Ndërlidhjet

Rohani: Irani i gatshëm për bisedime atomike


Presidenti i Iranit Hassan Rohani
Presidenti i Iranit Hassan Rohani
Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, tha se vendi i tij është i gatshëm për negociata me komunitetin ndërkombëtar lidhur me programin e kontestuar atomik.

Në komentet e transmetuara në televizionin shtetëror të Iranit, me rastin e shënimit të përvjetorit të 33 të invadimit të Iranit nga ana e Irakut në vitin 1980, dhe para pjesëmarrjes së zotit Rohani në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ai ka këmbëngulë se perëndimi duhet ta njohë të drejtën e Iranit për pasurimin e uraniumit, sipas së drejtës ndërkombëtare.

Rohani ka theksuar se nëse kjo e drejtë njihet, atëherë Irani “është i gatshëm të bashkëpunoj dhe së bashku të zgjidhen të gjitha problemet e rajonit dhe ato globale”.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore e akuzojnë Iranin se synon prodhimin e armatimit atomik, por Teherani i hedhë poshtë këto akuza, duke theksuar se programi është tërësisht për qëllime paqësore.
XS
SM
MD
LG