Ndërlidhjet

Kosovë-SHBA: Marrëveshje për Korpusin e Paqes


Prishtinë, 9 shtator 2013.
Prishtinë, 9 shtator 2013.
Është nënshkruar marrëveshja ndërshtetërore me SHBA-të për hapjen e programit të parë të Korpusit të Paqes edhe në Kosovë.

Marrëveshja u nënshkra nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe ndihmësdrejtoresha e Korpusit Amerikan të Paqes, Helen Lowman.

Presidentja Jahjaga, në një konferencë për media, tha se marrëveshja e nënshkruar shënon një hap të rëndësishëm që i kontribuon bashkëpunimit të dy popujve në fushën e arsimit dhe kulturës.

“Me këtë marrëveshje, Kosova bëhet shteti i 140-të nikoqir i Korpusit të Paqes, organizatë kjo e vullnetarëve amerikanë, e themeluar nga presidenti Kennedy, që me dekada ka ndërtuar ura të miqësisë ndërmjet popujve rreth botës”.

“Marrëveshja e Korpusit të Paqes është një platformë bashkëpunimi, mbi të cilën Kosova do të jetë shtëpia e vullnetarëve nga Shtete e Bashkuara të Amerikës, të cilët do të integrohen në shoqërinë tonë dhe punojnë në fushën e arsimit, kulturës, ambientit dhe zhvillimit të përgjithshëm”, tha presidentja Jahjaga, për të shtuar se marrëveshja vulos marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy popujve që kanë zgjedhur rrugën e paqes, prosperitetit dhe demokracisë.

Nga ana tjetër, ndihmësdrejtoresha e Korpusit Amerikan të Paqes, Helen Lowman, tha se Korpusi i Paqes ka një histori 52-vjeçare dhe ka tri synime:

“Synimi i parë është të mundësojë angazhimin e burrave dhe grave të stërvitur për vendet që kërkojnë vullnetarë. Në këtë rast specifik, Kosova ka kërkuar mësues të gjuhës angleze për shkollat e mesme. Vullnetarët tanë do të jenë mësues të stërvitur të gjuhës angleze, që do të punojnë në shkollat rurale”.

“Synimi i dytë është t’i mësojmë vendet nikoqire për Amerikën, kurse synimi i tretë është t’i mësojmë amerikanët për vendet nikoqire”.

“Për shembull, vullnetarët tanë do të jenë këtu për dy vjet, duke dhënë mësime në gjuhën angleze, në shkollat rurale dhe kur ata të kthehen në Shtetet e Bashkuara, do t’i mësojnë amerikanët për Kosovën. Organizata jonë pra ka dy drejtime, një ka të bëjë me zhvillimin dhe e dyta ka të bëjë me këmbimin e përvojave të njerëzve”, shpjegoi Lowman

Korpusi i Paqes ka nisur në vitin 1960 kur atëbotë senatori amerikan, John F. Kennedy, i ka sfiduar studentët e Universitetit të Michiganit që t’i shërbejnë vendit të tyre me kauzën e paqes, duke jetuar dhe punuar në një vend në zhvillim.

Nga ky inspirim është krijuar edhe agjencia e qeverisë federale që i kushtohet paqes botërore dhe miqësisë. Nga ajo kohë e deri më tash, 210 mijë vullnetarë të Korpusit të Paqes kanë shërbyer në 139 vende mikpritëse, ku vullnetarët punojnë në çështje nga sëmundja e SIDA-s, arsimimi, teknologjia informative e deri te mbrojtja e ambientit.
XS
SM
MD
LG