Ndërlidhjet

logo-print

Imazhi i Kosovës dhe hetimet e zyrtarëve shëndetësorë


Ilustrim

Ilustrim

Problemet e shumta në shëndetësinë kosovare nuk po mbarojnë.

Përveç mungesës së barnave të listës esenciale, e cila që prej pas luftës nuk ka arritur asnjëherë të përmbushet tërësisht, cilësia e dobët e shërbimeve shëndetësore, mungesa e sallave të operacionit, tash hetimet e zyrtarëve të lartë shëndetësorë, janë bërë ndër çështjet më problematike.

Së fundmi, Prokuroria Themelore në Prishtinë po zhvillon hetime në lidhje me importin e produkteve mjekësore në Republikën e Kosovës, si dhe lëshimin e licencave dhe pajisjen e këtyre produkteve me banderola nga Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale.

Për vepra penale në lidhje me këto raste dyshohen, mes të tjerëve, edhe gjashtë zyrtarë të lartë të AKPM-së, përfshirë edhe kryeshefin ekzekutiv, Ilir Dushi dhe 4 doganierë nga Dogana e Kosovës.

Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se pavarësisht hetimeve që po u bëhen zyrtarëve të lartë shëndetësorë, kjo nuk po ndikon në reformën shëndetësore.

Këtë e thotë Avdullah Klinaku, këshilltar i Ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani.

“Hetimet që po zhvillohen ndaj çdo personi në institucion, nuk paraqesin pasqyrë të mirë për institucionin. Në këtë proces të hetimeve ka edhe një anë pozitive, sepse Ministria e Shëndetësisë ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim me hetuesit deri në zbardhjen e rasteve, për të cilat zhvillohen hetime”.

“Në kuptimin e zhvillimit të reformës, nuk ka ndonjë ndikim negativ, sepse reforma është duke u zhvilluar, por nëse shihet në përgjithësi gjithë këto arrestime që janë bërë dhe gjithë këto hetime, e ka një telash, por ne jemi duke e rikuperuar punën, duke i zëvendësuar me ushtrues detyre ato poste në mënyrë që reforma të mos dështojë, dhe të mos neglizhohet zhvillimi i saj”, thotë Avdullah Klinaku, këshilltar i Ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani.

Arrestimet e fundit të zyrtarëve në AKPM janë bërë sipas Prokurorisë, pasi që ekziston dyshim i arsyeshëm se zyrtarë nga kjo agjenci kanë pajisur një kompani farmaciste me banderola për produkte mjekësore, edhe pse këto produkte ishin të importuara pa licencën e AKPM-së.

Por, jo edhe sindikalistët e shëndetësisë mendojnë se arrestimet e zyrtarëve shëndetësorë nuk ndikojnë negativisht, si në reformën shëndetësore, po ashtu edhe në imazhin e vendit.

Blerim Syla, udhëheqës i Federatës së Shëndetësisë, thotë:

“Ne, si sindikatë, e kemi ngritur zërin se sistemi është i korruptuar, gjë që e ka pranuar edhe vetë ministri i Shëndetësisë. Kjo ndikon në imazhin dhe mbarëvajtjen e punës së punëtorëve shëndetësorë dhe në punën në shëndetësi. Arrestimet e fundit nuk duhet lënë vetëm gjyqësisë, por ne duhet të brengosemi, sepse edhe kompanitë e huaja që do të investojnë në Kosovë për prodhimtari të barnave, do të hezitojnë, sepse kjo është një pasqyrë shumë e keqe për shtetin”.

Ndryshe, misioni evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, kohë më parë pati konfirmuar se një trup gjykues, i përbërë nga gjyqtarë ndërkombëtarë dhe vendas, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka shpallur fajtor tre persona nga Ministria e Shëndetësisë.

Bëhet fjalë për Ilir Tolajn, Arbenita Pajazitin dhe Hajrullah Fejzën. Derisa Bujar Bukoshi, Ismet Hyseni, Zenel Kuçi dhe Bekim Fusha, janë liruar nga të gjitha akuzat.

Sidoqoftë, zyrtarët nga AKPM-ja gjithashtu dyshohet se i kanë mundësuar edhe një kompanie tjetër farmaceutike prodhimin dhe shpërndarjen në treg të produkteve mjekësore, edhe pse e njëjta nuk i ka plotësuar kushtet ligjore dhe nuk ka qenë e pajisur me certifikatë për prodhimin dhe shpërndarjen në treg të produkteve mjekësore.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG