Ndërlidhjet

Olters: Kosovarëve u duhen informata për menaxhim të parave


Jan Peter Olters

Jan Peter Olters


“Sa më e zhvilluar të jetë një ekonomi, aq më të zhvilluara do të jenë instrumentet për menaxhimin e parasë që dikush posedon - sikurse depozitat e mbledhura, ashtu dhe kreditë. Pra, duhet të menaxhohet pozitivja dhe negativja. Për t’i menaxhuar këto, nevojiten informatat”, thotë në një intervistë për Rubrikën "Vetmenaxhim" të Radios Evropa e Lirë, menaxheri për Kosovën nga Banka Botërore, Jan Peter Olters.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Olters, menaxhimi i parasë te familjet në Kosovë, është një problem jashtëzakonisht i madh. Ne e kemi parë këtë gjatë hulumtimeve që i kemi bërë me familje dhe gjatë emisionit që jemi duke e transmetuar. A mund të na sillni një praktikë më të mirë nga vendi që ju vini për menaxhimin e parave të qytetarëve? Thjesht, një krahasim me familjet në Kosovë?

JAN PETER OLTERS
Kjo është një pyetje shumë e mirë. Mendoj se kjo gjë është një sfidë e veçantë në Kosovë për dy arsye specifike. E para, të hyrat janë kryesisht të ulëta, por se me ato duhet ta mbuloni konsumin e përditshëm. Shpeshherë, rrjedha e të hyrave nuk është e rregullt që do të thotë se në fillim të muajit, ju nuk e dini se sa do të përfitoni gjatë muajit. Kjo e bën menaxhimin dukshëm më të vështirë.

Pastaj, shumë kosovarë janë të zhytur në kredi, pra kjo, kreditë dhe mbitërheqjet, e vështirësojnë një rrjedhë të balancuar të të hyrave. Sa më i madh të jetë zhvillimi ekonomik, e sa më shumë të rriten të hyrat, aq më shumë do të mund të zvogëlojmë papunësinë dhe të rrisim rrjedhat e qëndrueshme të të hyrave. Kjo do të ishte baza e menaxhimit më të lehtë të parave.

RADIO EVROPA E LIRË
Krahasuar me Kosovën, a ka ndonjë praktikë më të mirë për menaxhimin e parasë në rajon, apo në shtetet evropiane? A ka ide apo projekte të qarta nga qeveritë se si qytetarët duhet ta menaxhojnë më mirë paranë e tyre?

JAN PETER OLTERS
Është e qartë se sa më e zhvilluar të jetë një ekonomi, aq më të zhvilluara do të jenë instrumentet për menaxhimin e parasë që dikush posedon - sikurse depozitat e mbledhura, ashtu dhe kreditë. Pra, duhet të menaxhohet pozitivja dhe negativja. Për t’i menaxhuar këto nevojiten informatat.

Ne së fundi kemi mbajtur një konferencë ku ia kemi hedhur një sy mbrojtjes së konsumatorëve dhe edukimit financiar - një program i udhëhequr nga Banka Qendrore e Kosovës. Një nga elementet kyçe është që kuptosh se çfarë bën; ta kuptosh rrezikun e asaj që bën; ta kuptosh çmimin e asaj që bën; që të mund të krahasosh produkte të ndryshme për të marrë një vendim, mbi të cilin je informuar. Kjo në të shumtën e rasteve është e vështirë, meqë ke tarifa dhe norma të ndryshme të interesit, gjë që e bën edhe krahasimin e paqartë përderisa nuk ke një ekspertizë për të krahasuar si duhet dhe zgjedhur produktin në mënyrë racionale.

Një nga pjesët kryesore të menaxhimit të duhur të financave është të kuptosh cilat janë mundësitë, çmimet, kushtet dhe rreziqet. Nëse i keni këto informata, jeni i pajisur më mirë për të marrë vendimin e duhur. Kjo vlen edhe për depozitat, normat e interesit dhe për atë se çfarë, në fakt, do të thotë të keni depozita.

Ju nuk i keni rreziqet për shkëmbime të monedhave të huaja që i kanë vendet e tjera. Pra, ky është një element që ka reduktuar rreziqet për kosovarët. Natyrisht, se mund të bëhet shumë. Nëse i hidhni një sy menaxhimit financiar dhe rreziqeve, me të cilat ballafaqohesh, Kosova në krahasim me rajonin, nuk duket dhe aq keq. Njëra nga arsyet për këtë është mungesa e rreziqeve për shkëmbim parash. Pra, ka raste kur merrni kredi në euro, ndërsa rrogën e merrni në denarë apo lekë. Në këto raste, normat e interesit duken më të ulëta, por nëse ndërkohë ka një zhvleftësim të monedhës, në të cilën ju paguheni, do të rritet borxhi i juaj.

Raste të tilla nuk ndodhin te ju (kosovarët). Bankat në përgjithësi kanë qenë shumë të kujdesshme për të dhënë kredi, ndonëse normat e interesit për kredi kanë qenë goxha të larta. Për këtë arsye, shtëpitë (familjet) janë bërë më të kujdesshme në marrjen e kredive.

Është shumë e rëndësishme që të këshillohen ata që kanë frikë për të marrë kredi se çfarë duhet bërë në vend se të digjen në një horizont pa qasje në para. Por, në përgjithësi është e rëndësishme të ketë më shumë informata dhe të rritet krahasueshmëria në produkte të ndryshme.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka ndonjë faktor tjetër që ndikon në mungesën e menaxhimit të duhur të parave përveç mungesës së zhvillimit ekonomik?

