton ka mirëpritur “përparimin e Prishtinës dhe të Beogradit në procesin e përgatitjes së zgjedhjeve të 3 nëntorit”.

Ajo ka thënë se këto zgjedhje do të jenë pikë kthese për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Me kërkesë të Beogradit zyrtar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka hequr nga fletëvotimet shenjat e shtetësisë, duke lënë në to vetëm logon e KQZ-së. Ky ka qenë kushti i zyrtarëve në Serbi për t’iu bërë thirrje bashkëkombasve të tyre në veri të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet që organizon Prishtina.

Zgjedhjet lokale pritet të mbahen në gjithë territorin e Republikës dhe kanë për qëllim integrimin e serbëve të veriut në institucionet shtetërore.
  • 16x9 Image

    Valona Tela

    Si përgjegjëse për web-faqen e Radios Evropa e Lirë, ekipit në Prishtinë i është bashkuar në vitin 2007. Nga viti 2011 është redaktore emisionesh në selinë qendrore në Pragë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG