Ndërlidhjet

Gjermani: Zgjedhjet që kanë ndikim te të gjithë ne


Angela Merkel gjatë fushatës
Angela Merkel gjatë fushatës
Është vështirë të mendohet që ndonjë palë zgjedhje të tjera që janë mbajtur kohët e fundit në Evropë ju kanë interesuar më shumë njerëzve se sa ato që do të mbahen në Gjermani, këtë të diel, nis editorialin gazeta britanike “The Guardian”.

Për shkak se Gjermania është shteti me ekonominë më dominuese në tërë eurozonën, sipas gazetës, këto zgjedhje do të kenë efekt në të gjitha shtetet e kësaj zone monetare.

Sidoqoftë, rezultati i këtyre zgjedhje “do të ketë rëndësi për tërë Bashkimin Evropian, gjithashtu”, pasi që tani ky shtet është nevoja më e madhe në çfarëdo programi të reformave në BE-në e trazuar, siç e quan "The Guardian".

“Këto janë zgjedhje që me fjalë të tjera e krijojnë agjendën për pjesën tonë të botës në mënyrë që as zgjedhjet amerikane nuk e bëjnë këtë, që tradicionalisht përcillen më me vëmendje nga britanikët”, vazhdon "The Guardian" duke thënë se zgjedhjet gjermane kanë rëndësi të madhe edhe për Britaninë e Madhe.

Më tej gazeta britanike ofron rezultatet e publikuara nga sondazhet e fundit kur të majtët pritet të përmirësojnë pak rezultatin shumë të dobët nga zgjedhjet e vitit 2009.

Për këtë duket e mundshme që aleanca kristiano-demokrate CDU-CSU nën udhëheqjen e Angela Merkelit, do të mbesë në postin e kancelares.

E vetmja dilemë është nëse liberalët e FDP-së, që, momentalisht janë në koalicion me Merkelin, do të mund ta kalojnë pragun prej 5 për qind që të mbesin në Parlament.

“Koalicionet e ashtuquajtura të mëdha, në mes të partive kryesore të së majtës, partisë kryesore të së djathtës nuk janë asnjëherë të lehta dhe një gjë e tillë mund të jetë e keqe për shëndetin e politikës demokratike. Por, mundësia e një koalicioni në mes të CDU-CSU-së dhe Social-demokratëve të SPD-së pas zgjedhjeve të së dielës, do të ishte një koalicion i fuqishëm, gjithsesi. Avantazhet do të fillonin me stabilitetin që një Qeveri e tillë do të ofronte në zemër të Evropës, në kohë krize”, shkruan gazeta duke shtuar se, një gjë e tillë do të ishte mirë për 7 për qind të gjermanëve të papunë, me gjithë suksesin e vendit ekonomikisht.

Mirëpo, e përditshmja britanike shkon më tej duke thënë se përfshirja e SPD-së në qeverinë e re gjermane, nënkupton krijimin e disa lehtësirave për kushtet e shkurtimeve buxhetore përgjatë eurozonës.

Kjo është e vlefshme, mirëpo gazeta rikujton se rizgjedhja e zonjës Merkel do të siguronte stabilitet dhe vazhdimësi në qendër të BE-së, diçka që ofron shpresë.

“Kjo nuk do të mund të thuhet më fuqishëm se kaq, një mënyrë më efektive e të menduarit në eurozonë dhe BE, gjithashtu. Rizgjedhja e zonjës Merkel padyshim se do të ishte rezultati më i mirë në debatin britanik për Evropën, pasi ajo është e hapur për disa nga reformat praktike që kryeministri britanik thotë se i dëshiron”, shkruan e përditshmja britanike.

Zonja Merkel, mbetet një ndër ata liderët enigmatikë dhe shumë e kujdesshme në shumë mënyra, por rizgjedhja e saj këtë fundjavë në krye të një koalicioni të madh mund të ofrojë rezultatin më të mirë për Gjermaninë, Evropën dhe Britaninë në kushtet aktuale, e përfundon editorialin "The Guardian".

Përgatiti: Artan Haraqija
XS
SM
MD
LG