JAN PETER OLTERS
Janë tri arsye pse kjo mbetet një sfidë: njëra janë të hyrat e ulëta mesatare, e dyta është mungesa e qëndrueshmërisë në rrjedhën e të hyrave, ndërsa e treta është mungesa e informacioneve dhe krahasueshmërisë për produktet e ndryshme. Që të tri elementët duhet të merren parasysh për ta rregulluar këtë gjë. Nëse nuk keni një traditë t’i qaseni problemit tuaj në këtë mënyrë (menaxhimi i parasë) do të bëhet shumë i vështirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kush në fakt është përgjegjës për krijimin e një plani dhe shpërndarjen e tij tek qytetarët mbi menaxhimin e financave?

JAN PETER OLTERS
Janë ndoshta tri palë (përgjegjëse) për këtë. Në njërën anë, është Banka Qendrore si mbikëqyrëse e bankave komerciale dhe si poseduese e shumicës së informatave që kanë për qëllim informimin e konsumatorëve mbi atë se çfarë ofrohet në sektorin financiar; ajo që është nisur, ka për synim rritjen e transparencës në sektorin financiar.

Së dyti, natyrisht, se janë përgjegjëse institucionet financiare, pra vetë bankat si pjesë e marrëdhënieve bilaterale me klientët e tyre. Pra, është e rëndësishme që ato të japin këshillën e duhur dhe të shpjegojnë implikimet financiare, avantazhet apo disavantazhet në përzgjedhjen e një produkti.

Është më e lehtë të thuhet se sa të bëhet, por bankat kanë një pjesë të madhe të përgjegjësisë në këtë. Është e qartë se, deri në një masë, përgjegjësinë për këtë e bartin vetë shtëpitë (familjet). Ju keni një shkallë të caktuar të përgjegjësisë nëse merrni një vendim lidhur me financat. Duhet të përpiqeni të merrni këshillën më të mirë, të vlerësoni vetë nëse jeni financiarisht në gjendje të blini një shtëpi, një veturë apo gjëra të tjera nëse keni ndonjë biznes të vogël.

Andaj, duhet të keni një pasqyrë për rrjedhën e të hyrave, për obligimet në pagesa dhe nëse këtë mund ta balanconi në çdo muaj. Këto tri palë së bashku mund të ndihmojnë që të lëvizet përpara nga status quo-ja.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët Bankën Qendrore të Kosovës... Çfarë ka bërë BQK-ja dhe institucionet e tjera financiare deri më tani në këtë drejtim? A janë ofruar alternativa?

JAN PETER OLTERS
Në fakt, është bërë goxha shumë në këtë drejtim, veçanërisht kohëve të fundit. Banka Qendrore në bashkëpunim me grupet e ekspertëve të Bankës Botërore, kanë vështruar me vëmendje se ku jemi, ku duhet të jemi, ku janë mungesat dhe çfarë duhet bërë. Bazuar në këtë, Banka Qendrore e Kosovës ka zhvilluar një strategji për mbrojtjen e konsumatorëve dhe edukimin financiar, ku ka theksuar hapat, reformat dhe inovacionet që duhet të ndodhin në treg, në mënyrë që të ketë përparim në këtë drejtim. Kjo ka ndodhur në bashkëpunim edhe me bankat komerciale.

Tani, jemi në fazën e përpunimit të kësaj diagnoze dhe zbatimit të këtyre hapave që janë nënvizuar në strategji. Kosova po zhvillohet si ekonomi dhe me këtë bëhet e rëndësishme që të forcohet besimi ndërmjet bankave e konsumatorëve dhe anasjelltas. Mënyra më e mirë për ta rritur besimin është informimi dhe marrja e vendimeve, mbi të cilat je i informuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Në strategjinë e Bankës Qendrore të Kosovës “Mbrojtja e konsumatorit dhe edukimi financiar”, në periudhën afatgjatë, është paraparë që edukimi financiar të futet nëpër shkolla. Duke e ditur që Kosova tani ka nevojë për edukim financiar, a nuk është dashur kjo të bëhet në periudhën e menjëhershme?

JAN PETER OLTERS
Çkado që bëni, duhet ta bëni mirë. Nëse ligjëroni një lëndë të re nëpër shkolla duhet të mendoni se çfarë dhe si do ta ligjëroni atë. Duhet të keni një kurrikulë të duhur dhe mësues të trajnuar - duhet të keni njerëz me ekspertizën dhe njohuritë e nevojshme për ta ligjëruar këtë lëndë nëpër shkolla. Duhet të ndërmerren hapa të caktuar për jetësimin e këtij vendimi. Kjo fazë përgatitore e bën projektin më shumë afat-mesëm se sa të menjëhershëm, por hapat kanë filluar tani në mënyrë që kjo të ndodhë sa më parë që të jetë e mundur.

* * *
Në edicionin e shtatë të rubrikës sonë "Vetëmenaxhimi", ju ftojmë të ndiqni për mënyrat më të mira të kursimit të parave.

Si arrihet të bëhet kjo, kush mund të kursejë para dhe si mund ta bëjë këtë? Çka duhet të dini për të kursyer para?

Pyetjet tuaja mund t’i dërgoni në forumin e kësaj rubrike.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG