Ndërlidhjet

Shkupi zyrtar në heshtje


Kufiri i bllokuar Maqedoni - Kosovë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:56 0:00

Kufiri i bllokuar Maqedoni - Kosovë

Qeveria e Maqedonisë ka diskutuar deri në orët e para të mëngjesit për zhvillimet e fundit në raportet me Kosovën, por ende nuk ka dalë me qëndrim zyrtar lidhur me raportin që ka prezantuar ministri i Ekonomisë, Valon Saraçini, pas bisedave që kishte realizuar në Prishtinë për mundësitë e kapërcimit të situatës.

Jozyrtarisht bëhet e ditur se qeveria ka vendosur që të mos ndërmerret asnjë masë tjetër plotësuese, ndërsa të punohet intensivisht për kapërcimin e situatës.

Gjithashtu, nuk përjashtohet mundësia që dy shtetet njëkohësisht të tërheqin vendimet dhe me këtë të normalizohen raportet ndërmjet dy vendeve.

Kjo, sipas burimeve, mund të ndodhë në dy-tre ditët e ardhshme me atë që ekzekutivi i Maqedonisë t’i tërheqë vendimet për importin e kushtëzuar të miellit, si dhe taksat rrugore për shtetasit e Kosovës, ndërsa Qeveria e Kosovës masat e vendosura për ndalimin e prodhimeve të Maqedonisë të destinuar për tregun kosovar.

Ndërkohë, në vendkalimin kufitar Bllacë mes dy shteteve, edhe sot kanë vazhduar bllokadat e Shoqatës së transportuesve “Makamtrans”.

Kjo ka bërë që të ketë reduktim të lëvizjes së qytetarëve në të dyja anët e kufirit, ndërsa rastet urgjente po kalojnë kufirin në këmbë nëpër rrugë alternative ku priten nga të afërmit apo me taksi udhëtojnë drejt destinacionit të tyre.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë, situatë e ngjashme paraqitet edhe në vendkalimin kufitar Jazhincë-Glloboçicë në Tetovë, ku lëvizja e qytetarëve është edhe më e reduktuar.

Nga shoqata “Makamtrans”, e cila ka bllokuar kufirin, thanë kamionët e tyre do të tërhiqen nga rruga vetëm pasi të kenë sinjale për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.

“Situata mbetet e pandryshuar, ne qëndrojmë në kufi dhe nuk e kemi ndërmend të tërhiqemi derisa nuk marrin sinjale pozitive nga të dyja palët. Edhe një herë u bëjmë thirrje dy qeverive që të mendojnë mirë pasi jemi në shekullin XXI dhe është qesharake të aplikojmë embargo dhe bllokada në kohën kur dihet se Bashkimi Evropian po punon për zgjerimin e tregtisë së lirë”, deklaroi Biljana Muratovska nga Shoqata e transportuesve “Makamtrans”.

Ajo thotë se veprimi i kësaj shoqate është në përputhje të plotë me ligjin edhe pse në nenin 2 të ligjit për tubime publike, thuhet se bllokada dhe protesta nuk mund të ketë në rrugët magjistrale, për shkak të rrezikimit të komunikacionit rrugor.

“Protesta është e paraqitur dhe këtu është edhe një automjet i ndihmës së shpejtë, kështu që probleme nuk janë regjistruar. Neve na vjen keq për këtë formë të protestës, por ishim të detyruar të ndërmarrin një hap të tillë pasi transportuesit janë ata që të parët i ndiejnë pasojat e masave të tilla”, u shpreh Muratovska.

Ndërkohë, bllokimi i kufirit mes Maqedonisë dhe Kosovës është dënuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-perëndimore duke e vlerësuar aktin e tillë si anti-njerëzor.

“Askush nuk guxon të ndërmarrë veprime të tilla anti-ligjore dhe mbi të gjitha anti-njerëzore, të pengimit të qarkullimit të lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit që paraqesin edhe parimet bazë të ekonomisë së tregut, por edhe kritere bazë të Marrëveshjes së CEFTAS ”, thuhet në reagimin me shkrim të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-perëndimore.

Nga ana tjetër, për situatën e krijuar ka reaguar edhe ish-ministri i Financave, Nikolla Poposki, duke fajësuar për këtë rast para së gjithash qeverinë maqedonase.

“Askënd nuk e arsyetoj, por mendoj se Qeveria e Maqedonisë ishte ajo që ka provokuar e para situatën dhe ç'është më e keqja, bëhet fjalë me shtete fqinje, të cilat, në vend që t’i zgjidhim problemet ekonomike, futen edhe në probleme politike që mund edhe të mos u dihet fundit. Besoj se në fund situatën do ta marrin në dorë ndërkombëtarët, pasi nëse vazhdohet kështu, ne do të përfundojmë edhe më keq se në komunizëm”, theksoi Popovski.

Dëmet nga embargoja ndërmjet dy vendeve, sipas shoqatave ekonomike të Maqedonisë, janë të larta për kompanitë maqedonase, të cilat, vlerësohet të kenë humbur deri në 1 milion dollarë në ditë për shkak të suficitit të madh tregtar që ka Maqedonia në raport me Kosovën.
XS
SM
MD
LG