Ndërlidhjet

logo-print
Shoqëria civile kishte organizuar disa protesta të zëshme,e të tjera të qeta që të kundërshtohej Ligji për amnistinë, por zëri i tyre nuk u dëgjua sa duhet.

Me marshime të shoqërisë civile, dhe mbledhje të mbi 12 mijë nënshkrimeve për ta kundërshtuar këtë ligj, asgjë nuk u arrit, pasi kushti i vendosur nga Beogradi për transformimin e strukturave të saj paralele në veri nga ilegaliteti në legalitet, kishte si garantues Brukselin dhe Uashingtonin.

Të mërkurën, Ligji për amnistinë mori vizën nga presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, e cila e nënshkroi përfundimisht dhe e dërgoi për procedurë të mëtejme.

“Sot e kemi dorëzuar në Kuvend. Tash Kuvendi e dërgon në Gazetë Zyrtare për botim... Proceduralisht sot e kemi dorëzuar [Ligjin për amnistinë], por mbrëmë e ka nënshkruar presidentja [Atifete Jahjaga]”, thotë për Radion Evropa e Lirë Selim Selimi, këshilltari ligjor i presidentes.

Ligji për amnistinë ishte rezultat i prodhuar nga marrëveshja 15 pikëshe ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë, e cila u arrit më 19 prill në Bruksel.

Beogradi kishte kushtëzuar zbatimin në praktikë të marrëveshjes që nënkuptonte zhbërjen e strukturave të veta paralele që i ka financuar prej pasluftës në Kosovë, dhe kosovarizimin e tyre në një fazë të mëvonshme.

Ky kusht kishte të bënte në radhë të parë me amnistimin e të gjithë serbëve të veriut për të kaluarën e tyre.

Ligji u miratua me procedurë të shpejtuar më 11 korrik, pas disa modifikimeve në të, meqë përveç serbëve të veriut, edhe shqiptarët në jug faleshin për të bëmat e së kaluarës.

Por, shoqëria civile vazhdoi ta kundërshtojë duke mbledhur mijëra nënshkrime, të cilat, sipas drejtuesit të Institutit KIPRED, Ilir Deda, vlejnë shumë.

“Nëse 91 individë në Kuvendin e Kosovës kanë votuar për legjitimimin e krimit në Kosovë, 12,564 njerëz në Republikën e Kosovës janë kundër këtij legjitimimi. Dhe, të mos mundohet dikush të thirret në legjitimitetin e deputetëve në Kuvendin e Kosovës kur dihet se ky Kuvend është produkt i një vjedhjeje industriale të votave”, pati thënë Deda.

Ndërkaq, në planin politik kundërshtimi i Lëvizjes Vetëvendosje shkoi tutje.
Deputetët e lëvizjes përveç kontestimit, çështjen e dërguan në Gjykatën Kushtetuese.

Pas analizimit të kërkesës, Kushtetuesja i dha dritën jeshile Ligjit për amnisti dhe mori vendim që të hiqen disa nene që u konsideruan si jo-kushtetuese, dhe e ktheu prapa.

Kuvendi i inkorporoi modalitetet e Kushtetueses dhe e dërgoi te presidentja për shpallje.

“Zyra ligjore këtu në Presidencë, e ka kontrolluar dhe analizuar dhe ia ka dorëzuar presidentes për shpallje, të cilën gjë presidentja e ka bërë mbrëmë”, sqaroi Selimi.

Edhe pas vendimit që kishte nxjerrë Gjykata Kushtetuese, shoqëria civile vlerëson se në formën dhe përmbajtjen e miratuar, Ligji për amnistinë u ka krijuar mundësi për amnisti edhe individëve apo strukturave tjera që mund të jenë të përfshirë në vepra kriminale e korruptive në gjithë Kosovën - e jo vetëm në veri.
XS
SM
MD
LG