Ndërlidhjet

Vazhdimësi e institucioneve serbe në veri


Mitrovicë
Mitrovicë
Shpërndarja e kuvendeve paralele të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës - Mitrovicë, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, ndërrimi i strukturave udhëheqëse atje dhe formimi i të ashtuquajturave qeverisje të përkohshme, paraqet vazhdimësi të institucioneve serbe në Kosovë, vlerësojnë liderët politikë serbë të veriut.

Pavarësisht se nuk pajtohen me ndryshimet që, sipas tyre, Qeveria serbe i ka imponuar duke e shkelur Kushtetutën e shtetit serb, ata thonë se institucionet në veri mbeten institucione të Serbisë.

Megjithatë, ata kanë shfaqur drojën se veprimet e fundit të Beogradit zyrtar, janë uverturë drejt heqjes së këtyre institucioneve, por që aktualisht qeveria aktuale serbe nuk guxon ta bëjë.

Lideri i serbëve të veriut, Slavko Stevanoviq, ish-drejtues i kuvendit paralel të Leposaviqit, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndryshimet që ka bërë Beogradi zyrtar në veri, për shkak të refuzimeve të përfaqësuesve të deritashëm serbë që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit që i organizojnë institucionet e Kosovës, nuk paraqesin shuarje të institucioneve paralele në veri.

“Nëse Qeveria e Serbisë i ka emëruar qeverisjet e përkohshme, Kuvendet komunale apo çfarëdo qoftë, atëherë ato janë institucione serbe. Ato qeverisje të përkohshme nuk i ka emëruar Qeveria e Kosovës, por ajo e Serbisë".

"Problemi i madh në gjithë këtë është se Qeveria e Serbisë i ka bërë këto ndërrime në mënyrë jo të ligjshme, sepse i ka ndërruar përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë legjitime nga populli dhe ka sjellë njerëz që nuk e kanë asnjë përkrahje nga populli. Por, megjithatë, ato ende janë institucione të Serbisë”,
thotë Stevanoviq.

Lideri tjetër i serbëve të veriut, Marko Jakshiq, në prononcimin dhënë Radios Evropa e Lirë thotë se ndryshimet e fundit në të ashtuquajturat kuvende të komunave serbe në veri, megjithatë janë vazhdimësi e institucioneve të Serbisë.

Sipas tij, kjo e fundit, pavarësisht kërkesave të Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare që t’i shuajë strukturat dhe institucionet paralele në veri, nuk e ka bërë këtë për shkak të frikës.

“Beogradi me këtë veprim nuk i ka hequr institucionet, sepse pavarësisht se sa përpiqet që të jetë fleksibil karshi Brukselit, ai nuk guxon dhe nuk mundet, sepse një gjë e tillë do të ishte vepër e rëndë penale dhe vepër e tradhtisë së madhe kombëtare. Sado që të përpiqet Qeveria e tanishme, ajo nuk guxon në këtë mënyrë t’i heqë institucionet e shtetit serb”, thekson Jakshiq.

Edhe Stevanoviq, shpreh mendimin se Qeveria serbe nuk guxon t’i shpërbëjë institucionet serbe në veri të Kosovës.

“Pavarësisht se kush e si vlerëson, unë mendoj se kjo nuk do të ndodhë kurrë. Unë mendoj se është në interesin e shtetit tonë të Serbisë që të ruaj integritetin dhe sovranitetin e saj e jo ta shes atë”, shprehet Stevanoviq.

Por, Jakshiq vlerëson se ndryshimet që ka bërë Qeveria serbe në veriun e Kosovës, janë vetëm hapi i parë drejt shuarjes së institucioneve të saj në Kosovë.

“Sipas meje, kjo është faza e parë. Faza tjetër është që t’i nxjerrë serbët në zgjedhje. Më pas, mund të lejoj që Gjykata Kushtetuese, në ndonjë mënyrë, të hedhë poshtë vendimin e Qeverisë së Serbisë. Por, pastaj, Beogradi do të thotë se logjika e aktit të kryer është e tillë dhe se serbët kanë dalë në zgjedhje dhe se e kanë pranuar një shtet tjetër apo një shtet të huaj”, vlerëson Jakshiq.

Ndryshe, kohë më parë, liderët serbë të veriut patën theksuar se në rast se Beogradi i ndërmerr hapat, të cilët tashmë i ka ndërmarrë, atëherë ata do t’i orientojnë veprimet politike përmes të ashtuquajturit Kuvend i përkohshëm i Kosovës, të cilin e patën themeluar në fillim të muajit korrik të këtij viti.
XS
SM
MD
LG