Ndërlidhjet

Kroacia nuk do ta ndryshojë Ligjin për ekstradim


Kryeministri kroat, Zoran Milanoviq
Kryeministri kroat, Zoran Milanoviq
Kryeministri kroat, Zoran Milanoviq, ka thënë se Qeveria e tij nuk do t'i shpejtojë ndryshimet rreth ligjit që e ndalon ekstradimin e personave të dyshuar si kriminelë të luftës, me gjithë kërcënimin e bërë nga Bashkimi Evropian për sanksione, raporton Reuters.

Zoran Milanoviq ka thënë të martën se amendamentet nuk do të hyjnë në fuqi para korrikut të vitit të ardhshëm.

“Nuk do të toleroj që dikush të fshijë dyshemenë me ne”, ka thënë kryeministri kroat.

Ligji ishte miratuar një ditë para se Kroacia të bëhet anëtari i 28 i BE-së më 1 korrik.

Sanksionet mund të përfshijnë suspendimin e fondeve të BE-së për kontrollimin e kufirit nga Kroacia, dhe ndër të tjera do të vinte në siklet anëtarin e ri te BE-së.

Ligji zyrtarisht e ka për qëllim mbrojtjen e veteranëve të luftës kroate për pavarësi nga viti 1991 deri më 1995 nga përndjekja jashtë vendit.

Kritikët, megjithatë, thonë se ligji, në fakt e ka për qëllim mbrojtjen e një ish-shefit të Inteligjencës kroate që kërkohet nga Gjermania për vrasjen e një disidenti kroat.
XS
SM
MD
LG