Ndërlidhjet

Putin zgjedh NYT të qortojë Obamën

  • RFE /RL

Vladimir Putin

Vladimir Putin

Presidenti rus, Vladimir Putin, i është drejtuar popullatës amerikane përmes një editoriali të botuar në ”New York Times” duke e kundërshtuar sulmin ndaj Sirisë dhe në të njëjtën kohë, duke vazhduar ta mbrojë presidentin sirian, Bashar al Assad.

Ai ka thënë se janë rebelët sirianë ata që janë fajtorë për sulmin me armë kimike, e jo Qeveria e Sirisë.

Në shkrimin e botuar mbrëmjen e së mërkurës në faqen e internetit të gazetës amerikane, Putin ka thënë se: “Nuk ka dyshim që gazi helmues është përdorur në Siri. Mirëpo, ka shumë arsye për të besuar se nuk ishte ushtria siriane, por forcat opozitare ato që e përdorën për të provokuar një intervenim nga patronët e tyre të huaj e të fuqishëm, të cilët do të mbanin anën e fundamentalistëve”.

Komenti i Putinit është publikuar në një kohë kur shefat e diplomacive të SHBA-së dhe Rusisë pritet të takohen në Gjenevë për të diskutuar planin rus për armatimin kimik të Sirisë.

Damasku është pajtuar që të dorëzojë arsenalin e armatimit kimik nën kontroll ndërkombëtar, i cili më pas do të shkatërrohet, derisa presidenti amerikan, Barack Obama, ka thënë se ai i ka kërkuar Kongresit që ta shtyjë kohën e votimit për sugjerimin e tij për sulm ushtarak në Siri për t’i dhënë kohë diplomacisë.

Putin e ka përfunduar shkrimin e tij me një kritikë dënuese të ideologjisë amerikane të të qenët të veçantë nga të tjerët.

“Është shumë e rrezikshme që të inkurajohen njerëzit që ta shohin veten si të jashtëzakonshëm, për çfarëdo arsye”, ka thënë ai.

Në fjalimin, me të cilin i është drejtuar të martën popullit amerikan, Obama kishte thënë se idealet dhe principet amerikane “po rrezikohen në Siri”, derisa kishte ripërsëritur akuzën amerikane se regjimi i Assadit ka përdorur armët kimike.

Gjatë fjalimit, Obama kishte theksuar se, “Kjo është ajo që na bën neve të veçantë. Me përulësi, por me vendosmëri, të mos e harrojmë të vërtetën esenciale”.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, ka thënë se ishin komentet e presidentit amerikan ato që nxitën zhvillimet e reja diplomatike, “pasi, sipas tij, deri para dy ditësh, Siria as që e ka pranuar se posedon armatim kimik”.

Komenti i Putinit është bërë në kohën kur në Gjenevë pritet të takohen kryediplomati amerikan, John Kerry, dhe ai rus, Sergei Lavrov, për të diskutuar propozimin rus për Sirinë.

Gjatë një vizite në Kazakistan, Lavrov ka thënë se ekspertët e Rusisë dhe SHBA-ve dhe ndoshta edhe ndërmjetësi i Ligës Arabe të OKB-së, Lakhdar Brahimi, do të marrin pjesë në diskutime.

"Ne, padyshim që duhet të sigurojmë që Siria t’i bashkohet Konventës së Armëve Kimike, në bazë të së cilës Siria duhet t’i deklarojë vendet e stoqeve të këtij armatimi, të zbulojë programin e saj të armëve kimike dhe duke u mbështetur në këtë, ekspertët do të vendosin çfarë masash konkrete duhet të ndërmerren”, ka thënë Lavrov.

Para se Kerry të nisej për në Gjenevë, zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Jen Psaki, ka thënë: “Qëllimi ynë është të testojmë seriozitetin e këtij propozimi, të bisedojmë për specifikat se si do të realizohet kjo, cili është mekanizmi i identifikimit, verifikimit, sigurimit dhe përfundimisht shkatërrimit të armëve kimike”.

Iniciativa është hedhur poshtë nga Koalicioni Kombëtar Sirian, që vlerëson se propozimi rus është një “manovër politike” që e ka për qëllim ta shpëtojë regjimin e Assadit nga sulmet amerikane.(a haraqija)
XS
SM
MD
LG