Ndërlidhjet

Identifikohet sulmuesi i marinës në Uashington

  • RFE /RL

Uashington, 16 shtator 2013.

Uashington, 16 shtator 2013.

Personi i armatosur, i cili ka vdekur pas vrasjes së 12 njerëzve në një bazë të marinës në Uashington, është identifikuar si ish-teknik i marinës.

Aaron Alexis, 34 vjeç, ka vdekur në të shtënat me policinë në Kantierin e Marinës.
Nga sulmi janë plagosur edhe tetë persona.

Valerie Parlave, nga FBI, i ka bërë thirrje publikut që të japë informacione për sulmuesin.

“Mund të konfirmojmë se sulmuesi i vdekur është identifikuar si Aaron Alexis, 34 vjeç, nga Fort Uorth i Teksasit. Në faqen tonë të internetit fbi.gov kemi postuar fotografi të Alexisit dhe i bëjmë thirrje secilit që ka informacione për të, të na kontaktojë”, ka thënë Parlave.

Policia fillimisht ka kërkuar edhe për dy sulmues të tjerë të mundshëm, por më vonë ka thënë se Alexis ka qenë sulmuesi i vetëm.

Dëshmitarët kanë thënë se ai ka shtënë me armë zjarri ndaj punëtorëve në një kafiteri dhe në një korridor.

Motivi i sulmit nuk është përcaktuar ende.

Alexis ka punuar si nënkontraktor për rifreskimin e pajisjeve ushtarake. FBI ka thënë se ai ka pasur leje të vlefshme për të hyrë në Kantierin e Marinës.

Marina e Shteteve të Bashkuara ka thënë se i dyshuari ka qenë oficer i klasës së tretë, i cili ka shërbyer në rezervën detare në periudhën 2007-2011.

Nuk është e qartë se përse është larguar nga ushtria, por disa zyrtarë ushtarakë u kanë thënë mediave amerikane se ka pasur disa sjellje të pahijshme gjatë shërbimit të tij.

Raportet thonë se ai ka qenë një budist i konvertuar, i cili më herët ka pasur konfrontime me ligjin, të cilat lidheshin me armët.

Në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Barack Obama ka shprehur pikëllimin e tij për të shtënat masive dhe ka dënuar “aktin frikacak”.

“Janë të shtëna që kanë pasur në shënjestër personelin tonë ushtarak dhe civil. Këta janë burra dhe gra që kanë shkuar në punë për të bërë punën e tyre, për të mbrojtur të gjithë ne. Ata janë patriotë. Ata i dinë rreziqet e të shërbyerit jashtë vendit, por sot ata janë përballur me dhunë të paimagjinueshme, të papritur në vendin e tyre”, ka thënë Obama.

Presidenti ka urdhëruar që flamujt në pronën federale të ulen në gjysmështizë të premten.

Me përhapjen e lajmit për të shtënat, automjetet e emergjencës dhe policia kanë rrethuar kompleksin e marinës, ndërsa helikopterët kanë fluturuar lart.

Ndërtesat e Senatit amerikan dhe gjashtë shkolla pranë janë mbyllur përkohësisht, ndërsa fluturimet nga Aeroporti Kombëtar Reagan janë pezulluar për kohë të shkurtër po ashtu.

Të shtënat e së hënës kanë ndodhur në një ndërtesë, e cila shërben si seli e Komandës së Sistmeve Detare, që ndërton dhe mirëmban anije dhe nëndetëse për marinën.

Ky është objekti më i vjetër i Marinës së Shteteve të Bashkuara. (v.tela)
XS
SM
MD
LG