Ndërlidhjet

McCain: Komentet për Rusinë - të mbështetura në fakte


John McCain
John McCain
Senatori amerikan, John McCain, e ka mbrojtur artikullin e tij në faqen në internet të gazetës ruse "Pravda, në të cilin ai tha se rusët meritojnë politika më të mira se sa ato të Qeverisë së presidentit rus, Vlladimir Putin.

“Komentet që unë i bëra, janë të bazuara në fakte - për represion, për rastin Magnitsky, për kontrollin total ndaj mediave dhe për abuzimet e të drejtave të njeriut, që po vazhdojnë”, tha McCain.

Artikulli i senatorit McCain, që ishte publikuar në Pravda.ru, në përgjigje ndaj një shkrimi të presidentit rus, Vladimir Putin, në "New York Times", javën e kaluar, në të cilin ai i ka kritikuar politikat e Shteteve të Bashkuara.

Në intervistën për Redaksinë e programit për Rusinë të Radios Evropa e Lirë, John McCain tha se ka shkruar me qëllim që rusët ta dinë të vërtetën për gjërat siç janë vdekja në burg e avokatit rus, Sergei Magnitsky, dhe për legjislacionet, që efektivisht e ndalojnë homoseksualitetin.

“E vërteta është gjithmonë gjë e rëndësishme dhe komentet e zotit Putin për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe zhvillimet këtu, janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me situatën në Rusi, dhe nëse unë ndonjëherë kam rast të flas për popullin e Rusisë, pavarësisht se sa i parëndësishëm për momentin mund të jetë, do ta shfrytëzoj këtë mundësi, pasi jam pro-rusëve, dhe abuzimet që po ndodhin ndaj tyre nga autokracia e Putinit, sipas pikëpamjes sime, janë diçka që meritojnë bashkëndjenjën dhe kundërshtimin tonë”, tha McCain.

Marrëdhëniet SHBA - Rusi, janë përkeqësuar gjatë muajve të fundit për shkak të dallimeve për Luftën Civile në Siri dhe për shkak të vendimit të Moskës, që ish-kontraktorit të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë në ikje, Edward Snowden, t’i jepet azil i përkohshëm.

Presidenti amerikan, Barack Obama, e kishte anuluar samitin e planifikuar me presidentin rus, Vlladimir Putin, më herët këtë muaj.

Senatori McCain tha se e ardhmja e raporteve të Shteteve të Bashkuara me Rusinë, duhet vlerësohet nga Uashingtoni, lidhur me Putinin në prizmin se “kush është ai në të vërtetë”.

“Ne duhet të kemi qasje reale për marrëdhëniet tona me Rusinë, ta kuptojmë Vlladimir Putinin se çka është ai dhe cili është motivimi i tij, për ripërtëritjen e prestigjit dhe fuqisë së perandorisë ruse. Ne do të ndërmarrim hapa të jashtëzakonshëm me qëllim që ta bëjmë këtë. Në Çeçeni, ka pasur vrasje masive dhe ne të gjithë e dimë këtë. Ai e okupoi Gjeorgjinë, tash ai u bën presion të gjitha vendeve të rajonit, për të cilat ai beson se janë të ashtuquajtura vende të afërta. Ky është Vlladimir Putin, dhe ne vetëm duhet ta kuptojmë atë që ai është”, theksoi John McCain.

Më tutje, ai e akuzoi Putinin se ka gënjyer kur ka pohuar se kryengritësit sirianë, që luftojnë kundër regjimit të presidentit Bashar al-Assad, kanë përdorur armatim kimik. Zoti McCain kërkoi që Armatës së Lirë të Sirisë t’i jepet më shumë ndihmë.

Senatori amerikan tha se aeroplanët e ngarkuar me armatim rus, rregullisht arrijnë në kryeqytetin Damask, për t’i furnizuar forcat e Qeverisë së Sirisë.

Ai, po ashtu, tha se beson se ka zyrtarë rusë të involvuar në atë që ai e cilësoi si “torturë, rrahje e panevojshme dhe vrasje të Sergei Magnitskyt”, të cilët nuk janë ndëshkuar. Për këtë arsye, zoti McCain tha se dëshiron që lista e zezë amerikane me emrat e zyrtarëve rusë të involvuar në këtë rast, të zgjerohet. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG