Ndërlidhjet

Kosovë: EULEX-i e përkujton kolegun e vrarë


Pjesëtarët e EULEX-it mbajnë një minutë heshtje në Mitrovicë në nderim të kolegut të tyre të vrarë Audrius Senavicius

Pjesëtarët e EULEX-it mbajnë një minutë heshtje në Mitrovicë në nderim të kolegut të tyre të vrarë Audrius Senavicius

Në selinë qendrore të misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, është mbajtur një minutë heshtje në nderim të pjesëtarit të vrarë të këtij misioni, Audrius Senavicius.

Në këtë ceremoni të përkujtimit ishte i pranishëm edhe Komandanti i operacioneve civile të Bashkimit Evropian, Hanjsorg Haber, dhe shefi i misionit EULEX, Bernd Borchard.

Zoti Haber, para personelit të misionit, theksoi se ka ardhur në Kosovë për ta shprehur “solidaritetin, dhembjen dhe përkujtimin për kolegun e rënë, Audrius Senavicius” dhe shtoi se “kjo është ngjarje tragjike dhe është e rëndësishme që ta dini se jeni të mbështetur dhe të vlerësuar nga udhëheqja më e lartë në Bruksel”, njoftoi EULEX-i.

Mëtutje ai është shprehur se beson se policia dhe personeli juridik, që punojnë së bashku me policinë e Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, “do të zhvillojnë hetime gjithëpërfshirëse lidhur me këtë ngjarje tragjike të djeshme”.

Në librin e ngushëllimeve, i cili është hapur sot, pos të tjerëve, janë nënshkruar zyrtarë të lartë të Kosovës.

I ndjeri Audrius Senavicius nga Lituania, ishte zyrtar doganor i EULEX-it, që punonte në kuadër të ndërrimeve të rregullta në pikë-kalimet në pjesën veriore të Kosovës.

Ai në Kosovë kishte ardhur në vitin 2010. Audrius ishte i martuar dhe i ka dy djem.
XS
SM
MD
LG