Ndërlidhjet

Armët kimike në Siri: Mos beso dhe verifiko!


Siri

Siri

Kurrë mos e dorëzo iniciativën! Në trajtimin e përdorimit të armëve kimike në Siri, Barack Obama, ka shkelur dy herë këtë rregull themelor të diplomacisë. Së pari, presidenti ka paraqitur çështjen e ngatërruar të administratës për votim në një Kongres armiqësor. Tani i ka dorëzuar timonin presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, që nuk është aspak mik i Amerikës. Putini është duke mbështetur një skemë për çarmatosjen e Sirisë nga gazi helmues dhe agjentët nervorë.

Me këtë hyrje nis editorialin gazeta “Economist”.

Sipas saj, çarmatimi mund të funksionojë, por ka rrezik që Bashar al-Assadi të vazhdojë të mashtrojë dhe të bëjë bisht. Për të rikthyer kontrollin, Obama dhe aleatët e tij në Perëndim duhet të kërkojnë një rezolutë të shtrënguar të Kombeve të Bashkuara që udhëzon Sirinë të bashkëpunojë. Nëse Assadi dhe Putini pengojnë OKB-në, Amerika duhet të jetë gati për sulme, shkruan gazeta.

Propozimi rus ka ardhur pasi Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë se regjimi sirian mund t’iu shmanget sulmeve vetëm nëse dorëzon armët kimike.

Rusia është kapur për fjalë dhe ka propozuar pikërisht këtë. Assadi thuhet se është pajtuar me dorëzimin e armatimit kimik nën mbikëqyrjen e Rusisë dhe të Kombeve të Bashkuara.

Kjo do ta ndalojë atë nga kryerja e një tjetër sulmi me agjent nervor, i ngjashëm me atë të 21 gushtit, i cili ka vrarë afro 1,500 njerëz. Po ashtu, do të dëshmojë se bota nuk toleron luftën kimike. Dhe, pas disa muajsh të shpenzuar duke folur me njëra-tjetrën, fuqitë perëndimore do të kenë shans për të punuar së bashku në OKB, për të ndaluar gjakderdhjen në Siri.

“Economist” thotë se plani është joshës, sepse u shërben shumë interesave. Assadi do të shmangë sulmet amerikane me ashpërsi ndoshta shkatërruese. Ai, po ashtu, do të ketë shansin për t’u dukur më i arsyeshëm apo, së paku, më i arsyeshëm se rebelët e infiltruar nga Al Kaida.

Në paraqitjen si burrështetas, Putini mund të thotë se diplomacia mund të arrijë shumë më shumë sesa thirrjet e hovshme të Perëndimit për ndryshimin e regjimit. Për disa, kjo do të arsyetojë mbështetjen e tij për Assadin gjatë luftës brutale civile. Obama mund të pretendojë se strategjia e tij brilante ka dhënë frute. Votuesit amerikanë, të cilët nuk duan përfshirje të reja në luftë, mund t’i besojnë atij, shkruan gazeta.

Por, për fat të keq, ka shanse që gjërat të shkojnë keq. Edhe po qe se të gjitha palët pranojnë marrëveshjen me besim të mirë, praktikat janë të frikshme. Çdo operacion për të shkatërruar arsenalin e Sirisë mund të marrë vite. Derisa lufta civile të nxehet, do të jetë vështirë të mbrohen inspektorët e OKB-së dhe ata të kenë qasje në të gjitha lokacionet kimike të Sirisë.

Çfarë nëse besimi i mirë mungon? Saddam Husseini ka dëshmuar në Irak se si një regjim mund të luajë si macja me miun me inspektorët e armëve. Hapësira e Assadit për të penguar çarmatimin është pothuajse e pafund. Falë javëve të kaluara, ai tani e di se votuesit në Perëndim nuk kanë oreks për sulme në Siri. Kryeministri britanik ka përjetuar disfatë në parlament. Presidenti francez, heroi që ka dërguar trupat në Mali, nuk duket se do sulmet ndaj Assadit.

Sipas gazetës, një plan i paqartë mund të jetë një mundësi për Assadin që të vazhdojë me krimet. Ai mund t’i ketë duart e lira për të bërë më të keqen për popullin e tij, duke qenë i sigurt se asnjë fuqi e huaj nuk do ta mbrojë.

Për të pasur sukses në ndalimin e armëve kimike, Obama duhet të rikthejë iniciativën. Për këtë, ai ka nevojë për një rezolutë të ashpër të OKB-së, të mbështetur nga vota në Kongres, e cila lejon forcën nëse diplomacia dështon.

Assadi ka bombarduar, vrarë dhe helmuar popullin e tij. Vetëm këtë javë, ai ka mohuar se ka armë kimike, edhe pse ministri tij i Jashtëm e ka pranuar. Ai nuk është një njeri që mund t’i besohet. Kjo është arsyeja përse rezoluta e OKB-së duhet të jetë e qartë - nëse Assadi nuk e mban fjalën, do të pasojë sulmi ushtarak, shkruan “Economist”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG