Ndërlidhjet

Pjesëtarët e MUP-it në veri i verifikon EULEX-i apo AKI-ja?


Patrulla e Policisë së Kosovës në jug të lumit Ibër.
Patrulla e Policisë së Kosovës në jug të lumit Ibër.
Integrimi i pjesëtarëve të strukturave paralele serbe të sigurisë në veri në kuadër të institucioneve të Kosovës, siç parashihet edhe me Marrëveshjen e 19 prillit, ka nxitur edhe nevojën e verifikimit të tyre.

Sipas marrëveshjes së arritur në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, pjesëtarët e strukturave paralele, gradualisht, integrohen në kuadër të policisë dhe strukturave tjera legale të Kosovës, ndonëse ka mbetur pezull numri i tyre. Kurse, një çështje tjetër e ndjeshme, është ajo e verifikimit të së kaluarës së tyre para se ata të mund të kryejnë testet e nevojshme për t’u pranuar në polici dhe në struktura tjera të sigurisë.

Një debat i tillë po zhvillohet tashmë në Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Aktualisht, ka dy lloje interpretimesh, përkatësisht nëse këtë verifikim duhet ta bëjë EULEX-i apo Agjencia Kosovare për Inteligjencë.

Anëtari i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Fatmir Xhelili, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, mendon se në këtë fazë është e mjaftueshme që zyrtarët e MUP-it serb në veri të hetohen vetëm nëse kanë pasur të kaluar kriminale. Këtë verifikim, sipas tij, mund ta bëjë misioni i EULEX-it.

“Si fillim është paraparë që bekgraundin kriminal të atyre ish-pjesëtarëve të MUP-it serb, që do të konkurrojnë për të qenë pjesë e strukturës së Policisë së Kosovës do ta bëjë EULEX-i. Besoj që për këtë fazë kjo është e mjaftueshme, pra mjafton që në këtë fazë në Policinë e Kosovës të inkuadrohen njerëz që nuk kanë bekgraund kriminal”, thotë Xhelili.

Ndërkohë, kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Florin Krasniqi, deputet i Vetëvendosjes, ka mendim tjetër. Sipas tij, punën e verifikimit të pjesëtarëve të strukturave paralele duhet ta bëjë AKI-ja. Madje, ai mendon se Inteligjenca kosovare tashmë ka filluar me verifikimin, sidomos të atyre që do të mbajnë pozita komanduese.

“Mendoj që AKI-ja vetëm se është në proces të verifikimit të gjithë njerëzve që do të angazhohen në institucionet e Kosovës, sidomos atyre në pozita të larta”, thekson Krasniqi.

Integrimi i strukturave paralele të sigurisë në kuadër të organeve të Kosovës, ka ngritur si pikëpyetje edhe lojalitetin që këta pjesëtarë mund të ruajnë për MUP-in serb.

Por, kjo çështje mbetet vetëm si shqetësim, pasi që aktualisht nuk ka filluar ende transformimi.

Anëtari i të njëjtit Komision Parlamentar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, tërheq vërejtjen se AKI-ja nuk mund të fillojë verifikimin e pjesëtarëve të MUP-it serb, pa pasur një kërkesë zyrtare nga drejtori i Policisë së Kosovës.

“Listën me zyrtarët e MUP-it e dorëzon Serbia në Qeverinë e Kosovës dhe më pas ajo i dërgohet Policisë së Kosovës. Ligjërisht është vetëm Drejtori i Policisë së Kosovës, ai i cili mund të kërkojë nga AKI-ja që të bëhet verifikimi i personave veç e veç. Shpresoj që drejtori Shpend Maxhuni do ta bëjë këtë”, shprehet Ramadani.

Përndryshe, nga java tjetër, sipas planit të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit Beogradi duhet të dorëzojë listën me emrat e pjesëtarëve të MUP-it serb, të cilët do të aplikojnë për t’u integruar në Policinë e Kosovës.

Aktualisht, mbetet pikëpyetje jo vetëm çështja e verifikimit, por edhe e numrit të tyre. Institucionet e Kosovës thonë se nuk kanë nevojë për të gjithë pjesëtarët e MUP-it serb nga veriu që të përfshihen në Policinë e Kosovës, përderisa autoritetet në Beograd thonë se asnjë pjesëtar i këtyre strukturave nuk do të mbetet pa punë, duke aluduar në përfshirjen e të gjithëve, pa përjashtim.
XS
SM
MD
LG