Ndërlidhjet

Oda Ekonomike Amerikane thirrje Maqedonisë, hiqi taksat për kosovarët


(Ilustrim)
(Ilustrim)
Oda Ekonomike Amerikane vlerëson se heqja e vendimit maqedon që detyron qytetarët kosovarë të paguajnë taksë sa herë hyjnë në Maqedoni “do të krijonte hapësirën e nevojshme për të dyja palët që të ulen dhe negociojnë për zgjidhjen e mospajtimeve dhe tejkalimin e situatës momentale”.

Përmes një njoftimi dërguar mediave, Oda Ekonomike Amerikane vlerëson se vendimi maqedon për këtë taksë është politik dhe ai “nuk ka të bëjë asgjë me çështjet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë”.

“Çfarëdo reagimi ose veprimi politik ndaj veprimeve që kufizojnë tregtinë e lirë, siç është vendosja e taksave për hyrje, apo edhe regjimi i mundshëm i vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës, të ndërmarra në mënyrë arbitrare nga shtetet anëtare të CEFTA-së, e që shkelin dispozitat e CEFTA-së mbi çështjet e konsultimit ose arbitrazhit mund të shkaktojë dëme të pariparueshme në raportet tregtare ndërmjet dy shteteve, në këtë rast Kosovës dhe Maqedonisë. Veprimet e tilla politike nuk lejojnë shtetet anëtare që të zgjidhin kontestet e tyre përmes mjeteve ligjore të parapara në kuadër të marrëveshjes CEFTA”, thuhet ndër të tjera në këtë njoftim.

Komunikata vlerëson më tej se “duke pasur parasysh, ndikimet negative që ka situata momentale në ekonomitë e të dyja vendeve, por edhe pasojat që mund të ketë kjo situatë në raportet afatgjata midis të dyja vendeve, e që janë në kundërshtim me vlerat e fqinjësisë së mirë në të cilën ndërtohet Bashkimi Evropian, Oda Amerikane u bënë thirrje autoriteteve në Kosovë dhe në Maqedoni që duke shfrytëzuar kornizën ligjore të paraparë në kuadër të marrëveshjes CEFTA, të zgjidhin sa më shpejtë të jetë e mundur të gjitha kontestet tregtare”.
XS
SM
MD
LG