Ndërlidhjet

Damasku pranon “të dorëzojë armët kimike”


Qeveria e Sirisë ka thënë se është pajtuar me propozimin për t’i vënë armët e saj kimike nën kontroll ndërkombëtar.

Ministri i Jashtëm, Walid al-Muallem, ka thënë se Damasku ka rënë dakord me iniciativën ruse “për të çrrënjosur agresionin amerikan”.

Më herët, Rusia ka thënë se është duke punuar për një “plan të qartë dhe konkret”.

Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, ka thënë se Moska është duke diskutuar detajet me Damaskun dhe se plani do t’iu prezantohet edhe shteteve të tjera së shpejti.

“Rusia është duke punuar aktualisht në përgatitjen e një plani funksional, të qartë dhe konkret. Tani për tani, jemi në kontakt me palën siriane. Do të vazhdojmë të punojmë me të dhe me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike dhe me pjesëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka thënë Lavrov.

Propozimi për dorëzimin e armëve kimike – i shpallur të hënën për të shmangur sulmet e Shteteve të Bashkuara në Siri – është mirëpritur me kujdes në Uashington.

Presidenti Barack Obama ka shprehur shqetësimin se ideja mund të përdoret si taktikë bllokuese nga regjimi.

“Synimi im gjatë gjithë këtij procesi ka qenë që të sigurohemi se përdorimi i zhurmshëm i armëve kimike, nuk do të ndodhë përsëri. Nëse ka mundësi për ta arritur këtë në mënyrë diplomatike, kjo do të ishte edhe preferenca ime. Ju e dini se kam urdhëruar John Kerryn që të flasë direkt me rusët për këtë propozim".

"Nëse mund t’ia dalim me këto përpjekje diplomatike dhe të sjellim një formulë që i jep komunitetit ndërkombëtar një mekanizëm të verifikueshëm dhe të zbatueshëm për t’u marrë me armët kimike në Siri, atëherë unë jam në favor të saj. Por, njëherë, do të shohim hollësitë”
, ka thënë Obama.

Komentet vijnë në kohën kur ligjvënësit amerikanë po debatojnë nëse duhet t’i jepet autorizimi administratës Obama, për të kryer operacione ushtarake kundër caqeve të Qeverisë siriane, e cila besohet se ka kryer sulm kimik.

Shumë amerikanë kanë shfaqur dyshime nëse sulmet ushtarake janë përgjigjja e duhur për sulmin e dyshuar kimik të 21 gushtit, jashtë Damaskut.

Uashingtoni thotë se ai ka vrarë më shumë se 1,400 njerëz.

Qeveria siriane ka mohuar kryerjen e sulmit, duke akuzuar forcat rebele për përgjegjësi.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, ka mbështetur idenë për dorëzimin e armëve kimike, ndërsa Franca, Gjermania dhe Britania kanë thënë se ia vlen të shqyrtohet. Opozita siriane ka thënë se ajo është “manovër politike”, e cila do të humbë kohë dhe do të shkaktojë më shumë vdekje.

Në një intervistë në Damask për gazetarin amerikan, Charlie Rose, presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, ka shfaqur dyshim nëse Obama ka të drejtë të krijojë “vijën e kuqe” për përdorimin e armëve kimike. Obama ka shpallur vijën e kuqe për armë të tilla në vitin 2012.

Obama ka tërhequr këtë vijë. Ai mund të tërheqë vijën për veten dhe për vendin e tij, e jo për vendet e tjera. Ne i kemi vijat tona të kuqe, ashtu si edhe sovranitetin dhe pavarësinë tonë. Shtetet e Bashkuara kanë përdorur uranium në Irak, Izraeli ka përdorur fosfor të bardhë në Gaza dhe askush nuk ka thënë asgjë. Çfarë janë vijat e kuqe? Ne nuk shohim vija të kuqe”, ka thënë Assad.

Ai ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara mund të përballen me hakmarrje nëse kryejnë sulme ushtarake në Siri.(v.tela)
XS
SM
MD
LG