Ndërlidhjet

Turqi: Pianisti i njohur dënohet me kusht për blasfemi


Pianisti turk Fazil Say gjatë një koncerti në Paris

Pianisti turk Fazil Say gjatë një koncerti në Paris

Një gjykatë në Stamboll përsëri e ka dënuar me 10 muaj burg me kusht për dy vjet, pianistin e njohur turk në përmasa ndërkombëtare, Fazil Say, për blasfemi.

Pianisti Say nuk ishte i pranishëm në procesin e sotëm.

Në muajin prill të këtij viti, ai u dënua me dënim të njejtë lidhur me akuza për nxitjen e urrejtjes fetare dhe për fyerjen e vlerave islamike, për shkak të disa komenteve të tij gjatë vitit të kaluar.

Në një shkrim në Twitter, ai pos tjerash, pat thënë se “maskarenjtë, vjedhësit dhe karaxhozët, janë Allahista”.

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për dënimin e pianistit Say, në muajin prill.

Pastaj, një gjykatë më e lartë në Stamboll, e kishte kthyer vendimin për “lëshime procedurale” duke urdhëruar rigjykim.

Pianisti Fazil Say e ka akuzuar Partinë Për Drejtësi dhe Zhvillim, e cila është në qeveri në Turqi, për udhëheqjen e një agjende të fshehur islamike dhe thotë se akuzat ndaj tij ishin të motivuara politikisht.

Pianisti Fazil Say, 43 vjeçar, ka luajtur me orkestrat e njohura të Berlinit, Nju Jorkut, Tokios dhe me atë të Izraelit.
XS
SM
MD
LG