Ndërlidhjet

Ministrat iranianë i bashkohen Facebook-ut


Ilustrim
Ilustrim
Mohammad Javad Zarif, ministër i Punëve të Jashtme të Iranit, ishte i pari. Në gusht, pasi faqja e tij në Facebook u aktivizua, Zarif bëri të ditur se ajo përditësohej nga ai dhe fëmijët e tij. Zarif arriti të grumbullonte për pak kohë 160,000 “pëlqime” dhe u bë i njohur në shaka si “ministri Facebookut”.

Pas tij, edhe shumë anëtarë të tjerë të kabinetit të presidentit iranian, Hassan Rohani, iu bashkuan këtij rrjeti social global, të cilin qeveria iraniane e kishte bllokuar për përdorim prej vjetësh. Sipas të përditshmes “Shargh”, 18 anëtarë të kabinetit qeveritar kanë tashmë faqet e tyre në Facebook.

Rohani vetë nuk ka një faqe zyrtare në Facebook, por ka kritikuar filtrimin e materialeve online në të kaluarën dhe ka thënë se hulumtimi në internet është një nga hobit e tij.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Marzieh Afkham, e cila gjithashtu është në Facebook, ka shkruar para pak kohësh në faqen e saj se ishte inspiruar nga veprimet pro-aktive të shefit të saj Zarif.

Hapja masive e faqeve në Facebook nga ana e anëtarëve të kabinetit iranianë, po shihet - si brenda ashtu edhe jashtë Iranit, që njëherësh është një prej censuruesve më të ashpër të internetit në botë - si një përpjekje e qeverisë për të qenë më të hapur dhe interaktivë me rininë e vendit, e cila është shumë e dhënë pas internetit.

Ngjarja ka rihapur debate në Republikën Islamike mbi rolin e mediave sociale dhe standardin e dyfishtë të zyrtarëve, të cilët vetë përdorin faqe të tilla, përballë dëshirës së publikut për zhbllokimin e rrjetit më të famshëm social në vend, Facebook.

Disa zyrtarë qeveritarë kanë lënë të kuptohet se po konsiderohen zbutje të masave ndaluese për përdorim të këtyre faqeve.

Zëdhënësja Afkham shkroi në faqen e saj në Facebook më 10 shtator, që qeveria po planifikon të ndjekë hapa ligjorë për të mundësuar përdorimin e përgjithshëm të mediave sociale dhe faqeve të ngjashme.

Një ditë më herët, Mohammad Reza Aghamiri, një nga anëtarët e task-forcës iraniane për filtrimin e informative, deklaroi se Facebooku kishte gjasa të zhbllokohej pjesërisht, por censura do të vazhdonte të mbetej në fuqi. Ai është cituar nga mediat iraniane të ketë thënë se përmbajtjet eventualisht kriminale në Facebook, do të mund të filtrohen nga përmbajtjet, sipas tij, të dobishme.

Gholam Hossein Mohseni Ejei, prokuror gjeneral i Iranit dhe kreu i task- forcës për filtrimin e të dhënave, ka bërë komente të ngjashme po të njëjtën ditë, pasi ishte pyetur nga gazetarët se pse filtrimi i të dhënave në Facebook ishte i nevojshëm nëse zyrtarët qeveritarë e përdornin vetë atë.

"Nëse krimet dhe instancat e aktivitetit kriminal largohen nga Facebooku, atëherë filtrimi i kësaj faqeje mund të ndërpritet”, e kanë cituar agjencitë iraniane të lajmeve “Ejein”, duke u thirrur më tutje në të njëjtën deklaratë se “nëse instancat e aktivitetit kriminal vazhdojnë të ekzistojnë në Facebook, atëherë edhe filtrimi do të vazhdojë”.
Në mes të këtij debati, kreu i task-forcës përgjegjëse për censurimin online dhe krimet kompjuterike, Abdolsamad Khoramabadi, ka deklaruar se njësia e tij do të bëjë një shikim të detajuar mbi përmbajtjen e faqeve të Facebookut të ministrave të kabinetit.

“Disa thonë se ka pasur postime të përmbajtjeve kriminale nëpër faqe të tilla dhe se task-forca duhet t’studiojë ato dhe të japë mendimin e vet”, deklaroi Khoramabadi gjatë fundjavës.

Nuk është e qartë nëse ai po ju referohej postimeve të vetë zyrtarëve, apo komenteve kritike që shumë iranianë kanë postuar në faqet zyrtarëve.

Shumë ligjvënës iranianë të intervistuar për ueb faqen “Fararu” kanë tingëlluar optimistë për zgjerimin e përdorimit të internetit nga ana e qeverisë.
Ligjvënësi Gholamreza Tajgardun ka thënë se ciliatdo mjete për komunikim me njerëzit, duhet të shihen si pozitive.

Esmail Jalili ka thënë se mediat sociale duhet të shihen si një mundësi, ndërsa një tjetër ligjvënës, Kamaledin Pirmoazen, ka deklaruar se nuk ka kurrfarë nevoje për filtrim të medieve sociale në kohën e sotme.

Për të tjerët, ndërkaq, faqet e rrjeteve sociale, sidomos Facebooku, janë ende mjete armiqësore.

Kreu i policisë kibernetike në provincën jugore të Semnanit, Ali Mirhamadi, e ka përshkruar së fundmi Facebookun si “kalin e Trojës së mafisë zioniste”, e cila iu shërben shërbimeve inteligjente të Perëndimit.

Në të njëjtën kohë njeriu, i cili nisi gjithë këtë debat, ka bërë lajm edhe në rrjetin tjetër Twitter.

Javën e shkuar, ministri i Punëve të Jashtme, Zarif, “cicëroi” në Twitter përgëzimet e tij për hebrenjtë e Iranit me rastin e vitit të ri hebre, si dhe pati një shkëmbim të shkurtër mesazhesh me të bijën e lideres së pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosit, Christine Pelosi.

"Viti i ri do të ishte edhe më i ëmbël sikur ju t’i jepnit fund mohimit iranian të Holokaustit”, kishte shkruar Christine Pelosi, në Twitter si përgjigje ndaj urimeve të Zarifit.

Zarif i ishte përgjigjur duke thënë se, "Irani nuk e ka mohuar kurrë Holokaustin. Njeriu që e kishte mohuar atë tashmë kishte ikur”, duke iu referuar kështu ish-presidentit Ahmadinejad.

Ky ”tweet” u pasua nga përgëzime mbi sjelljen diplomatike dhe aftësitë për përdorim të mediave sociale të Zarifit.

Por, jo të gjithë ishin të lumtur.

E përditshmja konservative, "Kayhan" shkroi se “tweetat” e tillë të çuditshëm nuk ishin konform etikës diplomatike dhe se Zarifi ka ofenduar presidentin e mëparshëm Mahmud Ahmadinejad,i cili vazhdimisht kishte kontestuar shkallën e ekzistimit të Holokaustit.

“Kayhan" megjithatë, nuk ishte kundër përdorimit të rrjeteve sociale nga ana e Zarifit.
XS
SM
MD
LG