Ndërlidhjet

Kosovë - Maqedoni: Dialog për normalizim raportesh tregtare


Kosova dhe Maqedonia nuk kanë arritur ende marrëveshje për heqjen e embargos për produktet maqedonase nga pala kosovare dhe largimin e taksës për qytetarët e Kosovës të cilët hyjnë në territorin e Maqedonisë.

Pas një takim i cili u zhvillua të hënën ndërmjet ministres së Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari Lila dhe ministrit të Ekonomisë të Maqedonisë, Valon Saraçini është bërë e ditur se është duke u diskutuar për një zgjidhje rreth problemeve tregtare të krijuar ditëve të fundit mes këtyre dy shteteve.

Pas takimit në një konferencë për media, ministrat Kusari Lila dhe Saraçini kanë bërë të ditur se dialogu rreth kësaj çështje do të vazhdojë gjatë ditëve në vazhdim.

Kusari Lila ka ritheksuar se se Kosova nuk do të heqë masën ndaj Maqedonisë pa i shfuqizuar Qeveria e Maqedonisë të dyja vendimet e saj të fundit.

Jemi të gatshëm që në momentin kur Republika e Maqedonisë bën tërheqjen e dy masave kushtëzuese atë të miellit që është ende në fuqi dhe masës penguese të lëvizjes së lirë të njerëzve atëherë edhe Qeveria e Kosovës do të heq ndalesën e saj për import për mallrat që vinë nga Maqedonia”, thotë Kusari Lila.

Në anën tjetër, ministri i Ekonomisë së Maqedonisë Valon Saraçini thotë se do të shfrytëzohen të gjitha mekanizmat që të gjendet një gjuhë e përbashkët dhe të tejkalohet ky problem.

“Qeveria jonë dëshiron dhe është e interesuar që sa më shpejtë që të zgjidhet ky problem dhe ne jemi të gatshëm për dialog dhe jam i gëzuar që po fillojmë një dialog konstruktiv dhe unë shpresojë që në një afat shumë të shpejtë ne do të harmonizojmë qëndrimet tonë dhe do të gjejmë një zgjidhje të përbashkët”, ka thënë Saraçini.

Saraçini ka shtuar se vënia e masës kufizuese për importin e miellit dhe grurit nuk ka qenë vetëm ndaj Kosovës dhe kjo nuk është në kundërshtim me marrëveshjen e CEFTA-s.

Sipas tij, këtë vendim Qeveria e Maqedonisë e ka bërë për t’i mbrojtur vendimet vendore.

Thirrje për normalizim raportesh tregtare

Mosmarrëveshjet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë të krijuara ditëve të fundit kanë ngritur shqetësime të mëdha te përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë.

Ndonëse, ata thonë se embargoja që Kosova iu ka vendos prodhimeve maqedonase do të jetë në dëm të bizneseve maqedonase dhe jo atyre kosovare, ata thonë se raportet tregtare mes këtyre dy shteteve duhet të rregullohen.

Maqedonia në vit sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës eksporton mallra në vlerë prej rreth 300 milion euro, derisa Kosova në Maqedoni nuk arrin të eksportojë mallra më shumë se mbi 20 milion euro.

Përfaqësues të Bizneseve të Biznesve thonë se Prishtina zyrtare iu është dashur t'i kundërpërgjigjet Maqedonisë më embargo, pasi që Maqedonia, siç thekson Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Biznesit, për të tretin vit më radhë po i paraqet problem eksportuesve të miellit dhe grurit kosovarë.

“Në ekonominë e Kosovës kjo nuk do të vërehet për arsyeje se nga viti 2010 deri në gjashtë mujorin e parë të këtij viti nga Maqedonia kemi pasur një import prej mbi 1 miliardë euro. Derisa në të njëjtën periudhë Kosova ka pasur eksport në Maqedoni vetëm 73 milion euro”, bën të ditur Shahini.

Kosova dhe Maqedonia janë anëtare e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me vendet e Evropës Qendrore.

CEFTA është krijuar me qëllim të eliminimit të pengesave për tregtinë reciproke ndërmjet shteteve anëtare të këtij mekanizmi.

Përfaqësuesit e bizneseve thonë së në këtë rast të dy shtet edhe Maqedonia edhe Kosova nuk po e respekton marrëveshjen CEFTA-s, por iniciues, sipas Agim Shahinit, është Maqedonia dhe jo Kosova.

Kosova, thekson Shahini, ka qenë e detyruar të aplikojë embargo për produktet maqedonase.

“Për këtë qeveritë e të dy shteteve duhet të ulen dhe të diskutojnë dhe t'i eliminojnë këto pengesa pasi që po krijojnë imazh të keq në tërë Ballkanin, pasi që po garojnë se cila po bën pengesa më shumë. Nga kjo po pësojnë më së shumti bizneset e në këtë rast bizneset maqedonase”, thekson Shahini.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari Lila ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se vendimi për bllokimin e produkteve maqedonase do të vazhdojë deri sa Qeveria e Maqedonisë do të marrë vendim për heqjen e masave që ka aplikuar për qytetarët e Kosovës, i cili, sipas saj, do të pasohej me heqjen e masave nga ana e Kosovës për produktet maqedonase.

“Ka qenë një vendim shumë i rëndë i Qeverisë së Maqedonisë për qytetarët e Kosovës. Unë shpresoj që kjo mos të zgjasë dhe të gjitha pengesat të hiqen, si në raportet tregtare, si në lëvizjen e mallrave dhe të kemi një normalizim të raporteve".

"Nuk është ideja jonë që të kemi probleme apo konflikte me fqinjët dhe më së paku dëshirojmë që të përkeqësohet situata me ndonjë nga fqinjët me të cilët kemi raporte të mira”, ka thënë Kusari - Lila

Problemet mes Kosovës dhe Maqedonisë nisën pas një importi të kushtëzuar të miellit dhe grurit që Shkupi zyrtar ua vendosi prodhuesve kosovar.

Më pas, qeveria në Prishtinë miratoi kundër masa, të cilat kushtëzonin importin e disa produkteve të qumështit që prodhohen në Maqedoni.

Pala maqedonase, ndërkaq vendosi rregulla të reja për kosovarët, ku secili që hynë në këtë territor duhet të paguajë 2 euro për veten, dhe 5 euro për makinën.

Pas kësaj mase Kosova ka filluar zbatimin e embargos për mos lejimin e të gjitha mallrave maqedonase të hyjnë në Kosovë.

Këtë vendim të autoriteteve në Kosovë e kanë përkrahur edhe përfaqësuesit e Kompanisë it M&Sillos nga Rahoveci, kompani kjo e cila eksporton miell në Maqedoni.

“Është vendim i qëlluar ne kemi kërkuar që të ndërmerren masa, pasi që vendimi i Maqedonisë ka qenë shkelje flagrante e marrëveshjes CEFTA. Ky hap ka qenë i domosdoshëm dhe ne e përkrahim”, shprehet udhëheqësi i kësaj kompanie Fadil Hoxha.
XS
SM
MD
LG