Ndërlidhjet

Maqedonia hoqi embargon për miellin, apo kaloi afati?


Ilustrim

Ilustrim

Në mesnatë hyn në fuqi vendimi i Qeverisë së Maqedonisë për heqjen e ndalesës për import të miellit nga vendet fqinje, përfshirë edhe Kosovën, me ç`rast pritet dhe normalizimit të raporteve Shkup - Prishtinë.

Por, Shoqata e Transportuesve të Maqedonisë as të shtunën nuk ka larguar kamionët, të cilët bllokojnë akset rrugore për automjetet në pikën kufitare në Bllacë, me arsyetimin se përderisa Qeveria maqedonase ka marrë vendim dhe të njëjtin e ka firmosur, të njëjtën gjë nuk e ka bërë dhe pala kosovare.

Përfaqësuesja e “MakTrans”, Billjana Muratovska, thotë se nuk u beson deklarimeve me gojë. Për zhbllokimin e rrugës, ajo dëshiron të shohë dokument të nënshkruar.

“Nëse gjatë ditës, kryeministri i Kosovës gjen kohë për të nënshkruar një vendim që të heqë embargon për mallrat nga Maqedonia, në atë moment ne do t’i largojmë kamionët dhe do të fillojë funksionimi normalisht”, thekson Muratovska.

Ndërkohë, duke komentuar faktin se Shoqata e Transportuesve të Maqedonisë nuk është kompetente për të bërë kushtëzime të këtilla, Muratovska thotë se përderisa pësojnë humbje të mëdha transportuesit, kërkesa e saj është më se legjitime.

Nga ana tjetër, autoritetet e Qeverisë së Maqedonisë, kanë sqaruar se vendimi për heqjen e ndalesës së eksportit të miellit, hyn në fuqi mbrëmjen mes së shtunës dhe së dielës.

Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Muhamed Hoxha, është shprehur optimist se pas vendimit të marrë nga Shkupi zyrtar, edhe Qeveria e Kosovës do t’i përgjigjet me heqjen e embargos, me çka do të hiqen të gjitha barrierat tregtare mes dy shteteve.

“Është një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën fqinje. Pas këtij vendimi, Qeveria e Kosovës duhet të sjellë vendimin, me të cilin do të shfuqizojë embargon për prodhimet e Maqedonisë, të cilat hyjnë në Kosovë dhe më pas, me automatizëm, apo paralelisht hyn në fuqi edhe vendimi i Qeverisë së Maqedonisë, shfuqizohet masa e taksës rrugore për shtetasit e Kosovës”, deklaron Hoxha.

Ndërsa analistët politikë vlerësojnë se “përzierja” e politikës në betejën tregtare Maqedoni - Kosovë do të mund të reflektohet edhe raportet ndëretnike.

Politikologia maqedonase, Sonja Stojadinoviq, vlerëson se është për të ardhur keq se çështje të caktuara ekonomike politizohen për të përfituar pikë politike udhëheqësit politikë, edhe pse, siç shprehet ajo, kjo lojë nuk mund të jetë aq e rrezikshme ngase Maqedonia e ka kaluar “sëmundjen e fëmijëve” që në konfliktin e 2001-shit.

“Mendoj se ky lloj i manipulimit është aq i tejdukshëm sa që qytetarët e vërejnë se bëhet fjalë për manipulim dhe dinë se pas saj nuk qëndron asgjë”, shprehet Stojadinoviq.

Edhe Edmond Ademi, analist politik, konsideron se në momentin që Qeveria maqedonase vendosi taksa për shtetasit e Kosovës, demaskoi “betejën tregtare”, e cila kishte prapavijë politike.

”Në momentin që vendimi i Qeverisë maqedonase për taksa ndaj shtetasve të Kosovës hyri në fuqi, problemi tregtar u shndërrua në problem politik, përmes të cilit kryeministri Nikolla Gruevski, pa abstrakuar edhe përgjegjësinë e BDI-së si partner në Qeveri, deshi të dëshmojë fuqinë e tij vizavi shqiptarëve të Kosovës.

”Se ka lojë politike, madje shumë të madhe, dëshmojnë dhe deklaratat e djeshme se me angazhimin e kreut të BDI-së, zhbllokohet kufiri, gjë që s’është e vërtetë, sepse thjesht kaloi afati kur dhe ishte vendosur embargoja për import të miellit sa ishte caktuar deri më 15 shtator. Do të thotë asgjë s’ka ndryshuar, por thjesht bëhet fjalë për lojë politike për të grumbulluar pikë politik, VMRO DPMNE-ja te maqedonasit dhe BDI-ja te shqiptarët”
, vlerëson Ademi.
XS
SM
MD
LG