Ndërlidhjet

logo-print

Prishtina miraton marrëveshjet për energjinë dhe telekomin


Qeveria e Kosovës ka miratuar dy marrëveshjet e arritura në takimin e fundit ndërmjet kryeministrave, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq të mbajtur në Bruksel.

Kryeministri Hashim Thaçi i ka cilësuar marrëveshjet e arritura në dialogun me Beogradin për energjinë dhe telekomin si shumë të rëndësishëm e për Kosovën.

Sipas tij, pas një dialogu të gjatë, Kosova më në fund po fiton kodin e vet telefonik ndërkombëtar, por i cili do të mund të përdoret në fillim të vitit 2015.

Po ashtu, ka vijuar ai, edhe me marrëveshjen për energjinë po i jepet fund ndërhyrjes së operatorëve të Serbisë brenda territorit të Kosovës.

Përfitimet e Kosovës nga këto marrëveshje, sipas kryeministrit Thaçi janë të shumta, si në planin e arkëtimit të parave ashtu edhe në përfitimin e një elementi të munguar në kuadër të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

Rëndësia dhe përfitimet politike dhe ekonomike, si rezultat i këtyre dy marrëveshjeve, janë shumë të rëndësishme për shtetin tonë. Kosova, si rezultat i marrëveshjes për telekomunikacionin, më në fund do ta fitojë edhe një atribut tjetër shumë të rëndësishëm të munguar të shtetësisë së saj. Pra, shteti ynë sovran dhe demokratik do të ketë kodin e vet unik telefonik, që do t’i jepet nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve”, ka thënë Thaçi.

Përveç marrëveshjes për telekomunikacionin, ne kemi arritur edhe marrëveshjen për energjinë me të cilën përfundimisht i jep fund ndërhyrjeve ilegale të Serbisë në sistemin energjetik të Kosovës”, është shprehur Thaçi.

Takimi i fundit në Bruksel ka rezultuar edhe me disa dakordime të dy kryeministrave për modalitetet e mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit.

Vëmendja e Brukselit është përqendruar sidomos në çështjen e përfshirjes në këtë proces të komunave veriore të banuara me shumicë serbe.

Në këtë aspekt, Beogradi ka vendosur që të shpërbëjë kuvendet komunale në veri dhe formoj një trup punuese që do të merret me themelimin e asociacionit të komunave serbe pas zgjedhjeve.

Po ashtu, Beogradi i cili në këtë proces negociatash shihet si faktori kyç për përfshirjen e serbëve verior në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, ka mbështetur publikisht pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, por përmes një liste unike qytetare me emrin “Serbia” e cila konsiderohet si lokale ndaj qeverisë së kryeministrit Daçiq.

Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, tërheq vërejtjen se qeveria serbe, sipas marrëveshjes së Brukselit duhet të angazhohet për zgjedhje fer, korrekte e të drejta dhe pa favorizime, siç po vepron me listën unike.

“Kushti është që zgjedhjet të mbahen pa incidente. Ajo që i është thënë kryeministrit Daçiq është që të mos e favorizoj listën shtetërore serbe dhe të mos bëj presion apo ushtroj dhunë ndaj serbëve tjerë që marrin pjesë në këtë proces zgjedhor”, ka thënë Janjiq.

Marrëveshjet në dialogun Kosovë – Serbi të arritura me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë si qëllim normalizimin e raporteve mes dyja vendeve dhe vendosjen e një bashkëpunimi qoftë minimal.

Kurse organizimi i zgjedhjeve lokale në veri ku serbët përmbajnë shumicën dhe konstituimi i organeve lokale, bashkë me asociacionin e komunave serbe, parashihet se do të ishte kulmi i suksesit apo edhe mos suksesit të këtij dialogu.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG