Ndërlidhjet

Siria dorëzoi dokumente për armatimin e saj kimik


Siri...
Siri...
Organizata për Ndalimin e Armatimit Kimik (OPCW), me seli në Hagë, thotë se nga Damasku ka marrë detaje për arsenalin e armatimit kimik të Sirisë.

Një zëdhënës i kësaj organizate tha mbrëmë se “kemi marrë një pjesë të verifikimit dhe presim më tepër”.

Regjimi i presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, besohet se ka më se një mijë tonelata të helmeve kimike. Inspektorët e Kombeve të Bashkuara kanë gjetur gaz VX dhe sarin, pasi më 21 gusht të këtij viti, në Siri janë vrarë qindra vetë nga helmimi me gazra, pas sulmeve raketore kundër territoreve që janë nën kontrollin e kryengritësve në Siri.

Damasku është pajtuar ta shkatërrojë këtë sasi sipas propozimit të përbashkët Rusi - SHBA, që ka për qëllim evitimin e sulmit ushtarak të Shteteve të Bashkuara kundër Sirisë. Parashihet se arsenali i tërë i Sirisë do të shkatërrohet për nëntë muaj.

Në një kumtesë të ndarë, Organizata për Ndalimin e Armatimit Kimik tha se e ka shtyrë takimin e paraparë për të dielën, për diskutimin e planit të paraqitur nga Uashingtoni dhe Moska.

Ky takim është shtyrë disa herë gjatë kësaj jave.

Sipas burimeve diplomatike, për propozim-tekstin, që do të diskutohej në këtë mbledhje, ende nuk është arritur pajtueshmëri ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Orari për shkatërrimin e arsenalit të armatimit kimik të Sirisë është paraqitur nga sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, para një jave në Gjenevë.

Kerry tha se të premten ka folur me telefon me ministrin Lavrov dhe janë pajtuar për vazhdimin e bashkëpunimit.

“Unë do të përmend se këtë mëngjes e kisha një bisedë të gjatë me ministrin e Jashtëm Lavrov. Ne biseduam për bashkëpunim, dhe ne të dy u pajtuam të vazhdojmë duke lëvizur, jo vetëm kah miratimi i rregullave të Organizatës për Ndalimin e Armatimit Kimik, por po ashtu, kah një rezolutë që është e ashpër dhe e fuqishme brenda Kombeve të Bashkuara”, tha John Kerry.

Më 19 shtator, Kerry pati theksuar se raporti nga inspektorët e armatimit kimik të Kombeve të Bashkuara, tregon se nuk ka dyshim se forcat e presidentit Assad janë për tu fajësuar për sulmin e 21 gushtit.

Kerry po ashtu kërkoi që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ta miratojë një rezolutë, përfshirë edhe kërcënimin me forcë, nëse Assadi dështon ta respektoj marrëveshjen ruso-amerikane për shkatërrimin e armatimit kimik të Sirisë.

Njëherësh, Qeveria e Sirisë e ka pranuar planin dhe tashmë ka shprehur interesim për anëtarësim në Organizatën Për Ndalimin e Armatimit Kimik. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG