Ndërlidhjet

Bllacë: Taksa rrugore mbetet në fuqi


Qytetarët thonë se paguajnë taksë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:55 0:00

Qytetarët thonë se paguajnë taksë

Bllacë - Taksa rrugore maqedonase për shtetasit e Kosovës vazhdon të jetë në fuqi! Çdo kosovar që hyn në Maqedoni paguan dy euro.

Hatixhe Haliti që kaloi kufirin rreth orës 18 nga Hani i Elezit për në Bllacë, me tre fëmijët e saj, thotë për Radion Evropa e Lirë se pagoi 8 euro për të hyrë në Maqedoni.

“Kam paguar tetë euro! Për mua dhe fëmijët. Po të merrja edhe veturën, do të paguaja 10 euro plus, andaj e kam lënë matanë kufirit, dhe kufirin e kalova në këmbë”, thotë gruaja e revoltuar.

Ajo rrëfen se policia kufitare në Bllacë i ka thënë se vendimi për taksën rrugore është ende në fuqi dhe se “ndoshta nesër do të hiqet”.

“Por, sot është kështu, paguhet për të hyrë”, përcjell Hatixheja fjalët e policit kufitar maqedonas.

Edhe Driton Jasiqi, i cili kaloi kufirin, thotë se pagoi nëntë euro, edhe pse kishte marrë lajmin në Prishtinë se taksat ishin hequr.

“Nuk lëshuan, na thanë se duhet të paguajme pesë euro për makinën dhe dy euro për person, kështu që na i morën nëntë euro gjithsej”, thotë Driton Jasiqi.


Policët kufitarë, ndërkaq, refuzojnë të flasin për mediat, të cilave u kërkojnë që shpjegimet për çfarëdo çështje t’i kërkojnë në Shkup.

Një doganier thotë se taksat do të paguhen derisa të marrin ndonjë urdhër tjetër nga Shkupi.

Qeveria maqedonase nuk është prononcuar për këtë çështje gjatë tërë ditës.

Përderisa Prishtina zyrtare, gjegjësisht këshilltari i zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi ka thënë se taksa rrugore është abroguar, në terren del të jetë e kundërta, se ajo vazhdon të mbetet në fuqi.

Sipas masave të reja administrative maqedonase që kanë hyrë në fuqi të dielën më 8 shtator, secili shtetas i Kosovës që dëshiron të hyjë në Maqedoni duhet të paguajë 2 euro për person, 5 euro për veturë, 10 euro për autobus, dhe 20 euro për kamion.

Në pikën kufitare të Bllacës, vërehej qarkullim i dobët i automjeteve.


Zhvillimet gjatë ditës

Shoqata “Makamtrans”, e cila ka bllokuar kufirin, në Bllacë gjatë ditës kishte kumtuar se në shenjë të vullnetit të mirë do të zhbllokojë rrugën për automjetet nga 30 minuta në çdo dy orë deri në zgjidhjen e tërësishme.

Përfaqësuesja e Shoqatës së transportuesve të Maqedonisë, Biljana Muratovska, ka thënë se ky vendim ishte marrë pas sinjaleve pozitive nga politikanët se mund të zgjidhet kontesti mes Prishtinës dhe Shkupit rreth këmbimit tregtar.

“Në shenjë të vullnetit të mirë sot kemi vendosur të bëjmë lëshime të vogla. Derisa politikanët e njërës dhe anës tjetër negociojnë, ne do të zhbllokojmë akset rrugore për kalimin e automjeteve nga 30 minuta çdo dy orë, me qëllim që të ulet tensioni i krijuar", ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, Muratovska

Mundësinë për zgjidhjen e kontestit e kishte paralajmëruar edhe Qeveria e Maqedonisë, ndërsa si formë e mundshme ishte përmendur heqja njëkohësisht e vendimeve nga dy vendet, me çka do të vinte deri te normalizimi reciprok.

Ministri i Ekonomisë në Qeverinë e Maqedonisë, Valon Saraçini, të enjten qe shprehur optimist për zgjidhjen e ngërçit tregtar Maqedoni - Kosovë.

“Gjetja e zgjidhjes është prioritet i lartë i qeverive dhe i dy vendeve, dhe kjo duhet të ndodhë. Pas takimeve që patëm në Prishtinë me ministrat e Tregtisë dhe të Financave, vlerësoj se punët lëvizën në drejtimin e duhur. Dialogu ka filluar dhe janë krijuar kushtet për fillimin e një procesi, i cili duhet të çojë në arritjen e zgjidhjes së pranueshme për të dyja palët. Takimi i sotëm në nivel më të lartë qeveritar, duhet të rezultojë me një zgjidhje përfundimtare të problemit”, është shprehur Saraçini.

Se fillon të normalizohet situata thonë edhe bujqit, duke nënvizuar se vendosja e bisedimeve mes Prishtinës dhe Shkupit ka bërë që të shmanget paniku për plasman dhe me këtë fillojnë të stabilizohen dhe çmimet në treg.

“Po në fillim pësoi ulje çmimi i specave të kuq, tani sërish u stabilizua çmimi në 20 denarë, meqë një pjesë e prodhimeve shkuan në Kroaci dhe Greqi, ende kemi problem me plasimin e trangujve që kryesisht janë të destinuar për tregun kosovar”, thotë Risto Hristov, bujk.
XS
SM
MD
LG