Ndërlidhjet

Borxhi ndaj ATK-së, krijon evazion fiskal


Ilustrim

Ilustrim

Kosova ka shkallë të lartë të shmangies nga tatimi dhe kjo, sipas njohësve të çështjeve ekonomike, vjen si pasojë e inspektimit të pamjaftueshëm të ndërmarrjeve dhe paaftësisë për zbatimin e ligjeve në fuqi.

Më shumë se 200 milionë euro është borxhi që kompanitë kosovare kanë ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, thonë zyrtarë të këtij institucioni, edhe pse kjo administratë është fokusuar në shumë aktivitete me qëllim që të sigurojë një nivel të lartë të përmbushjes tatimore.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se shuma e lartë e borxhit është shkaktuar për shkak të paaftësisë institucionale të ATK-së, për të zbatuar legjislacionin në fuqi, por edhe shmangies së kompanive për interesa personale.

Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike në Kosovë, thekson se shkalla e lartë e shmangies së tatimit, është rrezik jo vetëm për zhvillimin ekonomik, por edhe për mënyrën e zhvillimit të konkurrencës së lirë.

"Shkalla e lartë e borxhit që kanë ndaj ATK-së shumë kompani në Kosovë, në fakt është indikator që mekanizmat e zbatimit të legjislacionit tatimor në vend nuk po funksionojnë".

"Pra, shumë kompani mbesin borxh ndaj ATK-së për faktin se kjo e fundit nuk ka aftësi institucionale që ta zbatojë në mënyrën e duhur legjislacionin në fjalë”, thotë Korenica.

Borxhi shumë i madh i kompanive ndaj ATK-së, krijon evazion fiskal dhe ekonomi joformale, thotë Alban Zogaj, nga Instituti “ Riinvest”. Sipas tij, duhet të rritet numri i kontrolleve dhe agjentëve në terren.

“Problemi më i madh është evazioni fiskal dhe efikasiteti i Administratës Tatimore të Kosovës në zbutjen e evazionit fiskal dhe joformalitetit në ekonomi, se sa ky i dyti që është vonesa eventuale e pagesës së tatimit. Por, në të dy rastet ATK-ja duhet të jetë më vigjilente dhe efikase në mbledhjen e tatimeve dhe borxheve”, shprehet Zogaj.

Edhe Korenica problem tjetër në këtë fushë, përmend numrin e pamjaftueshëm të inspektorëve në terren.
Absolutisht, për shkallën e joformalitetit ekonomik që ka Kosova, kapacitetet e ATK-së janë shumë të vogla dhe mekanizmat e zbatimit të ligjit që ka kjo agjenci, janë të pamjaftueshme

“Absolutisht, për shkallën e joformalitetit ekonomik që ka Kosova, kapacitetet e ATK-së janë shumë të vogla dhe mekanizmat e zbatimit të ligjit që ka kjo agjenci, janë të pamjaftueshme për nevojat që ka vendi për të zbatuar qoftë legjislacionin tonë, qoftë për të bërë tregun e Kosovës të gatshëm për t'u përballur me detyrimet tona që lindin me proces të Stabilizim-asociimin me Bashkimin Evropian", pohon Korenica.

Megjithatë, me aktivitete të planifikuara nga administrata është arritur të zvogëlohet hendeku tatimor, duke reduktuar evazionin fiskal dhe ulur ekonominë joformale, thonë zyrtarë të këtij institucioni në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike për Radion Evropa e Lirë.

Në përgjigje të ATK-së, gjithashtu thuhet se gjatë këtij viti, por edhe vitin e kaluar, ky institucion është përqendruar në vizitat përmbushëse, me qëllim të identifikimit të mallrave me prejardhje dhe masave parandaluese për evazion fiskal.

Numri i vizitave për vitin 2012 ishte 67, 051, ndërsa vlera e gjobave të shqiptuara për mallrat pa prejardhje të identifikuar gjatë vizitave ka qenë 2 milionë euro

Ndërkaq, për borxhet e pambledhura, zyra e ligjore e ATK-së, ka ngritur disa kallëzime penale në prokuroritë përkatëse komunale. Në vitin 2011 janë dorëzuar 11 kallëzime penale në vlerën e borxhit mbi 10 milionë eurosh, vitin 2012 - 36 kallëzime penale në shumë afër 5 milionë euro, ndërkaq për këtë vit deri në muajin prill, janë përgatitur dhe dorëzuar në prokurori 14 kallëzime penale në vlerë rreth 3. 5 milionë euro.

Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës, janë dy institucionet kryesor,e të cilat duhet të mbushin arkën e shtetit. Sipas parashikimeve të ekzekutivit, për vitin 2013 Dogana e Kosovës duhet të grumbullojë 915 milionë euro, kurse ATK-ja duhet të mbledhë 301 milionë euro për buxhetin e Kosovës.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG