Ndërlidhjet

Prishtina kërkon nga Shkupi të mos e përshkallëzojë situatën


Bllokohet kufiri Kosovë-Maqedoni në dy vendkalimet kufitare në Han të Elezit dhe Glloboçicë, për shkak të protestës së transportuesve të Maqedonisë.

Disa kamionë dhe autobusë kanë ndalur automjetet e tyre qindra metra larg vendkalimeve kufitare në pjesën maqedonase, dhe nuk lënë makinat që të kalojnë, për shkak të pakënaqësisë me embargon tregtare që imponoi Kosova të hënën.

Doganat e Kosovës shpjegojnë se qarkullimi me Maqedoninë pothuajse është ndërprerë i tëri.

“Është bllokuar transporti edhe i udhëtarëve edhe i maunave. Kjo për shkak se shoqata e transportuesve të Maqedonisë është duke protestuar në palën maqedonase”, thotë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i doganave Adriatik Stavileci.

Sipas tij, në zonën neutrale kufitare Maqedoni-Kosovë, vazhdojnë të qëndrojnë dhjeta kamionë transportues, të cilët kanë ngelur aty prej se ka hyrë në fuqi udhëzimi për ndalimin e importit të produkteve maqedonase.

Në bazë të asaj që thonë në Prishtinë duket se këta kamionë do të mbesin edhe për një kohë të ngujuar në këtë tokë të askujt.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari-Lila thotë për Radion Evropa e Lirë, se topi është në fushën e Shkupit zyrtar.

Tërësisht situata varet nga pala maqedonase. Në rast se Qeveria e Maqedonisë ka për synim zgjidhjen e situatës dhe heqjen e masave, atëherë në të njëjtin moment ne do të heqim masat tona”, shpjegon ajo.

Bllokada e rrugëve që çojnë për në kufirin maqedonas-kosovar janë rezultat i “betejës” tregtare ndërmjet të dy vendeve, e cila u nxit pas ndalimit të importit të miellit dhe grurit të prodhuar në Kosovë për në Maqedoni.

Më pas Kosova vendosi embargo ndaj produkteve maqedonase.

“Vendimi nuk do të tërhiqet, përderisa të jetë në fuqi vendimi i Maqedonisë, në fakt dy vendimet e Maqedonisë, edhe të kufizimit të miellit, edhe të kufizimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve”, këmbëngul zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila.

Të dielën Shkupi zyrtar e çoi tutje këtë reciprocitet, por jashtë aspektit tregtar.

Maqedonia futi një taksë rrugore, ku secili kosovar që shkel tokën maqedonase duhet të paguaj 2 euro, ndërsa për makinë 5 euro.

Prishtina u irritua nga ky vendim dhe nga e hëna mbylli kufirin për të gjitha produktet e prodhuara në Maqedoni.

Ditë më parë në Prishtinë qëndroi edhe ministri i Ekonomisë së Maqedonisë Valon Saraqini, i cili u prit nga ministrja Kusari-Lila dhe ministri i Financave Besim Beqaj.

Zgjidhje megjithatë për tejkalimin e këtyre telasheve nuk u gjet.

Të martën ministri Beqaj tha se i vjen keq për vendimin që ka marr Prishtina për mbylljen e kufirit për produktet maqedonase, të cilin e quajti “jo shumë popullist”.

Sipas tij Kosova ishte e detyruar që të kundërpërgjigjet Maqedonisë.

Masa që fillimisht e kanë pasur karakterin ekonomik, dhe pastaj ka kaluar në karakter të lëvizjes së lirë. Masa që janë për të ardhur keq. Ne nuk kemi dashur që të marrim masa të bllokimit të lëvizjes së qytetarëve, sepse do të dëmtoheshin qytetarët tonë, andej dhe këndej kufirit. Por kemi marr masa për të balancuar, dhe balancimi është që ne nuk do të lejojmë asnjë produkt nga Maqedonia, përderisa ata të heqin të gjitha masat që kanë vënë pa të drejtë, për produktet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës”, thotë ministri Beqaj.

Ndërkaq zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila i ka bërë thirrje Shkupit zyrtar që të arsyetojë me gjendjen e krijuar.

“I thërrasim qeverisë maqedonase që të jetë më e vëmendshme ndaj situatës në terren, në shtetin e saj. Por natyrisht edhe në kuadër të raportit me fqinjët, sepse kushtëzimet dhe forma e të kushtëzuarit të tregtimit ka filluar nga Maqedonia”, tha Kusari-Lila.

Sipas policisë kufitare, në Han të Elezit dhe Glloboçicë, kufijtë vazhdojnë të jenë të mbyllur për qarkullim të lirë të automjeteve, ndërsa udhëtarët po këshillohen që të kalojnë në këmbë kufirin dhe të gjejnë ndonjë mjet transportues për të vazhduar udhëtimin.

Rreth 300 milionë euro është vlera e mallit që importohet në Kosovë nga Maqedonia, kurse më pak se 20 milion euro është plasmani i produkteve kosovare në tregun maqedonas.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG