Ndërlidhjet

BE: Sulm ishte i planifikuar dhe i ekzekutuar nga qyqarët!


Bernd Borchardt

Bernd Borchardt

Një sulm i planifikuar dhe i ekzekutuar në mënyrë qyqare!

Kështu e përshkroi përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, vrasjen e doganierit nga Lituania që shërbente në EULEX-it, i cili u sulmua gjatë një prite në veri të Kosovës, në afërsi të komunës së Zveçanit, derisa po kthehej nga pikëkalimi kufitar i Jarinjes.

“Ata që planifikuan dhe ekzekutuan një akt të tillë qyqar, duhet të jenë të brengosur, se ne jemi të përcaktuar fuqimisht që të vazhdojmë angazhimin tonë me Kosovën, në dialogun e saj me Serbinë, dhe se jemi të përkushtuar që të kthejmë jetën në normalitet për njerëzit në Kosovë”, porositi Zbogar.

Zbogar doli të enjten në një konferencë të jashtëzakonshme bashkë me shefin e EULEX-it, Bernd Borchardt, i cili tha se është tronditur nga kjo ngjarje e rëndë.

“Më lejoni të theksoj se jam i shokuar. Jam thellësisht i shokuar me natyrën qyqare të vrasjes së mëngjesit. Dënoj fuqimisht këtë akt qyqar të dhunshëm kundër personelit tonë! Nëpunësi ynë i EULEX-it ishte oficer i Doganave me prejardhje nga Lituania, i përkushtuar për të siguruar stabilitetin në Kosovë dhe i kontribuonte normalizimit të raporteve ndërmjet të Serbisë dhe Kosovës. Ai ishte një burrë i ri, i cili la pas gruan dhe familjen”, tha shefi i EULEX-it.

Vendi i krimit vazhdon të jetë i izoluar dhe ekipet e përbashkëta të policisë së Kosovës dhe asaj të EULEX-it po vazhdojnë të mbledhin prova.

Sipas Borchardt, ende nuk është e qartë nëse në këtë sulm ishin të përfshirë një apo më shumë persona, andaj edhe bëri thirrje që dëshmitarët potencialë të paraqiten dhe të ofrojnë informata.

Por, kryediplomati evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, tha se ndien neveri për këtë tragjedi, pasi gratë dhe burrat që shërbejnë në EULEX, kanë qëllim të mirë, dhe se sulmi paraqet sulm ndaj Bashkimit Evropian dhe vlerave që përfaqëson ky trup.

Edhe pse Zbogar parapëlqen që të presë rezultatet e hetimeve për të treguar se kush janë autorët, ai thotë të ketë një motiv të përafërt.

“Por, është e qartë, marr parasysh këtë sulm, se ka interesa që nuk e duan situatën në veri që të normalizohet, që situata në Kosovë të normalizohet. Nuk do të ketë vend për dhunë. Proceset politike nuk do të frenohen nga dhuna. Kjo vdekje tragjike duhet të bashkojë të gjithë në Kosovë, shqiptarët dhe serbët, si në veri ashtu edhe në jug - si dhe Serbinë dhe Kosovën, që të zhvlerësojnë në mënyrën më të qartë dhe vendimtare, njëherë e përgjithmonë, çdo formë të dhunës, dhe t’i përmbahen atij rrugëtimi që nisi me marrëveshjen e 19 prillit”, tha Zbogar.

Ndërkaq, shefi i EULEX-it bëri të ditur se Beogradi ka ofruar ndihmë për sulmin e së enjtes, në rast se përgjegjësi/t, e këtij sulmi tentojnë të ikin për në Serbi.

Sipas Borchardt, muajt e fundit, evropianët kanë shtuar praninë në veri të Kosovës, pasi për këtë gjë u pajtuan Prishtina dhe Beogradi dhe se këta numra mund të rriten nëse ka pajtim mes palëve.

“Një ngritje e mëtejme e numrit të personelit mund të ndodhë nëse për këtë arrihet pajtim në dialog [Kosovë-Serbi]. Nuk kemi synim që të zbarkojmë atje më shumë njerëz, por do të rishikojmë të gjitha aranzhimet e sigurisë për njerëzit tanë”, bëri të ditur ai.

Ngjarja e së enjtes në veri të Kosovës po përcillet me reagime të ashpra nga institucionet e Kosovës, subjektet politike në vend dhe zyrtarë të lartë ndërkombëtarë.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka cilësuar tragjedinë në Zveçan si një sulm ndaj vlerave të shtetit.

Ky sulm ndaj EULEX-it, sipas presidentes “është një akt plotësisht i patolerueshëm i forcave që kanë për qëllim destabilizimin e vendit tonë dhe prishjen e rendit kushtetues, në kohën kur institucionet e Republikës së Kosovës po tregojnë pjekuri politike, duke u angazhuar të krijojnë një shtet gjithëpërfshirës”.

Ambasadorët evropianë dhe ajo amerikane në Kosovë, kanë dënuar aktin e sotëm, duke e cilësuar si një sulm mbi tërë bashkësinë ndërkombëtare.

Të gjitha reagimet e deritashme mund t'i lexoni në seksionin e lajmeve...

Trego komentet

XS
SM
MD
LG