Ndërlidhjet

Zhbllokohet kufiri Kosovë-Maqedoni


Maqedonia dhe Kosova, prej mbrëmë në mesnatë, edhe zyrtarisht kanë zhbllokuar kufirin mes tyre.

Maqedonia ka hequr taksat rrugore për shtetasit e Kosovës si dhe ndalesën për importin e miellit, ndërsa pala kosovare embargon për prodhimet nga Maqedonia.
Kamionët e shoqatës Makamtrans, që për disa ditë ishin vendosur në rrugë për të penguar lëvizjen me makina, tashmë janë larguar nga pikat kufitare në Bllacë dhe
Jazhincë.

E para që ka kaluar kufirin pa paguar taksë rrugore ka qenë ministrja kosovare e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila.

Pas një javë bllokade të lëvizjes së lirë në të dyja anët e kufirit, sonte në mesnatë, në mes të datës 14 dhe 15, u lirua kufiri mes Kosovës dhe Maqedonisë për qarkullimin e mallrave prej Maqedonisë për në Kosovë, apo prej vendeve të treta për në Kosovë. Por, gjithashtu janë hequr edhe taksat për kosovarët dhe janë eliminuar pengesat në rrugë që kanë penguar makinat për lëvizjen e lirë".

"Ka qenë një javë jo e lehtë, kemi qenë në kontakt edhe me Qeverinë e Maqedonisë dhe i falënderoj të gjithë të përfshirët në këtë proces, edhe pse nuk rezultoi me zgjidhje të përhershme apo të shpejtë, por është një proces që në të ardhmen do të na ndihmojë që të reflektojmë dhe të mos kemi pengesa apo barriera mes njëri-tjetrit”,
ka deklaruar ministrja Mimoza Kusari-Lila.

Nga Qeveria e Maqedonisë, në aktin e shënimit të normalizimit të marrëdhënieve tregtare me Kosovën dhe vendosjen e sërishme të lëvizjes së lirë të qytetarëve me makina dhe pa taksë rrugore, ishte i pranishëm ministri i Ekonomisë, Valon Saraçini.

Ai tha se shpreson që situatat e tilla të mos përsëriten, ndërsa kërkoi falje për të gjitha dëmet që janë shkaktuar nga kriza e ditëve të fundit mes shteteve.

“Pothuajse tashmë një javë kemi negociuar, kemi pasur takime dhe pas një bashkëpunimi të fuqishëm kemi ardhur deri te zgjidhja. Kosova dhe Maqedonia kanë raporte të mira ekonomike dhe politike. Ne duhet që në të ardhmen këto raporte t’i forcojmë edhe më tepër".

"Sonte, në mënyrë simbolike, jemi këtu që të tregojmë se nëse ka vullnet dhe bashkëpunim të mirë mes dy shteteve, çdo problem mund të tejkalohet. Më vjen keq dhe njëkohësisht dua të kërkoj falje deri te qytetarët e Kosovës, deri te shqiptarët në cilëndo pjesë të kufirit për dëmet që mund të kenë pësuar dhe ky duhet të jetë një mësim i mirë që në të ardhmen të mos hasim në probleme të tilla”
, ka theksuar ministri Saraçini.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG