Ndërlidhjet

Prishtinë: Krenarë dhe të mërzitur me dialogun


Pamje nga Prishtina

Pamje nga Prishtina

Arritja e marrëveshjeve për energjinë dhe telekomunikacionin në kuadër të bisedimeve që kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë po zhvillojnë në Bruksel, nga Bashkimi Evropian është prezantuar si një e rezultat i ri në dialog.

Po ashtu, edhe palët negociuese e kanë prezantuar këtë si një të arritur konkrete të bisedimeve.

Shefja e ekiptit kosovar në bisedimet teknike me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se marrëveshjet e reja janë shumë të rëndësishme për Kosovën, kanë peshë dhe vendosin bashkëpunimin ndërshtetëror midis Kosovës dhe Serbisë në fushat e telekomunikacionit dhe energjisë.

“Në bazë të këtyre marrëveshjeve, kemi dhënë premtime se do të vendosim bashkëpunim ndërshtetëror. Në fushën e energjisë, ai do të jetë në përputhje me Marrëveshjen e Athinës, ndërsa sa i përket telekomunikacionit, ai do të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Këto marrëveshje do t’i japin fund funksionimit të operatorëve ilgealë”, ka thënë Tahiri.

Mirëpo, në kohën kur palët negociuese po ndihen krenare me të arriturat në bisedime, ashtu nuk mendojnë disa prej opozitarëve në Prishtinë që i kanë dhënë mbështetje të fuqishme dialogut, si edhe ekspertët.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, i cili në shumë raste ka mbështetur dialogun, është shprehur se po ndihet i mërzitur me këtë proces.

Ndonëse nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala ka kohë që mbanë pozitën e koordinatorit të bisedimeve me Beogradin, Haradinaj ka kritikuar delegacionin e Kosovës dhe e ka ftuar atë që të kthjellet.

Jam pak i mërzitur me dialogun në përgjithësi. Është hera e parë që po e shfrytëzoj rastin ta them, ngase disi këto kohët e fundit ka qenë njëfarë praktike që të na sjellin para aktit të kryer në Prishtinë. Edhe jam ankuar në këtë aspekt tek kolegët tanë që na përfaqësojnë në Bruksel që ata duhet të kthjellen pak dhe nuk guxojmë që dialogu të ma sjell para aktit të kryer në tema që më pas të ndihemi në situata të vështira e të rënda para vetës", ka thënë Haradinaj.

Sa u përket marrëveshjeve të fundit për energjinë dhe telekomin, Haradinaj ka thënë se për këto tema është diskutuar qysh moti dhe tani është arritur një marrëveshje e cila megjithatë ende nuk është bërë publike në tërësi.

Por, sipas tij, pala kosovare po vepron ngadalë dhe po lejon që Beogradi të diktojë agjendën e zbatimit të politikave me çka Prishtina zyrtare po del para aktit të kryer siç ishte rasti me heqjen e logos nga fletëvotimet.

Sipas tij, Kosova nuk humbi me heqjen e logos sa humbi me mënyrën se si ishte vepruar.

Është e pakuptueshme që delegacioni i Kosovës gjatë zbatimit të përgjegjësive të veta në dialog me leju që të vijmë para politikave të aktit të kryer. Logoja është hequr nga fletëvotimet. Ato janë material për asgjësim. Por, Kosova ka mund të anticiponte në rast se e ka vlerësuar se si duhet të shkohet në zgjedhje. Por ishte bukur e palezetshme që pas një debati edhe pas një pozicioni të qartë të palës tjetër, ne veprojmë. Kosova duhet të anticipoj në detyrat e veta”, ka theksuar Haradinaj.

Marrëveshjet e fundit në Bruksel janë konfirmuar tashmë edhe nga Zyra e Shefes së diplomacisë evropiane Catherine Ashton.

Ndërsa për marrëveshjen për energjinë nuk janë dhënë gati se kurrfarë detajesh, në lidhje me atë për telekomin, është bërë e ditur se një vend i tretë, anëtarë i Bashkimit Evropian do të konkurrojë tek ITU-ja për kodin ndërkombëtar dhe më pas të njëjtin do t’i jap Kosovës, por i cili do të aktivizohet në janarin e vitit 2015.

Deri atëherë është thënë se do të vazhdohet me gjendjen ekzistuese, përfshi edhe operimin e operatorëve të huaj, përkatësisht atij serb në veri.

Njohësi i kësaj fushe, profesori Agron Dida e cilëson këtë marrëveshje si të padobishme për Kosovën.

Ai thotë se qeveria ka pranuar që operatorët aktual si ai i Monakos dhe ai slloven -IPKO të mbajnë kodet e tyre në funksion në mënyrë që qytetarët e Kosovës të paguajnë taksa të shtrenjta deri më 2015.

Një gjendje e tillë po tolerohet me vetëdijen e qeverisë, ka thënë Dida.

Ne vërtetë si Kosovë nuk fitojmë asgjë. Qytetarëve të Kosovës u është komunikuar që qeveria jonë nuk donë të aplikoj për kodin e telekomit edhe për disa vjet, së paku deri më 2015, siç po thuhet. Me këtë domethënë vazhdojmë, po vazhdojmë të paguajmë taksë për më pas kodin identifikues, komunikues. Kjo është nonsens i cili me vite po ndodhë në Kosovë. Kjo është rezultat i marrëveshjeve nën tavolinë me kompanitë si Monako, IPKO e tjera të cilat marrin taksë për të na lejuar vetëm përdorimin e kodeve telefonike”, ka thënë Dida.

Takimi i të dielës në Bruksel ndërmjet kryeministrave Hashim Thaçi e Ivica Daçiq kishte si temë qendrore zgjedhjet lokale të 3 nëntorit dhe modalitetet e pjesëmarrjes së serbëve nga komunat veriore, ku Beogradi po shihet si faktori kyç për përfshirjen e këtij komuniteti në procesin elektoral.

Ndërkaq marrëveshjet për energjinë dhe telekomin, ishin proklamuar se janë të gatshme qysh para më gjatë një muaji dhe se për to, të dielën vetëm ishte kumtuar vendimi.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG