Ndërlidhjet

BPV-ja, e pa mjaftueshme për zbutjen e problemeve sociale


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë
Bruto Produkti Vendor i Kosovës, i cili arriti në afër 5 miliardë euro në vitin 2012, nga përfaqësues të bizneseve dhe njohës të çështjeve ekonomike, konsiderohet i pamjaftueshëm për të adresuar problemet thelbësore që i ka Kosova, siç janë papunësia dhe varfëria.

Po ashtu, rritja e BPV-së për kokë banori, që sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës është afro 3 mijë euro, vlerësojnë njohësit e çështjeve ekonomike, është më e ulëta krahasuar me vendet e rajonit.

Kosova, siç thonë ata, nuk ka pasur rritje më shumë se tre apo katër euro brenda muajit për kokë banori.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se autoritetet kosovare nuk duhet të jenë të kënaqura me këtë rritje, pasi që, siç thekson ai, është mjaft e ulët krahasuar me nivelin e Bruto Produktit Vendor të shteteve tjera.

“Nuk mund të mburremi që po rritemi shpejt, por po rritemi më një ritëm të ngadalësuar. Kjo rritje nuk është e mjaftueshme për kërkesat dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës, zhvillim ky i cili po i mungon vendit tonë tani e sa vjet”, shprehet Shahini.

Sipas tij, Bruto Produkti Vendor mund të shënojë rritje të ndjeshme vetëm me fuqizimin e sektorit privat.


Politikat ekonomike të harmonizohen me tregun dhe kërkesat

Për të realizuar rritje më të lartë të zhvillimit, Shahini vlerëson se Kosova duhet të hartojë një strategji afatgjate, e cila do të identifikojë potencialet ekonomike që ka vendi.

Ato politika ekonomike, sipas Shahinit, duhet të harmonizohen me tregun dhe me kërkesat.

“Qeveria duhet të bëjë çmos që tregut t’i japë infuzion më të fuqishëm dhe ky infuzion nuk vjen me fjalë, por me punë konkrete duke reformuar politikat investive, duke bërë tregun e Kosovës më të këndshëm për investitorët”, pohon Shahini.

Bruto Produkti Vendor i Kosovës, thonë njohës të çështjeve ekonomike nga Instituti për Hulumtime të Avancuara, nuk ka arritur të zbusë papunësinë dhe varfërinë.

Papunësia në Kosovë, sipas të dhënave të fundit zyrtare, është 44.9 për qind.

Berat Thaçi nga Instituti GAP, konsideron se Qeveria e Kosovës nuk di të bëjë politika ekonomike apo nuk ka vullnet që Kosova të ketë rritje dhe zhvillim më të lartë.

“Rritja e BPV-së, nuk është e mjaftueshme pasi që këto vite ne kemi pasur normë të lartë të papunësisë dhe, në anën tjetër, kemi varfëri deri në 30 për qind. Këta janë disa indikatorë që rritja e aktuale e BPV-së nuk po mundet të akomodojë kërkesat e ekonomisë dhe popullatës në Kosovë”, thekson Thaçi.

Në tregun e Kosovës supozohet se çdo vit hyjnë deri në 30 mijë persona të aftë për punë.

Për të pasur rritje ekonomike më të lartë dhe për të arritur punësimin e këtyre personave, Kosova duhet të orientojë politikat ekonomike në favor të sektorit privat dhe jo në atë se çfarë ka bërë deri më tani, thonë njohësit e ekonomisë në Prishtinë.

Vetë statistikat e ASK-së për BPV-në, thotë Berat Thaçi, nga Instituti GAP, tregojnë qartë se Qeveria e Kosovës ka dështuar në përmirësimin e gjendjes ekonomike në Kosovë.

“Qeveria e Kosovës, në përgjithësi, ka dështuar në orientimin e investimeve që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik. Ata nuk kanë arritur të krijojnë politika të duhura industriale dhe kanë lënë anash sektorë të shumtë me rëndësi të zhvillimit, siç janë arsimi gjyqësori”, bën të ditur Thaçi.
XS
SM
MD
LG