Ndërlidhjet

“Faleminderit Obama, por nuk mund të na ndihmoni”

  • RFE /RL

Siri...

Siri...

Ish-punonjësi i familjes presidenciale të Sirisë thotë se bombardimet intensive e kanë detyruar atë të largohet nga vendi.

Mihran Bertizlian ka punuar si përkthyes turk për gruan e presidentit, Bashar al-Assad, Asma, përpara se të largohej nga Siria për në Armeni, pesë muaj më parë.

Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, ai përshkruan skenat e dhunës dhe të shkatërrimit në qytetin e tij Alepo. Thotë se është larguar nga frika për familjen e tij.

Kam qëndruar derisa janë përkeqësuar gjërat. Ka pasur shumë bomba që kanë rënë pranë shtëpisë sime. Nuk ka pasur ujë as energji elektrike. Andaj, kam lënë shtëpinë, vendlindjen dhe qytetin që dua”, thotë ai.

Bertizlian tregon se ka parë shumë trupa të pajetë në rrugën drejt kufirit. Por, për kërdinë, ai nuk bën përgjegjës Assadin. Atë dhe gruan e tij i përshkruan si “njerëz të mirë” dhe të angazhuar shumë për mirëqenien e kombit.

Ai nuk beson se udhëheqësi sirian është prapa sulmit kimik jashtë Damaskut, i cili ka bërë që Shtetet e Bashkuara të kërcënojnë Sirinë me ndërhyrje ushtarake.

Administrata e presidentit Barack Obama vlerëson se sulmi i 21 gushtit ka vrarë mbi 1,400 njerëz - një e treta nga ta fëmijë.

Edhe pse zyrtarët amerikanë dhe grupet e të drejtave të njeriut thonë se provat sugjerojnë fuqishëm përfshirjen e Qeverisë siriane, Bertizlian thotë se shumë pak dihet rreth sulmit për të bërë akuzat.

Sipas tij, rrënja e konfliktit sirian nuk qëndron te politikat e Assadit, por më tepër në, siç thotë ai, përpjekjet e Perëndimit për të nxitur revolta antiqeveritare në gjithë botën arabe.

Me gjithë besnikërinë ndaj Assadit, Bertizlian pranon se Sirisë i duhet “më shumë demokraci” dhe thotë se do të mbështeste një revolucion demokratik në vendin e tij, me kusht që ai të bëhet nga sirianët.

Ai thotë se ushtria rebele, që lufton forcat e Assadit, ka shumë të huaj që shqetësim kryesor nuk kanë Sirinë, por Islamin.

“Dua të shoh revolucion nga sirianët. Ky revolucion ka nisur pjesërisht nga sirianët, por më nuk është revolucion sirian”, shprehet Bertizlian.

I krishterë, me origjinë armene, Bertizlian thotë se ka folur rregullisht me rebelët e huaj islamikë, gjatë kohës sa ka qenë në Siri.

Ai thotë se qëllimi i tyre i deklaruar është të përmbysin Assadin, të cilin e shohin si pro-izraelit dhe se kjo është pjesë e fushatës së tyre më të madhe për të rikthyer Jerusalemin.

Në të njëjtën kohë, ai mendon se Obama dhe udhëheqësit tjerë perëndimorë i kuptojnë pak realitetet e ndërlikuara fetare, etnike dhe politike të rajonit.

“Sirianët mund t’i ndihmojnë njëri-tjetrit. Nëse duan, ata mund ta zëvendësojnë Basharin ose ta lënë ku është. Faleminderit Obama, por na lini të vendosim se çfarë do të bëjmë. Ju nuk mund të na ndihmoni. Lindja e Mesme është një vend shumë ndryshe, me shumë kultura, fe dhe gjuhë. Obama nuk mund të na kuptojë. Ai do të na ndihmojë, por ne nuk kemi nevojë për këtë ndihmë”, thotë Bertizlian.

Derisa pritjet për ndërhyrjen ushtarake të Perëndimit janë rritur, mijëra sirianë kanë lënë vendin e tyre, për t’u vendosur kryesisht në Liban dhe Turqi. Gjasat për sulme janë zbehur pak këtë javë me një plan rus, i cili parasheh që Siria të dorëzojë të gjitha armët kimike nën kontrollin ndërkombëtar.

Bertizlian nuk mendon se Perëndimi do të kryejë sulme, por beson se jeta e Assadit është megjithatë në rrezik, derisa vazhdon të kapet për pushtet.

Po të isha në vendin e tij, unë do të largohesha nga vendi dhe nuk do të kthehesha kurrë”, thotë Bertizlian.(v.tela)
XS
SM
MD
LG