Ndërlidhjet

Gjermani: Sondazhet e para nxjerrin fitues Merkelin


Angela Merkel dhe Peer Steinbrueck (majtas).
Angela Merkel dhe Peer Steinbrueck (majtas).
Angela Merkel e ka fituar edhe mandatin e tretë si kancelare e Gjermanisë, thonë sondazhet dalëse (exit polls) të rrjeteve televizive gjermane, pas mbylljes së votimeve.

Sipas këtyre sondazheve, koalicioni i qendrës së djathtë i zonjës Merkel, CDU/CSU, ka fituar 42% të votave, ndërsa partia SPD, deri tash në opozitë, ka fituar 25.5%.

Mëtutje pasojnë partia e të gjelbërve dhe partia e majtë e linjës së fortë, që të dyjat kanë fituar më tepër se 8% të votave, sipas sondazheve dalëse.

Nëse partia partnere e zonjës Merkel, Demokratët e Lirë, nuk do të fitoj mbi 5% të votave, atëherë Angela Merkel duket se do të jetë e detyruar ta formoj “koaliconin e madh” me socialdemokratët (SPD).

Ky koalicion e ka qeverisur Gjermaninë edhe në periudhën 2005 – 2009.


Procesi i votimit gjatë ditës

Prej orës 8 të mëngjesit në Gjermani janë hapur vendvotimet për zgjedhjet parlamentare.

Raportohet se Angela Merkel është favorite për ta fituar edhe mandatin e tretë të kancelares.

Hulumtimet e opinionit sugjerojnë se Partia Demokristiane e saj do të fitojë më së shumti vota.

Duke folur gjatë një fushate zgjedhore në Berlin, zonja Merkel u kishte kërkuar votuesve që t’i mundësojnë asaj “një mandat të fuqishëm”.

Ajo, po ashtu, kishte bërë thirrje që të mbrohet Evropa dhe koalicioni i saj i qendrës së djathtë nga euro-skeptikët, të cilët, për të parën herë, mund të hyjnë në parlamentin gjerman.

Lideri socialdemokrat, Peer Steinbrueck, ka votuar në Bon dhe ka sugjeruar se beson se do të ketë sukses.

“Tash është dita kur votuesit vendosin, nuk ka më spekulime, nuk ka më lojëra strategjike dhe për këtë arsye, duke i respektuar votuesit, ne duhet të presim dhe të shohim se çka do të ndodhë. Unë kam fjetur mirë. Më vonë do të shkoj në Berlin dhe besoj se do të shihemi përsëri”, u tha Steinbrueck gazetarëve.

Votuesja Nadija Orlowski, ka votuar në një vendvotim në Berlin. Ja se çka i deklaroi ajo agjencisë Reuters:

“Po, jam nervoze, sepse demokracia është gjë e rëndësishme. Unë e mora vendimin tim dhe tash do të doja ta dija nëse pjesa më e madhe e popullit gjerman e ka të njëjtin mendim si unë”.

Pritet që parashikimet e para televizive do të jepen në orën 18 sipas kohës së Evropës së Mesme, kur mbyllen vendvotimet.

Gjermania është ekonomia më e madhe e Evropës, prandaj zgjedhjet në këtë vend po ndiqen për së afërti në gjithë rajonin e eurozonës. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG