Ndërlidhjet

Foreign Policy: Revolucionarja Angie


Angela Merkel
Angela Merkel
Shkruan: Paul Hackenos

Nga billbordet gjigante që janë vendosur në tërë vendin, Angela Merkel, iu buzëqesh gjermanëve me dashamirësi, ashtu siç do të buzëqeshte një e afërm e familjes. Kështu nis komenti i botuar në "Foreign Policy" për kancelaren gjermane duke vazhduar me sqarimin se në këtë shtet, Merkel quhet me përkëdheli “mommy” apo "nëna" në shqip.

Komenti shkon më tej duke thënë se ajo që është e sigurt për gjermanët është se më 22 shtator, Partia Konservative e Kristian-demokratëve do të marrë shumicën e votave.

Në fakt, ajo në Gjermani nuk quhet “revolucionare”, pasi ajo për dy mandatet e deritashme njihet më shumë për qeverisjen shumë të kujdesshme dhe që ka kërkuar konsensus, siç është rasti për intervenimin në Siri apo energjinë e ripërtërishme. Edhe në vendimmarrje ajo shquhet se më me dëshirë pret të shohë se çfarë po ndodh, se sa të ngutet.

Nën udhëheqjen e Merkelit, partia e saj Kristian-demokrate ka braktisur pozicionin që e ka mbajtur kjo parti gjatë luftës së ftohtë, dhe më kryesorja thuhet në komentin e "Foreign Policy" ky ndryshim i politikës i ka shërbyer për mrekulli CDU-së.

Ajo e ka rinuar partinë e saj, e cila është rritur shumë duke habitur edhe vetë rivalet nga radhët e Social- demokratëve që asnjëherë nuk e kanë pritur që CDU-ja t’iu marrë disa bastione të tyre.

Komenti në FP rikujton se partia e Merkelit është krijuar pas Luftës së Dytë Botërore, pjesë e së cilës gjithashtu ishin edhe disa ish-nazistë, por edhe pjesëtarë të Kishës Katolike. Krijuesi i saj është Konrad Adenauer, ndikimi i të cilës do të ndjehet deri në bashkimin e Gjermanive.

Një katolik i devotshëm, Adenauer i lindur në vitin 1876 e ka udhëhequr Gjermaninë në kohën e “Wirtschaftswunder” (Mrekullisë ekonomike) si dhe hyrjen e këtij shteti në NATO dhe rreshtimit me perëndimin. Në këtë parti, në atë kohë Kisha Katolike kishte ndikim shumë të madh.

Komenti madje kujton se Kisha ishte ajo që e kishte definuar edhe rolin e gruas gjermane me tri fjalë: fëmijë, kuzhinë dhe kishë.

Më pas, me gjithë kryengritjen studentore të viteve '60, protestave masovike të viteve '70, si p.sh. lëvizja e grave etj, patën ndryshuar gjërat në këtë parti.

Sidoqoftë, partia vazhdonte të shihej si një subjekt politik i dominuar nga burrat.

Në kohën kur dha dorëheqje Helmut Kohli, shkruan FP, CDU-ja kishte shkëputur kontaktet në mënyrë të pashpresë me shoqërinë gjermane.

"Foreign Policy" ofron një shembull nga kjo kur kujton se në kohën kur Merkel ishte anëtare e kabinetit të Kohlit gjatë viteve '80a, ai i referohej asaj si “das Mädchen” (vajza).

Partia e kishte kuptuar që duhej të kërkonte votues të moshës më të re dhe votues jokatolik. Komenti i botuar në "Foreign Policy" shkruan se CDU kishte nevojë që të zinte hapin e Gjermanisë moderne, mirëpo lidhjet me të kaluarën ishin aq të fuqishme sa ishte e pamundshme që të bëhej shkëputja prej të kaluarës.

Në vitin 1998, kohë kur Angela Merkel e mori kryesimin e partisë, ajo ishte vetëm 44-vjeçare, ndërsa kishte vetëm tetë vjet përvojë në parti.

“Revolucioni i Merkelit - që shkon në një vij me maturinë e saj - në asnjë formë nuk ishte si ndërhyrja në kështjellën mesjetare franceze të Bastille, por më shumë një transformim jashtëzakonisht efektiv nga brendia”, thuhet në komentin e botuar në "Foreign Policy".

Vetë karakteri i saj ishte i jashtëzakonshëm, një grua që bënte pjesë në një parti të dominuar nga meshkujt.

Mirëpo, Merkel, një fizikante profesionale, nuk kishte fëmijë dhe në fakt nuk ishte as e martuar me partnerin e saj derisa iu bashkua partisë”, thuhet në fund të komentit të "Foreign Policy".
Përgatiti: Artan Haraqija
XS
SM
MD
LG