Ndërlidhjet


Nga të rinjtë, Kosova konsiderohet se ka mungesë të kinemave, por në të njëjtën kohë, edhe ato kinema që janë funksionale, nuk kanë vizitorë të shumtë.

Në qytetet prej vijnë nga disa të rinj, thonë se nuk kanë fare kinema, ata mund të shikojnë filma vetëm në rastet kur në ato qytete organizohet ndonjë festival filmi dhe improvizohet kinemaja.

Pirateria është një problem mjaft i theksuar në Kosovë dhe ka goditur shumë fusha. Ndër to është edhe ajo e filmit.

Në rubrikën e përjavshme VOX të Radios Evropa e Lirë sjellim mendimet e të rinjve për kinemanë, sa shpesh ata vizitojnë kinemanë dhe ku i shikojnë filmat e tyre të preferuar.

Egzon Ibishi, student, thotë se për shkak edhe të obligimeve, ai nuk e viziton shpesh kinemanë.

“Shumë rrallë shkoj në kinema, ndoshta më marrin kohë studimet. Aty ku unë jetoj, nuk ka kinema, filmat më së shumti i shikoj në televizor”, thotë Egzoni.

Vetëm një herë në muaj shkon në kinema Fidan Zymeri. Ai thotë se kinemaja e kryeqytetit nuk ofron diçka speciale.

“Një herë në muaj shkoj në kinema, jo më shumë, filmat e ndryshëm u shikoj në televizor”, tregon Fidani.

Sidoqoftë, Kinemaja ABC në Prishtinë, vazhdon të shpalosë premiera të shumta në formatin digjital, si dhe në formatin 3D, gjithnjë për të plotësuar kërkesat dhe nevojat e shikuesve dhe për të ndikuar në zhvillimin e vlerave kinematografike në përgjithësi.

Në të njëjtën kohë në Kosovë organizohen festivale të shumta të filmit. Gjatë muajve të verës në qytetin e Prizrenit është mbajtur për një javë rresht festivali i filmit "Doku Fest. Në këtë edicion ishin shfaqur rreth 250 dokumentarë dhe filma të shkurtër.

Të rinjtë e Prizrenit thonë se ky festival iu mundëson atyre të shohin filma të ndryshëm.

Qamil Imami nga Prizreni, thotë se iu mungon kinemaja në qytet dhe sikur të kishin një të tillë, do ta vizitonin.

“Fatkeqësisht, në Prizren nuk ka kinema kështu që nuk mund ta vizitojmë shpesh. Kur organizohen kinema të improvizuara, apo organizohet ndonjë festival i filmit, aty shkojmë dhe shohim filma. Është kënaqësi”, shprehet Qamili.

Ndërsa, Reis Rexhepi, po ashtu nga qyteti i Prizrenit, thotë se shumë herë shkon në ndonjë kinema në shtetet fqinje për të shikuar ndonjë film:

“Pasi që në Prizren nuk ka kinema e vizitojë kinemanë kur shkoj në pushim diku. Në Shkup i kam parë disa filma, i shikoj në televizor dhe në internet”.

Para disa ditëve në Prishtinë, ndërkaq ka përfunduar festivali "9/11" (Nine/Eleven), festival ky i cili i dedikohet tragjedisë së 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuar të Amerikës. Edhe në këtë festival janë shfaqur filma të shumtë.

Ndërkaq, edicioni i pestë i festivalit të filmit kosovar "Pri Film Fest" do të fillojë më 20 shtator dhe do të zgjasë një javë. Festivali "PriFilmFest" do të shfaqë shumë filma ndërkombëtarë të rinj të vitit 2013 nga mbarë bota, të gjitha premierë në Kosovë.

Pavarësisht këtyre organizimeve të festivaleve të filmit dhe kinemasë në kryeqytet, të rinjtë më shumë preferojnë të shikojnë filma piraterie.

Ueb-faqet e shumta ofrojnë filma pa para, dhe në shumë kanale ilegale filma të ndryshëm vazhdojnë të shfaqen në formën pirate.

Fikrije Kastrati thotë se nuk shkon ne kinema dhe gjithë këtë e arsyeton me atë se shikon filma në shtëpie, duke blerë një CD, e cila kushton fare lirë.

“Jo nuk shkoj në kinema, nuk kam kohë, i shikoj në TV”, pohon Fikrija.

Ngjashëm shprehet edhe Gëzim Sinani:

Nuk e preferoj kinemanë, i shikoj filmat në shtëpi. Mblidhemi me shoqëri, krijojmë atmosferën që ne e dëshirojmë, blejmë një film dhe nuk shkojmë në kinema”.

Ndryshe nga Gëzimi, Vlora Mushkolaj nga qyteti i Pejës thotë se gjatë vitit të kaluar ka vizituar shumë shpesh kinemanë dhe se janë vetëm obligimet shkollore që mund ta ndalin nga kinemaja.

“Kohëve të fundit më rrallë, por vitin e kaluar kam shkuar dy herë në javë kam parë filma në kinema”, tregon Vlora.

Ndryshe, që nga koha e digjitalizimit të Kinemasë ABC në kryeqytetet, kjo kinema ka shënuar një rritje të shikueshmërisë. Filmat më të preferuar nga shikuesit janë filmat aventurë dhe ata aksion.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG